Foto: Shqipron Halimi
Kosova shënon rënie të dukshme në lirinë e shtypit, ‘gazetarët cak i sulmeve politike’
Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit Kosova mori lajmin e keq se ka shënuar rënie të dukshme në Indeksin vjetor për lirinë e mediave. Ndryshe nga viti i kaluar që Kosova renditej në vendin e 56-të, në këtë vit i është afruar 100-shit, saktësisht në pozitën e 75-të, duke rënë për 19 vende më poshtë.
Në raportin e Reporterëve pa Kufij për këtë gjendje fajësohen politikanët, pasi që përfundohet se gazetarët janë cak i sulmeve politike, duke përmendur disa nga rastet më të mëdha të çështjeve mediatike në Kosovë gjatë vitit 2023 dhe këtyre muajve të vitit 2024.
Ndër këto raste, në raportin e publikuar është specifikuar që Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), apo siç i është referuar në raport “rregullatori joefikas i mediave” po provon të reformojë veten.
Ndërkaq, kërcënim në spektrin mediatik e kanë cilësuar përzgjedhjen e drejtorit të RTK-së, duke iu referuar si aleat i afër i partisë në pushtet, Vetëvendosjes. Nuk është përjashtuar as rasti i mediumit Klan Kosova, për të cilin është vlerësuar se ka qenë cak i sulmeve administrative nga Qeveria e Kosovës.
Përveç këtyre gjetjeve, në raport shkruan që është rritur numri i Padive Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike, të njohur si paditë SLAPP.
Një tjetër çështje që është cekur në raport është se në praktikë, ligji për të drejtën e autorit nuk respektohet dhe qasja në informacion kërcënohet nga një projekt-ligj drakonian për rregullimin e medias dhe nga procedurat e nisura kundër një operatori telekomunikacioni.
Megjithatë vlerësohet se edhe pse asnjë gazetar nuk është vrarë në Kosovë që nga vitit 2005, mirëpo të njëjtit kanë qenë cak i sulmeve fizike dhe rrjetet kriminale kanë penguar punën e tyre. Sipas raportit, rastet e sulmeve ndaj gazetarëve rrallë po ndiqen penalisht edhe pse po hetohen nga institucionet përkatëse të drejtësisë. Këto sulme thuhet se janë rritur sidomos gjatë tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë në maj të vitit 2023, gjatë raportimit në veri të vendit.
Raporti ka vënë në pah si anë të keqe që ende vrasjet dhe zhdukjet që kanë ndodhur para dhe gjatë Luftës së Kosovës (1998-2005) kanë mbetur të pandëshkuara. Ndërkaq, gazetarët që hetojnë trafikun e drogës ose ndotjen e mjedisit janë nënshtruar sulmeve fizike dhe rrjetet kriminale kanë penguar raportimin e tyre.
3 maji i vitit 2024 mediat në Kosovë i ka gjetur edhe të varura nga reklamat e Qeverisë apo partive politike, shkruan në këtë raport. Sipas arsyetimit të Reporterëve pa Kufij, përmes pronarëve të tyre, mediat private janë të ekspozuara nga ndikimi i grupeve të fuqishme politike dhe biznesore.
Në raportin e Reporterëve pa Kufij u tha po ashtu se mediat në Kosovë janë të varura nga reklamat qoftë “nga Qeveria apo nga partitë politike”.
Sipas vlerësimit, mediat në gjuhën serbe në Kosovë po ballafaqohen me sfida edhe më të mëdha, meqë disa prej tyre financohen nga Serbia ndërsa tjerat nuk mund të qëndrojnë në këmbët e tyre pa ndihmë ndërkombëtare.
“Mediat në gjuhën serbe, të cilat janë nën presionin e forcave politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasjen në informacione publike, veçanërisht në gjuhën e tyre, që është ajo e pakicës kushtetuese”- shkruan në raport.
Ndër tjerash në raport është përmendur edhe trualli social-kulturor, duke thënë se edhe pse gazetarët janë të besuar nga shoqëria, mediat e pavarura dhe gazetarët investigativë janë shpesh në shënjestër të fyerjeve dhe lajmeve të rreme në mediat sociale. Ata akuzohen padrejtësisht për “bashkëpunim me armikun”, retorikë e përdorur nga grupet politike dhe fetare.
Sa i përket vendeve fqinje, sipas raportit në fjalë edhe Shqipëria ka rënë nga vendi i 96-të në atë 99, mirëpo është vlerësuar se atje gazetarët përballen me presion politik sidomos gjatë kohës së zgjedhjeve.
Ndërkaq, Serbia ka rënë nga vendi i 98 në 91, duke e cilësuar gjendjen si polarizuese, gazetarët të sulmuar nga klasa udhëheqëse dhe se rregullatori i mediave elektronike në Serbi, anëtarët e së cilit kryesisht emërohen nga Qeveria”.
Në përgjithësi, sipas raportit, liria e shtypit në mbarë botën po kërcënohet nga vetë njerëzit që duhet të jenë garantuesit e saj – autoritetet politike. Sipas tyre konstatim bazohet në faktin se, nga pesë treguesit e përdorur për përpilimin e renditjes, është treguesi politik që ka rënë më shumë, duke regjistruar një rënie mesatare globale prej 7.6 pikësh.