
Vrasja e Liridona Ademajt, vendimi i fundit i Gjykatës ndaj Naim Murselit dhe dy të dyshuarve tjerë
Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava, të dyshuarit kryesor për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, me vendim të Gjykatës pritet që të qëndrojnë edhe për dy muaj të tjerë nën masën e paraburgimit.
Liridona Ademaj ishte vrarë më 29.11.2023 në ora 20:25 në Rrugën “Dalip Alshiqi”. Sipas prokurorisë dorasi ishte pajisur me armë dhe ishte inskenuar një grabitje.
Vazhdimin e masës së paraburgimit për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.
“Pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve N. M., G. P. dhe K. K., Gjykata Themelore në Prishtinë më datë 23.04.2024 ka marrë Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit tre të pandehurve ju është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”- tha Gashi për KALLXO.com.
Gjykata Themelore më 3 dhjetor (2023), kishte caktuar një muaj paraburgim për Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallajn. Vendim ky i marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake Sulltane Hoti.
Disa ditë pas ngjarjes, Policia e Kosovës arrestoi edhe një të dyshuar në lidhje me këtë rast. I arrestuari i katërt dyshohet se kishte shitur armën me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.
Dosja e Prokurorisë
Sipas dosjes që kishte siguruar KALLXO.com, disa orë para se të vritej Liridona Ademaj, i dyshuari për rastin e organizimit të vrasjes së gruas së tij, Naim Murseli ishte takuar me të dyshuarin Kushtrim Kokalla duke i thënë “sot duhet të kryhet kjo punë”, duke aluduar në vrasjen e Ademajt.
Sipas dosjes së Prokurorisë, takimi kishte ndodhur në një qendër në Gjakovë në ora 9:30 minuta në mëngjes.
Ky takim kishte ndodhur si rrjedhojë e një takimi rreth një javë para natës kritike, kur Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën”.
“Kokalla ishte munduar t’i bëjë zgjidhje Murselit duke i thënë “unë ta zgjidhi këtë punë””- thuhet në dosje.
“Naim Murseli i ka treguar të pandehurit Kushtrim për problemet e tij bashkëshortore, me tani të ndjerën Liridona Murseli, i pandehuri Kushtrim i ka thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë’ dhe ndërkohë janë marrë vesh për një aksident të inskenuar”- thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Kështu të dyshuarit kanë inskenuar një aksident të grabitjes, nga i cili kishte rezultuar më pas në vrasjen e Liridona Ademajt.
Sipas vendimit të gjykatës, Kushtrim Kokalla, Naim Murseli së bashku me Granit Plavën ishin takuar në një pompë të derivateve, dhe Plava i kishte treguar të dyshuarve se “merret me gjithçka”.
Pas këtij takimi Naim Murseli, kishte kërkuar numrin e telefonit të Granit Plavës nga Kushtrim Kokalla, i cili ia kishte dhënë numrin.
Sipas dosjes, Murseli i kishte thënë Kokallës se do të aranzhojë një takim me dorasin, që në këtë rast sipas prokurorisë dyshohet të jetë, Granit Plava.
Sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, Naim Murseli me qëllim që të privojë nga jeta bashkëshorten e tij, është marrë vesh me të pandehurin Granit Plava për të kryer këtë akt makabër.
Sipas dosjes, Naim Murseli kishte siguruar armën dhe e kishte pajisur më armë dorasin dhe kanë inskenuar një grabitje, inskenim i cili kishte ndodhur të mërkurën e 29 nëntorit 2023, rreth orës 20:25 në Rrugën “Dalip Alshiqi”.
Sipas dosjes, derisa Naim Murseli me bashkëshorten dhe dy fëmijët ishin në makinën e tyre, papritmas del para veturës i dyshuari Granit Plava me maskë në kokë dhe revole në dorë dhe sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri Naim Murseli me fëmijë kishte dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, Liridona Ademaj.
Ajo nuk kishte arritur të dilte nga vetura, pasi dyshohet se ishte qëlluar në pjesën e qafës më një plumb, duke mbetur e vdekur në vendin e ngjarjes.
Krejt ky inskenim, sipas dosjes së prokurorisë, ishte bërë pas një premtimi në shumë prej 30 mijë eurosh që Murseli i kishte bërë Plavës për kryerjen e këtij veprimi.
Ndaj Naim Murselit rëndon vepra penale e vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, kurse për Plavën rëndon vepra penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa për Kushtrim Kokallën marrëveshje për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar KËTU – LINK