Rohde: Rënie alarmante- mediat duhet të mbrohen e jo të kontrollohen

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar në lidhje me renditjen e Kosovës në Indeksin vjetor për lirinë e mediave.

Ndryshe nga viti i kaluar kur Kosova ishte renditur në vendin e 56-të, sivjet ka rënë në pozitën e 75-të, për 19 vende më poshtë.

Lidhur me këtë, ambasadori Rohde ka shkruar se me gjithë faktin që në Kosovë media e ka një pozitë të mirë në krahasim me ato në rajon, radhitja e fundit në raportin e Reporterëve pa Kufij, megjithatë tregon ‘rënie alarmante'”. Sipas tij, mediat duhet të mbrohen e jo të kontrollohen.

“Mediat shpesh përmenden si shtylla e katërt e demokracisë dhe duhet të mbrohen, jo të kontrollohen. Në Kosovë, media ka një pozitë të mirë në krahasimin rajonal. Megjithatë, raporti i sapo publikuar nga Reporterët pa Kufij tregon një rënie alarmante me 19 vende që nga viti i kaluar. Nevojitet një kthesë!”- ka shkruar ambasadori në X.

Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit Kosova mori lajmin e keq se ka shënuar rënie të dukshme në Indeksin vjetor për lirinë e mediave. Ndryshe nga viti i kaluar që Kosova renditej në vendin e 56-të, në këtë vit i është afruar 100-shit, saktësisht në pozitën e 75-të, duke rënë për 19 vende më poshtë.

Në raportin e Reporterëve pa Kufij për këtë gjendje fajësohen politikanët, pasi që përfundohet se gazetarët janë cak i sulmeve politike, duke përmendur disa nga rastet më të mëdha të çështjeve mediatike në Kosovë gjatë vitit 2023 dhe këtyre muajve të vitit 2024.

Ndër këto raste, në raportin e publikuar është specifikuar që Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), apo siç i është referuar në raport “rregullatori joefikas i mediave” po provon të reformojë veten.

Ndërkaq, kërcënim në spektrin mediatik e kanë cilësuar përzgjedhjen e drejtorit të RTK-së, duke iu referuar si aleat i afërt i partisë në pushtet- Vetëvendosjes. Nuk është përjashtuar as rasti i mediumit Klan Kosova, për të cilin është vlerësuar se ka qenë cak i sulmeve administrative nga Qeveria e Kosovës.

Përveç këtyre gjetjeve, në raport shkruan që është rritur numri i Padive Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike, të njohur si paditë SLAPP.

Një tjetër çështje që është cekur në raport është se në praktikë, Ligji për të drejtën e autorit nuk respektohet dhe qasja në informacion kërcënohet nga një projekt-ligj drakonian për rregullimin e medias dhe nga procedurat e nisura kundër një operatori telekomunikacioni.

Kosova shënon rënie të dukshme në lirinë e shtypit, ‘gazetarët cak i sulmeve politike’