Pasojat që i lë temperatura e lartë tek fëmijët

Shfaqja e temperaturës së lartë në trupin e fëmijëve nuk llogaritet të jetë një sëmundje, por një sinjal që në trupin e fëmiut ka diçka që nuk shkon.

Trupi i njeriut ngritë temperaturën si mekanizëm mbrojtës ndaj infeksioneve dhe viruseve. Procesi i natyrshëm ndihmon në shërimin e sëmundjeve, mirëpo temperatura e lartë mund të krijoj probleme dhe efekte anësore shumë të mëdha në disa organe vitale.

Studimet tregojnë që temperatura vonon rritjen dhe shumimin e baktereve dhe viruseve dhe ndihmon prodhimin e rruzave të bardha të cilat luftojnë infeksionin.

Shumica e temperaturave zgjasin për kohë të shkurtër dhe kanë efekte të mira mbi organizmin duke qenë se e mbrojnë atë.

Studimet e deritanishme tregojnë efektet pozitive të temperaturës në rritjen e sistemit imunitar ndërsa, efektet pozitive që marrim nëpërmjet uljes së temperaturës përmbledhin lehtësimin e diskomfortit (pa-rehatisë) si dhe pakësimin e humbjes së lëngjeve që mund të çojë në dehidrim të fëmijës.

 Cilat janë vlerat normale të temperaturës tek fëmijët?

Vlerat normale e temperaturës tek fëmijët është (matjes axillare) nga 36.5 dhe 37 °C.

Si matet temperatura e trupit?                                                                                                

Temperatura matet me termometër dixhital, nën krah (axillary), sublingual (oral), dhe ne pjesën e fundit të zorrës së trashë (rektal ). Këtë të fundit nuk do e preferoja tek fëmijët.
Te fëmijët e vegjël nëse keni bërë matjen rektale (në zorrë të trashë) duhet të kujtoni se termometri tregon 0.5 deri 1 ° C më të lartë se vlerat e matura nën sqetull.

Kur konsiderohet temperature e lartë tek fëmijët?                                                                       

Temperatura e lartë e trupit konsiderohet nëse ajo arrinë nga  37.5 * C deri 38.5 * C .                                                                                          

Temperatura shumë e lartë e trupit (ethe) më e rritur se  39 * C deri në  40 * C.                                  

Temperatura e ulët e trupit: më e ulët se 36 * C .

Rritja e temperaturës është një mënyrë e natyrshme e mbrojtjes së organizmit.                                    

Për temperaturë të lartë bëhet fjalë, kur temperatura e trupit te foshnjat nën 3 muaj e tejkalon 38°C dhe të fëmijët më të rritur e tejkalon 38.5°C.

Shkaku më i shpeshtë i temperaturës në moshën e fëmijërisë janë infeksionet, të cilat shkaktohen nga: viruset sezonale, bakteriet, pastaj dalja e dhëmbëve, reaksionet alergjike, vaksinimet dhe shkaqe tjera të rralla. Temperatura e lartë për shkak të  infeksioneve bakteriale, mund të jetë si pasojë e: pneumonisë, infeksioneve urinare, infeksioneve të veshit ose infeksione më të rënda në gjak apo si pasojë e meningjitit, por mund të jetë edhe me natyrë virale e cila diagnostifikohet me analizat e gjakut.

Kur nuk duhet të shqetësoheni për temperaturën e fëmijës tuaj?                                                                                                                                 

Kur gjatë gjithë kohës fëmijët kanë shenja të temperaturës prindërit duhet t`i mbajnë nën mbikëqyrje fëmijët e tyre.

Monitorimi i temperaturës duhet të jetë i vazhdueshëm por vlerat mesatare nuk duhet t’ju shqetësojnë kur temperature zgjatë më pak se pesë ditë, sjellja e fëmijës është normale dhe fëmija vazhdon të jetë aktiv dhe ushqehet e konsumon lëngje normalisht.

Kur duhet ta kontaktoni menjëherë mjekun e fëmijës tuaj?                                                                

Rritja e temperaturës paraqet mjaft rreziqe andaj prindërit duhet të kenë kujdes dhe menjëherë të kontaktojnë me mjekun nëse shfaqen simptomat e mëposhtme.
– Fëmija juaj është nën 3 muaj dhe ka temperaturë deri ose mbi 38°Celsius.
– Fëmija juaj ka dhimbje të kokës, qafë të shtanguar dhe i pengon drita.
– Fëmija juaj vjellë vazhdimisht dhe nuk pranon të pi.
– Fëmija juaj qan pa lot dhe nuk e lagë pelenën.
– Fëmija juaj ka vështirësi në frymëmarrje ose frymëzënie.
– Fëmija juaj bëhet gjithnjë e më tepër apatik, letargjik.
– Fëmija nuk bëhet më mirë edhe përkundër dhënies së rregullt të antipiretikëve.
– Fëmija juaj ka më tepër se 2 ditë temperaturë të lartë edhe përkundër që ju i jepni çdo 6 orë antipiretik (paracetamol ose ibrufen).

