Aktakuzë ndaj dy personave për aksidentin në autostradë në të cilin vdiqën tre persona

Prokuroria e Prizrenit më datë 02.05.2024 ka ngritur aktakuzë ndaj dy të dyshuarve, Irfan Hoti dhe Arlind Syla, për aksidentin tragjik në një garë automobilistike që ndodhi në autostradën “Ibrahim Rugova”, nga i cili aksident vdiqën tre persona.

Në këtë aksident i cili ndodhi më datë 16.12.2023, ishin goditur për vdekje këmbësorët – viktimat N. B., M. D. dhe L. S., të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës ilegale.

“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve A. S., dhe I. H., të cilët gjenden në paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31,  të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)” – thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Me rastin e ngritjes së aktakuzës, prokuroria i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Gjykata e Prizrenit më datë 29.04.2024 kishte konfirmuar për KALLXO.com se të akuzuarit Arlind Syla i është vazhduar masa e paraburgimit deri më 16.05.2024, kurse për të akuzuarin Irfan Hoti është vazhduar masa e paraqitjes në stacionin policor deri më datë 17.05.2024.

Prokuroria e Prizrenit kishte kërkuar gjykatës më datë 15.03.2024 që të akuzuarit Irfan Hoti t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me masën e paraqitjes në stacion policor për shkak të gjendjes shëndetësore, duke thënë se kushtet në qendër të paraburgimit i kishin vështirësuar edhe më shumë gjendjen e tij shëndetësore.

Vendimi ishte marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Teuta Krusha.

Gjykata në arsyetimin e vendimit të saj kishte theksuar se ka vlerësuar edhe masa tjera alternative për sigurimin e prezencës së pandehurve, mirëpo “ka ardhur në përfundim se në rastin konkret, vazhdimi i paraburgimit dhe masës së paraqitjes në stacion policor, janë të domosdoshme dhe të arsyeshme”.

Dosja e Prokurorisë: Si kishte ndodhur aksidenti?

Sipas dosjes së prokurorisë, të pandehurit ishin marrë vesh dhe kishin organizuar garë të kundërligjshme automobilistike.

Ata kishin lëvizur paralelisht me automjetet e tyre me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe dhe në një moment, i pandehuri i dytë me automjetin e tij i afrohet të pandehurit të parë, me ç’rast ky i fundit humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin e markës ‘’VW Golf’’, i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të autostradës.

Ndaj tyre rëndon akuza e rrezikimit të trafikut publik.

Sipas Kodit Penal nga neni 370, rrezikimi i trafikut publik që sjell për pasojë vdekjen e një apo më shumë personave, dënueshmëria minimale është 3 vite kurse ajo maksimale 12 vite.

“Nëse vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet” – përshkruhet në paragrafin 5 të nenit 370 të Kodit Penal.

Të lënduar rëndë nga ky aksident sipas Prokurorisë kishin mbetur edhe të dëmtuarit: M. Z., dhe B. P., si dhe lëndime të lehta trupore të dëmtuarit S. Z., të cilët gjithashtu ishin në vendin kritik duke ndjekur zhvillimin e garës së kundërligjshme.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar KËTU – LINK