Gjyqi ndaj Thacit dhe te tjereve- Deshmitari i mbrojtur i ZPS

Gjyqi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari i mbrojtur rrëfen për strukturat komanduese të UÇK-së në Drenoc të Rahovecit

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur me kodin – W-04753 në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, po akuzohen mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: Përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte si: Arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Në seancën e së hënës, dëshmitari i radhës, me numër 31, u paraqit para gjykatës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe është dëshmitari i mbrojtur. Ai po merret në pyetje nga ana e Prokurorisë.

Prokurori Matt Halling theksoi se ky dëshmitar ka qenë ish-ushtar i UÇK-së dhe do të tregojë për strukturën komanduese në zonën e Drenocit.

Gjatë pyetjes mbi identitetin e komandantit në fund të majit të vitit 1998 në Drenoc, dëshmitari përmendi se ishte Xhemë Gashi dhe Mahir Hasani si zëvendës i tij. Dëshmitari gjithashtu bëri të ditur se këta dy persona, Mahir Hasani dhe Xhemë Gashi, i njohur edhe me nofkën “Gjermani”, nuk ishin vendas të Drenocit dhe nuk e dinte se kush i kishte sjellë atje.

Gjithashtu, prokurori Halling i paraqiti dëshmitarit një dokument që përmbante një intervistë të tij me Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Pas pyetjes së tij në lidhje me ndryshimet dhe saktësimet që kishte bërë në seancën përgatitore, këto dokumente dhe materiale mbështetëse u pranuan si prova nga trupi gjykues.

Paraprakisht, Gjykata ka miratuar kërkesën e Prokurorisë lidhur me kundërshtimin me 1000 fjalë si kundërpërgjigje ndaj mbrojtjes.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, njoftoi se dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë rreth 16 orë.

Për pyetje të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, do t’u nevojiten rreth një orë e gjysmë, ndërsa ekipet e mbrojtjes do të disponojnë 14 orë e gjysmë për të intervistuar dëshmitarin.

Seanca më tej kaloi në sesion privat për publikun.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.