Çfarë duhet të bëjë prindi në shtëpi kur fëmija ka temperaturë?

Temperatura e lartë mund të çoj edhe deri te ndikimi i gjendjes së përgjithshme të fëmijës tuaj.

  1. Kur fëmija juaj ka temperaturë të lartë e cila nganjëherë është e shoqëruar me ethe, ndjen lodhje plogështi, i shqetësuar, pi pak.

Për t`i shmangur këto probleme dhe për ta menaxhuar situatën rekomandohet që:

Zhvisheni fëmijën tuaj dhe ta vishni me rroba të holla apo mbuloni lehtë.

Vendosja peshqirëve të lagur në trupin e bebit apo fëmijës suaj. Peshqirët duhet të ndërrohen çdo 5-10 min.

Bëni banjë me ujë të vakët (gjithmonë kontrolloni temperaturën e ujit (para larjes së fëmijës). Larja duhet të zgjate 15-20 minuta dhe bëhet në komplet trupin dhe kokën. Kontakti me ujin do e ndihmojë, do e relaksojë dhe do ndikojë të vije deri te ulja graduale e temperaturës. Duhet kujdes që të mos vendoset direkt në ujë të vakët por ngadalë duke i fërkuar ekstremitetet, trupin dhe pastaj kokën. Kujdes edhe kur të kemi mbaruar, duhet fshirë mirë dhe pastaj e nxjerrim në hapësirën(dhomën) tjetër. Kuptohet fëmija duhet veshur para se ta nxjerrim nga banjo.

Temperaturat e larta mund të çojnë deri te humbja e lëngjeve, për këtë arsye jepni sa më shpesh sasi të vogla lëngjesh si: qumësht gjiri ose në mungesë të tij, qumësht formule, ujë,  ORS apo çaj kamomili.

Ajrosja e dhomës, temperatura e dhomës nuk duhet të jetë më e lartë se 22 °C.

Nëse përkundër masave të ndërmarra me sipë r(zhveshjes së fëmijës, friksioneve apo banjove) temperatura nuk bije, atëherë duhet t`i ordinojmë antipiretik fëmijës nëse temperature tejkalon 38-38.2 *c.

Jepni fëmijëve nën 6 muaj Paracetamol në formë të suposteve apo sirup në sasi të llogaritur sipas kilogramëve ose sipas moshës apo sipas udhëzimeve të paketimit. Veprimi fillon brenda 30 minutash, intervali është 4-6 orë. Këtë diagnozë rekomandohet ta përdorni vetëm pas konsultimit me mjekun.

Nëse fëmija është më i madh se 6 muaj mund t`i jepni fëmijës Paracetamol të kombinuar me Ibuprofen, çdo 6-8 orë.
Përcielleni gjendjen: temperatura do të duhej të ulet dhe gjendja e përgjithshme e fëmijës të përmirësohet. Ato jepen nëse temperatura tejkalon 38 -38.2° C .

Në disa raste si pasojë e temperaturës se larte (39.5 *-40 *C) mund të vije deri tek konvulsionet apo ngërqet siç është e njohur në popull, e cila është shumë dramatike për femijën dhe prindërit.

Konvulsionet (të dridhurat) janë një efekt anësor shumë i frikshëm i etheve/temperaturës së lartë në disa fëmijë. Konvulsionet febrile ndodhin në 2 deri në 4% të të gjithë fëmijëve nën moshën 5 vjeçare.

Çfarë të bëni nëse ndodhin konvulsione tek fëmija juaj?                                                                        

Temperatura e lartë mund të ketë efekt edhe në shkaktimin e konvulsioneve tek fëmijët. Prindërit duhet të dinë që në këto raste duhet të reagojnë menjëherë.

Nëse fëmija bën një krizë: Vendoseni fëmijën tuaj në njërin krah (pozicion anash)

Mos i vendosni asgjë në gojë fëmijës.

Njoftoni mjekun tuaj ose kërkoni menjëherë kujdes mjekësor, për të vazhduar më tej ndjekjen e përshtatshme të fëmijës.

Shkaktarët

Shkaktarët dhe natyra e temperaturës janë të shpeshtë, por për t`i zbuluar ata rekomandohen këto analiza:

  • Hemogram
  • CRP
  • ESR (Sendimentacioni)
  • Analiza e urinës
  • Urinokultura
  • Strisho e fytit & hundës

Dr. Shqipe Kabashi përfundoi Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2017 mori titullin Specialiste e Pediatrisë në QKUK. Përveç kësaj, ajo është e certifikuar për echo të abdomenit.

Dr. Kabashi aktualisht punon në Klinikën e Pediatrisë në Repartin e Gastroenterologjisë Pediatrike. Për ta kontaktuar doktoreshën ndiqni këtë link https://www.facebook.com/avicenaks