A mund të jeni alergjik ndaj të ftohtit?
Alergjia nga të ftohtit, është një reagim i lëkurës ndaj të ftohtit që shfaqet pas kontaktit me ajrin e ftohtë, lëngje të ftohta, sipërfaqe solide të ftohta apo pas marrjes së ushqimeve ose pijeve të ftohta.
Ndryshimet shfaqen brenda 2-5 minutave pas ekspozimit ndaj të ftohtit dhe zgjasin 1-2 orë. Ato mund të paraqiten si ndryshime urtikariale, skuqje në lëkurë, kruarje dhe angioedemë (ënjtje), të lokalizuara (ënjtje të laprave të veshëve, shuplakave, shputave) apo në gjithë trupin.
Në disa raste mund të zhvillohen simptoma të përgjithshme me rënie të tensionit arterial, çrregullime të ritmit të zemrës, frymë nxënie, fishkëllima në gjoks, dhimbje barku. Të notuarit në ujë të ftohtë është shkaku më i zakonshëm i një reaksioni të rëndë.
Diagnostikimi bëhet në bazë të të dhënave për historinë e sëmundjes, testit të provokimit me të ftohtë dhe analizave serologjike, për të përjashtuar sëmundjet e tjera, veçanërisht infeksionet.
Menaxhimi i gjendjes bëhet në kombinim me masat e shmangies dhe terapinë e medikamenteve. Linja e parë e trajtimit janë antihistaminikët jo-sedativ dhe varësisht nga përgjigja në trajtim mund të kërkohet edhe terapi shtesë. Pacientët në rrezik të lartë kërkohet të kenë adrenalinë vete injektuese.
Pacientët me urtikarie nga të ftohtit duhet të mësohen ta ruajnë veten nga rënia e shpejtë e temperaturës së trupit. Shumica e tyre detyrohen të ndërrojnë stilin e jetesës për të shmangur përkeqësimet. Nuk atakohen të gjithë personat njëjtë, prandaj është e rëndësishme të dihet pragu i temperaturës së toleruar. Para çdo procedure mjekësore ose dentare, duhet të njoftohet mjeku përgjegjës, në mënyrë që të mbahen temperaturat optimale gjatë procedurës.
Urtikaria nga të ftohtit është një gjendje kronike, e cila mund të zgjasë me vite dhe të qetësohet pas një kohe.
Në vitin 2005, Dr. Valbona ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. Ne vitin 2015 përfundoi Specializimin për Alergologji dhe Imunologji Klinike. Në vitin 2020 mori titullin Doktor i Shkencave Mjekësore në Universitetin “Shën. Kirili dhe Metodij” në Shkup.
Për ta kontaktuar doktoreshën ndiqni këtë link https://www.facebook.com/avicenaks
Lexoni edhe