Dr. Miranda Selmonaj Rama
Simptomat dhe problemet që i shkakton sëmundja e Tiroiditi Hashimoto
Gjëndra tiroide është një nga gjëndrat më të rëndësishme të sistemit endokrin dhe ka një peshë mesatare rreth 20 gram tek të rriturit.
Gjëndra tiroide ndodhet në pjesën e përparme të qafës. Ka dy lobe, (të djathtë dhe të majtë) të lidhur nga një urë e vogël e indit tiroide të quajtur isthmus, që i japin strukturës tiroide formën e fluturës apo formën e shkronjës H. Gjëndra tiroide prodhon dy hormone kryesore tiroksinën (T4) dhe trijodtironën (T3) të cilët janë të stimuluar nga një tjetër hormon TSH (Thyroid Stimulating Hormone), që sekretohet nga gjëndra e hipofizës.
Gjëndra tiroide luan një rol të rëndësishëm në rregullimin e metabolizmit të trupit, pothuajse çdo ind në trup ndikohet ose rregullohet nga hormoni i tiroides. Ҫrregullimet e funksionit të tiroides mund të përshpejtojnë ose të ngadalësojnë këto proçese metabolike në organizim tuaj, të cilat çojnë në një manifestim të gjërë simptomash.
Hipotireoza (ulja e funksionit të gjendrës tiroide) është një nga sëmundjet më të shpeshta të tiroides dhe një nga shkaktarët më të shpeshtë të hipotireozës në vendet e zhvilluara është tiroiditi kronik Hashimoto.
Ҫka është Tiroiditi Hashimoto?
Tiroiditi Hashimoto e quajtur edhe sëmundja e Hashimotos është një sëmundje autoimmune, një çrregullim në të cilin sistemi imunitar kthehet kundër indeve të trupit, specifikisht kunder indit tiroid, dhe qelizat e tiroides shkatërrohen. Me kalimin e kohës, aftësia e gjëndrës tiroide për të prodhuar hormone tiroide shpesh dëmtohet dhe çon në një rënie graduale të funksionit hipotiroidizëm. Pra tek njerëzit me Hashimoto, sistemi imunitar prodhon antitrupa që sulmojnë gjëndrën tiroide.
Shkaqet e Tiroiditi Hashimoto
Fillimi i sëmundjes mund të lidhet me ndërveprimet ndërmjet faktorëve gjenetikë dhe faktorëve mjedisorë (të tillë si infeksioni, stresi ose ekspozimi ndaj rrezatimit, substancat toksike, teprica e jodit). Shumica e pacientëve zhvillojnë antitrupa specifikë, më të zakonshmi prej të cilëve janë antitrupat e peroksidazës tiroide (anti-TPO). Shumë prej tyre gjithashtu formojnë antitrupa ndaj tiroglobulinës (anti-Tg) dhe antitrupa bllokues të receptorit TSH (TBII). Këto antitrupa sulmojnë indin tiroide, duke çuar përfundimisht në prodhimin e pamjaftueshëm të hormoneve tiroide. Ekziston një nëngrup i vogël i popullatës, jo më shumë se 10-15% me sëmundje klinikisht të dukshme, që janë antitrupa negativë në serum.
Cilet janë faktorët e rrezikut?
Gjenetika dhe historia familjare. Ju jeni në rrezik më të lartë për sëmundjen e Hashimotos nëse të tjerët në familjen tuaj kanë çrregullime të tiroides ose sëmundje të tjera autoimune.
Gjinia dhe mosha. Femrat kanë më shumë gjasa të preken nga sëmundja e Hashimotos. Raporti femër-meshkuj është rreth 10:1. Sëmundja e Hashimotos mund të shfaqet në çdo moshë por shumica e grave diagnostikohen midis moshës 30 dhe 50 vjeç.
Sëmundje të tjera autoimune. Të kesh një sëmundje tjetër autoimune – të tilla si artriti reumatoid, diabeti i tipit 1 ose lupus, rrit rrezikun e zhvillimit të sëmundjes së Hashimotos.
Shtatzënia. Ndyshimet fiziologjike të funksionit tiroid gjatë shtatzënisë mund të jenë një faktor në sëmundjen e Hashimotos që fillon pas shtatzënisë.
Marrja e tepërt e jodit. Shumë jod në dietë mund të funksionojë si një nxitës në mesin e njerëzve tashmë në rrezik për sëmundjen e Hashimotos.
Ekspozimi ndaj rrezatimit. Njerëzit e ekspozuar ndaj niveleve të tepërta të rrezatimit mjedisor janë më të prirur ndaj sëmundjes së Hashimotos.
Si manifestohet Tiroiditi Hashimoto?
Për shkak se sëmundja e Hashimotos prek pothuajse çdo sistem organesh në trupin tuaj, ajo shoqërohet me një sërë simptomash. Kur metabolizmi juaj ngadalësohet për shkak të hipotiroidizmit, ju përfundimisht fitoni peshë, ndiheni më shpesh të lodhur dhe keni pak energji, keni rritje te ndjeshmërisë ndaj të ftohtit, ju mund të përjetoni problem me kujtesën/vështirësi në të menduarit ose përqendrim (hipotiroidizmi shpesh diagnostikohet gabimisht si depresion), mund të jeni gjithnjë e më shumë më kapsllëk (probleme me lëvizjen e zorrëve), të keni urth dhe probleme të tjera me tretjen, gratë mund të kenë menstruacione të parregullt, vështirësi për të mbetur shtatzënë, hipotiroidizmi gjithashtu mund të çojë në mosfunksionim seksual si te burrat ashtu edhe të gratë. Simptomat tjera që mund ti keni janë ngurtësim i kyçeve dhe dhimbje të muskujve, zbehje ose fryrje e fytyrës, rënie ose rrallim i flokëve, lëkurë të thatë, ngadalësimi i rrahjeve të zemrës.
