Si trajtohet kolli tek fëmijët
Kur duhet të shqetësohen prindërit nëse fëmijën e kaplon kolla dhe kur duhet me urgjencë të drejtohemi te mjeku pediatër? Kur duhet përdorur antibiotikët?
Këto janë këshillat nga doktoresha – pediatre – Ass.Dr.Qëndresa Beqiraj-Zeqiraj
Çka është kolla?
Kolla është një refleks natyral- mbrojtës i organizmit të fëmijës, që i ndihmon t’i pastrojnë rrugët e frymëmarrjes nga substancat irrituese dhe t’i mbron nga infeksionet.
Kolla është një prej simptomave më të shpeshta të sëmundjeve të fëmijërisë, alarmuese edhe për prindërit, fatmirësisht jo çdo herë simptomë për të cilën duhet të shqetësoheni.
Shkaktarët më të shpeshtë të kollës të fëmijët janë infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes. Fëmijët e vegjël mund të kalojnë 6-12 infeksione brenda vitit, kryesisht të shkaktuara nga viruset. Kolla e shkaktuar nga infeksionet virusale nuk trajtohet me antibiotik.
Por, antibiotikët përshkruhen vetëm nga pediatri i fëmijës tuaj për trajtimin e kollës të shkaktuar nga infeksionet bakteriale.
Llojet e kollës
- Kolla te ftohjet e zakonshme
Ftohjet e zakonshme shoqërohen me kollë të thatë ose produktive. Kolla zgjatë rreth 1 javë dhe largohet kur të ketë kaluar ftohja.
Kolla me temperaturë
Temperatura e lartë deri 39*C , frymëmarrje të shpejtadhe kolla janë shenja të ndezjes në mushkëri – pneumonisë. Dërgojeni fëmijën menjëherë të mjeku!
3. Kolla si ʺtë lehurit e qenitʺ
Kryesisht paraqitet te pezmatimi dhe enjëtja e telave te zërit nga infeksionet virusale, alergjenët ose ajri i ftohtë kryesisht gjatë natës.
4. Kolla me gërhamëz
Mund të paraqitet tek sëmundjet si bronkiti , astma ose pneumonia.
5.Kolla e cila paraqitet befas
Është shpesh pasojë fëmija aksidentalisht ka gëlltitur ushqim, ose trupa të huaj dhe ato kanë kaluar gabimisht në rrugët e frymëmarrjes.
6. Kolla me vjellje
Shpesh për shkak të kollitjeve fëmijët vjellin, por kur vjellja përsëritet disa herë kontakto mjekun tuaj.
7. Kolla te foshnjat
Fëmijët prej 0 deri 6 muaj kanë kollitje , prindër jeni të vëmendshëm dhe konsultohuni me pediatrin sepse një lloj virusi që quhet Virusi Respiator Sincicial mund te komplikojë infeksionet dhe bebi juaj të fitojë bronkiolit dhe pneumoni dhe ne disa raste duhet të hospitalizohen për tu trajtuar edhe me oksigjen terapi.
Sëmundjet që manifestohen me kollitje
Ftohja e zakonshme (rrufa).
Bronkioliti-inflamacion i rrugëve të imëta të frymëmarrjes, kryesisht paraqitet te fëmijët nën 2 vjeç.
Pneumonia-pezmatim i mushkërive që shoqërohet edhe me temperaturë të lartë.
Asthma- sëmundja më e shpeshtë kronike e fëmijërisë e nxitur nga shkaktarë të shumtë.
Krupi paraqitet kur kemi vështirësi në frymëmarrje për shkak të ënjtjes së rrugëve të sipërme të frymëmarrjes më shpesh paraqitet në vjeshtë dhe dimër tek mosha nën 5 vjeç.
Pertusis –(Kolla e keqe )- sëmundje ngjitëse e shkaktuar nga një baktere Bordetella Pertsusis, e shoqëruar me kollë karakteristike, parandalohet me vaksinimin e rregullt të fëmijëve.
Si ta ndihmoni fëmijën tuaj me kollitje në kushte shtëpie?
I jepni sasi të shtuar të lëngjeve. Kjo i ndihmon fëmijës tuaj të eliminoj më lehtë sekrecionet me anë të kollitjes.
Kujdesuni që kur fëmija flenë t`ia vendosni kokën në pozitë më lartë, që të ketë më të lëhtë frymëmarrjen.
Evitoni ekspozimin e fëmijës në ambiente me tym duhani, sepse tymi i duhanit e përkeqëson kollitjen.
Përpiquni ta lagështoni ajrin në dhomën ku qëndron fëmija.
Mjalta lehtëson kollitjen, kujdes mos ua jepni fëmijëve nën 1 vjeç.
Asnjëherë fëmijëve mos u jepni barna kundër kollitjes pa u konsultuar me pediatrin.
Kur duhet ta dërgoni fëmijën te pediatri ?
Në disa raste kolla është simptomë jo shqetësuese ,dërgoni menjëherë për vizitë mjekësore nëse :
- Fëmija ka frymëmarrje të vështirësuar, temperaturë, sidomos kur fëmija juaj është me i vogël se 6 muaj.
- Ngjyra e lëkurës, buzëve, fytyra ose gjuha janë të mavijosura.
- Kur kollitja është me gjak të freskët.
- Kur ka ngërhamëz, ngjirje zëri dhe kollitja i ngjan ,,të lehurave të qenit’’.
- Kollitja që zgjat më shumë se 2 javë .
- Atëherë kur gjendja e përgjithshme e fëmijës nuk është e mirë.
Përfundim
Informohuni për kollën , shkaktarët dhe llojet e saj !
Mjeku-pediatër do kërkoj ndihmën tuaj për të përshkruar këtë simptomë që po bezdis fëmijën tuaj.
Netët pa gjumë, kur fëmija kollitet janë të gjata.
Kur kolla shërohet edhe gjumi është më i ëmbël e mëngjeset zbardhin me buzëqeshje te fëmijët.
Në vitin 2008, dr. Qëndresa përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë, dhe më pas në vitin 2018 mori titullin Specialiste e Pediatrisë në Shërbimin Klinik Spitalor Universitar të Kosovës. Ajo tani është duke ndjekur studimet në Universitetin e Zagrebit në Fakultetin e Mjekësisë.