Tensione në Kuvend mes deputetëve të PDK-së dhe LVV-së, Bogujevci thërret sigurimin
Një situatë e tensionuar është krijuar në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës. Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, ka kërkuar nga sigurimi që ta largojë nga salla deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala dhe atë të Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba.
E gjitha ka ndodhur, pasi Shala ka dalë në foltore për t’ia larguar mikrofonin kryetares së Grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cila kishte dalë të bëjë një kundër-replikë, e që sipas Bogujevcit, ishte e drejtë dhe e bazuar në Rregulloren e Kuvendit.
“Mimoza ka kundër-replikë. Nuk mundem që secilën herë në bazë të kërkesave të juaja me dalë jashtë Rregullores. Kam dhënë mundësi. Ishte replikë dhe kundër-replikë me deputetët. Nuk mund t’ia jap fjalën dikujt në kundër-replikë të dikujt tjetër. Mimoza Kusari e ka kundër-replikën”- ka thënë Bogujevci.
Në të njëjtin moment, njëjtë si Shala është ngritur edhe deputeti i LVV-së, Salih Zyba. Ky i fundit ka vepruar kështu për t’i dalë në “mbrojtje” koleges së tij.
Nënkryetarja Bogujevci vazhdimisht u ka bërë thirrje dy deputetëve që të ulen në vendet e tyre, mirëpo më pas e ka thirrur sigurimin që t’i largojë nga salla.
“Mos më detyroni të thërras sigurimin. Sigurimi (futuni) tani në sallë dhe largoni të dy deputetët që i përmenda me emër- tani. E kam të pamundshme që në secilën seancë kur burrat ngritën në këmbë dhe më tregojnë mua sesi ta bëjë interpretimin e Rregullores. Mjaft më”- deklaroi Bogjuveci.
Pasi sigurimi nuk hyri në sallë, Boujevci, tha se Shala dhe Zyba nuk do të kenë më të drejtën e fjalës.
“Asnjëri prej juve nuk e keni më të drejtën e fjalës, pasi sigurimi nuk po e dëgjon kërkesën e nënkryetares kur është e rregulluar me Rregulloren e Kuvendit”- përfundoi ajo.
Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) po diskutohet sot, më 02.05.2024 në seancën e Kuvendit të Kosovës.