Si bëhet vendosja e diagonozës?
Vendosja e diagnozës bëhet në bazë të analizës së antitrupave specifikë kundër indit tiroid në gjak, si dhe në bazë të vlerave të hormoneve të tiroides dhe varet nga rezultatet laboratorike dhe simptomat.
Rezultatet laboratorike që tregojnë sëmundjen e Hashimotos përfshijnë rritjen e antitrupave anti-peroksidazë tiroide (anti-TPO), nivelet e ulëta të tiroksinës së lirë (FT4) dhe rritjen e hormonit stimulues të tiroides (TSH). Kur tiroidja është e demtuar apo nuk prodhon sa duhet tiroksinës (T4) hormoni tiroidostimulus (TSH) rritet për te tentuar normalizimin e funksionit te tiroides. Disa njerëz me sëmundjen e Hashimotos kanë gjithashtu rritje të antitrupave antitiroglobulinë (anti-Tg) dhe antitrupa bllokues të receptorit TSH (TBII).
Gjithashtu, rekomandohet kryerja e ultrasonografisë (ekos) së gjëndrës tiroide, pasi pacientët me tiroidit Hashimoto kanë një konstatim apo gjetje ultrasonografike specifike.
Si mjekohet Tiroiditi Hashimoto?
Trajtimi parësor është zëvendësimi i hormoneve tiroide. Tek pacientët e diagnostikuar me hipotiroidizëm, terapia për zëvendësimin e hormoneve me ilaçe mund të rregullojë nivelet e hormoneve dhe të rivendosë metabolizmin tuaj normal. Pasi të filloni trajtimin, mjeku juaj endokrinolog do të urdhërojë një analize laboratorik të hormonit stimulues të tiroides (TSH) për të monitoruar funksionin e tiroides dhe për t’ju ndihmuar të siguroheni që po merrni dozën e duhur, sa me të normalizuara të jenë këto vlera të TSH aq me afer mjekimit ideal dhe funksionit normal te gjendrës tiroide të demtuar ne jemi.
Përdorimi i rregullt i terapisë mund t’i kthejë nivelet e hormoneve të tiroides në normale dhe të përmirësojë simptomat.
Marrja e tepert e terapisë hormonale zëvendësuese mund të çojë në efekte të dëmshme, të tilla si aritmi (më e zakonshme është fibrilacioni atrial) dhe osteoporoza. Meqënëse troiditi kronik Hashimoto është një patologji kronike e tiroides ju duhet te jeni nën përcjelljen e mjekëve në vazhdimësi.
Si rregull trajtimi është medikamentoz, por rol të rendësishem luan edhe dieta. Personat me Hashimoto duhet të ushqehën me produkte që përmbajnë shumë jod sic janë produktet e detit, frutat e detit, peshqit, mishi, qumeshti, kosi, djathi, fruta etj. Nuk duhet konsumuar laker, lule laker, brokoli, fasule, bizele, rrepat,etj, sepse këto ushqime e pengojnë sintezen e hormonve tiroide.
Hulumtimet tregojnë se ndërprerja e disa ushqimeve, marrja e suplementeve dhe ndryshimi i stilit të jetesës mund të përmirësojë ndjeshëm simptomat dhe cilësinë e jetës.
Disa suplemente mund të ndihmojnë në uljen e inflamacionit dhe antitrupave të tiroides tek njerëzit me sëmundjen e Hashimotos.
Shtesat e dobishme përfshijnë:
Seleni- mund të ndihmojë në reduktimin e antitrupave të peroksidazës antitiroide (TPO) dhe përmirësimin e mirëqenies tek njerëzit me sëmundjen e Hashimotos.
Zinku- është thelbësor për funksionin e tiroides kur përdoret vetëm ose së bashku me selenin, marrja këtij minerali mund të përmirësojë funksionin e tiroides tek njerëzit me hipotiroidizëm.
Vitamina D- nëse jeni diagnostikuar me Hashimoto kani nivele dukshëm më të ulëta të vitaminës D sesa popullata e përgjithshme. Për më tepër, studimet lidhin nivelet e ulëta të vitaminës D me ashpërsinë e sëmundjes së Hashimotos, gjithashtu prireni të keni me pak vitaminë B12.
Magnezi- nivelet e ulëta të këtij minerali shoqërohen me një rrezik në rritje të sëmundjes së Hashimotos dhe rritje të antitrupave të tiroides, korrigjimi i mungesës së magnezit mund të përmirësojë simptomat.
Hekuri- njerëzit me sëmundjen e Hashimotos kanë më shumë gjasa të zhvillojnë anemi. Mund të ju nevojiten suplemente hekuri për të korrigjuar mungesën.
Suplemente të tjera si vaji i peshkut, acidi alfa-lipoik dhe N-acetil cisteina mund të ndihmojnë gjithashtu njerëzit me sëmundjen e Hashimotos.
Në vitin 2011 dr. Miranda përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, ku më pas ajo mori titullin Specialiste e Endokrinologjisë dhe Diabetologjisë në vitin 2021 nga Qendra Klinike Universitare e Prishtinës. Momentalisht, dr. Miranda është në përfundim të Doktoraturës në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës.
Për ta kontaktuar doktoreshën ndiqni këtë link https://www.facebook.com/avicenaks
Lexoni edhe
- A mund të jemi alergjik ndaj të ftohtit?
- A mund të jemi alergjik ndaj ujit?
- Temperatura tek fëmijët rreziqet dhe shkaktarët
- Si ta trajtojmë daljen e dhëmbëve tek fëmijët
- Kur duhet të kryhet analiza e Hemogramit?
- Cka është CRP dhe kur duhet të testohemi?