Nebojsha Radosheviq, gazetar i lajmeve, 'Tanjug' duke deshmuar nw gjyqin kunder Thacit dhe te tjereve

Gazetari i 'Tanjug'-ut në kohën e luftës dëshmon në gjyqin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, po jepë dëshminë dëshmitari Nebojsha Radosheviq.

Radosheviq ka deklaruar se ka qenë gazetar i agjencisë serbe të lajmeve ”Tanjug” gjatë periudhës përkatëse.

Radosheviq ka pretenduar se ishte ndaluar për 41 ditë nga pjesëtarë të UÇK-së në vitin 1998, së bashku me fotografin e tij Vlladimir Dobriçiq.

Dëshmitari ka rrëfyer se ai ishte dënuar me 60 ditë burg për shkak se ka hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin e Kosovës dhe nuk ka pasur shenjë identifikauese.

“10 ditët e para kam qenë i ndaluar në një dhomë të veçantë me Vlladimir Dobriçiq. Aty kishte pajisje dentare, fotografi siç ka në zyrat e mjekëve. Unë isha në një dhomë, Dobriçiq ishte në një dhomë ndeje. Më pas pas 15 dite shkova aty. Me Dobriçiq kam qenë 31 ditë, ishim së bashku më nxorën të njëtit persona që kanë ardhur në dhomën time të njëtit persona që kanë qenë tek Dobriçiq”- ka deklaruar ai.

Dëshmitari ka thënë se Vlladimir Dobriçiq pasi ishin ndaluar ishte marrë në pyetje për 10 minuta, ndërkaq, intervista e tij kishte zgjatur diku 30 -40 minuta.

“Ai më foli për një rast në të njëjtin moment kur e kanë marr në pyetje, afër 10 minuta nuk e di ndoshta u çuditën me mua sepse isha i Prishtinës. Si përmledhje me Dobriçiq kanë kaluar 10 minuta kurse me mua 30 – 40 minuta”- pohoi mes tjerash dëshmitari.

Pas bisedës që kishte bërë me kameramanin, Vlladimir Dobriçiq, dëshmitari ka deklaruar se ai i kishte treguar se e kanë pyetur për një fotografi të Millosheviqit dhe të Ibrahim Rugovës.

“…unë i tregova çfarë më kanë pyetur mua, ai më tregoi se çfarë e kanë pyetur. Atë e kishin pyetur për fotografinë që e ka marr një fotografi me Millosheviqin. Por ai kishte edhe një fotografi me Ibrahim Rugovën ku e kishte bërë në një konferencë shtypi. Kjo ishte puna, këto ishin pyetjet”- ka thënë mes tjerash dëshmitari.

Nebojsha Radosheviq, tutje ka deklaruar se ai është dënuar pa ndonjë gjyq apo procedurë të zhvilluar dhe pa ndonjë avokat, ndërkaq ata ishin liruar për festën e flamurit kombëtar më 1998.

“Ditën e 6 – 7 na thanë se do ta mbanin gjyqin, ditën e 15 na thanë se nuk ishim spiunë dhe do të liroheshim, por nuk ndodhi ndërsa ne filluam një grevë urie…”- ka thënë dëshmitari.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.