Vrasja e Liridona Ademajt – Supremja merr vendim për masën e sigurisë ndaj të dyshuarit të katërt

I dyshuari i katërt, i cili sipas prokurorisë është i përfshirë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, T. D. do mbrohet në liri.

Liridona Ademaj ishte vrarë më 29.11.2023 në ora 20:25 në Rrugën “Dalip Alshiqi, dhe sipas prokurorisë dorasi ishte pajisur me armë dhe ishte inskenuar një grabitje.

Mbrojta në liri e T. D., do të bëhet pas vendimit të Gjykatës Supreme të datës 17.04.2024.

Supremja e ka aprovuar kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë që kishte bërë mbrojtësi i T. D., kundër vendimit të Themelores dhe të Apelit, vendime këto që kishin vendosur që të dyshuarin e katërt ta lënë në paraburgim.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Pas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të pandehurit T. D., të paraqitur kundër vendimit të Gjykatës Themelore Prishtinë dhe kundër vendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, Gjykata Supreme e Kosovës me datë 17.04.2024 ka marr vendim dhe ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit të Kosovës, ashtu që të pandehurit T. D. i është ndërprerë masa e paraburgimit dhe i njëjti është lëshuar të mbrohet në liri”- thuhet në përgjigjën e Gjykatës së Prishtinës.

Kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë është mjet i jashtëzakonshëm juridik i cili përdoret për të atakuar vendimin e formës së prerë nga Gjykata e Apelit. Përmes kërkesës për mbrojte të ligjshmërisë mund të evitohen shkeljet ligjore të ndonjë vendimi të formës së prerë.

T. D., gjendej nën masën e paraburgimit që nga data 11.12.2023.

I njëjti ishte arrestuar më 09.12.2024 për veprën penale “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve”.

Lidhur me këtë rast si të dyshuar të tjerë janë edhe Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava.

Të njëjtëve me vendimin e Gjykatës së Prishtinës të datës 23.04.2024 ju është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj.

Dosja e Prokurorisë

Sipas dosjes që kishte siguruar KALLXO.com, disa orë para se të vritej Liridona Ademaj, i dyshuari për rastin e organizimit të vrasjes së gruas së tij, Naim Murseli ishte takuar me të dyshuarin Kushtrim Kokalla duke i thënë “sot duhet të kryhet kjo punë”, duke aluduar në vrasjen e Ademajt.

Sipas dosjes së Prokurorisë, takimi kishte ndodhur në një qendër në Gjakovë në ora 9:30 minuta në mëngjes.

Ky takim kishte ndodhur si rrjedhojë e një takimi rreth një javë para natës kritike, kur Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën”.

“Kokalla ishte munduar t’i bëjë zgjidhje Murselit duke i thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë’”- thuhet në dosje.

“Naim Murseli i ka treguar të pandehurit Kushtrim për problemet e tij bashkëshortore, me tani të ndjerën Liridona Murseli, i pandehuri Kushtrim i ka thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë’ dhe ndërkohë janë marrë vesh për një aksident të inskenuar”- thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Kështu të dyshuarit kanë inskenuar një aksident të grabitjes, nga i cili kishte rezultuar më pas në vrasjen e Liridona Ademajt.

Sipas vendimit të gjykatës, Kushtrim Kokalla, Naim Murseli së bashku me Granit Plavën ishin takuar në një pompë të derivateve, dhe Plava i kishte treguar të dyshuarve se “merret me gjithçka”.

Pas këtij takimi Naim Murseli, kishte kërkuar numrin e telefonit të Granit Plavës nga Kushtrim Kokalla, i cili ia kishte dhënë numrin.

Sipas dosjes, Murseli i kishte thënë Kokallës se do të aranzhojë një takim me dorasin, që në këtë rast sipas prokurorisë dyshohet të jetë, Granit Plava.

Sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, Naim Murseli me qëllim që të privojë nga jeta bashkëshorten e tij, është marrë vesh me të pandehurin Granit Plava për të kryer këtë akt makabër.

Sipas dosjes, Naim Murseli kishte siguruar armën dhe e kishte pajisur më armë dorasin dhe kanë inskenuar një grabitje, inskenim i cili kishte ndodhur të mërkurën e 29 nëntorit 2023, rreth orës 20:25 në Rrugën “Dalip Alshiqi”.

Sipas dosjes, derisa Naim Murseli me bashkëshorten dhe dy fëmijët ishin në makinën e tyre, papritmas del para veturës i dyshuari Granit Plava me maskë në kokë dhe revole në dorë dhe sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri Naim Murseli me fëmijë kishte dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, Liridona Ademaj.

Ajo nuk kishte arritur të dilte nga vetura, pasi dyshohet se ishte qëlluar në pjesën e qafës më një plumb, duke mbetur e vdekur në vendin e ngjarjes.

Krejt ky inskenim, sipas dosjes së prokurorisë, ishte bërë pas një premtimi në shumë prej 30 mijë eurosh që Murseli i kishte bërë Plavës për kryerjen e këtij veprimi.

Ndaj Naim Murselit rëndon vepra penale e vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, kurse për Plavën rëndon vepra penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa për Kushtrim Kokallën marrëveshje për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar KËTU – LINK