Rektorati i Universitetit të Prishtinës. FOTO: Universiteti i Prishtinës/Facebook.

Rishpallet konkursi për rektorin e ri të UP-së

Pasi asnjë nga katër burrat që garuan për rektor të Universitetit të Prishtinës nuk i morën votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur rektor, Këshilli Drejtues i UP-së e ka rishpallur konkursin për këtë pozitë.

Sefer Avdiaj, Isak Shabani, Faton Berisha dhe But Dedaj, ishin kandidatët për rektor të UP-së që garuan në konkursin e parë të shpallur më 07.05.2024.

Këshilli Drejtues i UP-së brenda ditës i pati intervistuar dhe votuar këta kandidatë për rektor, më 03.07.2024.

Votimi ka kaluar në tre raunde për shkak se asnjëri prej kandidatëve për rektor të ri të UP-së, nuk fitoi shumicën e votave në raport me numrin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së.

Edhe pas këtyre tri raundeve të votimit, Këshilli Drejtues i UP-së nuk arriti ta zgjedhë rektorin e ri të UP-së.

Sipas njoftimit të UP-së, konkursi i ri për rektor do të jetë i hapur deri më 22.07.2024, në ora 16:00.

Po ashtu në këtë konkurs thuhet se emërimi i rektorit bëhet për një mandat katër vjeçar me mundësi të rizgjedhjes edhe për një mandat. Mandati i rektorit të ri do të fillojë më 1 tetor.

Prej kritereve të konkursit, kërkohet që kandidati nuk duhet të ketë qenë në pozita udhëheqëse në ndonjë parti politike apo listë zgjedhore në nivel qendror e lokal në tri vitet e fundit.

Gjithashtu kërkohet që kandidati të ketë përvojë të dëshmuar akademike, kërkime shkencore dhe të ketë gradën e profesorit të rregullt, si dhe të ketë përvojë të dëshmuar menaxhuese universitare.

Për më shumë informata se cilat dokumente duhen për të aplikuar në këtë konkurs dhe për kriteret tjera, mund t’i gjeni në këtë LINK.

Në anën tjetër, rektori aktual Qerim Qerimi ishte zgjedhur më 21.11.2022 dhe mandati i tij përfundon në shtator të vitit 2024.

Këshilli Drejtues përbëhet nga nëntë anëtarë, shtatë prej tyre burra dhe dy gra: Altin Sahiti (kryetar), Arbëresha Nela Turjaka ( zëvendëskryesuese e KD-së) dhe anëtarët: Azem Hajdari, Arian Krasniqi, Naser Kabashi, Hajrullah Koliqi, Selim Bezeraj, Rifat Krasniqi dhe Arta Shehu Zaimi.

Në konkursin e parë ka kandiduar edhe e vetmja grua për rektore të UP-së, Gjyljeta Mushkolaj, profesoreshë në Fakultetin Juridik. Por, Mushkolaj u tërhoq nga kandidimi për këtë pozitë.

Më 03.06.2024, Mushkolaj ka treguar për KALLXO.com se vendimin për t’u tërhequr nga kandidimi për rektore të UP-së e mori pasi që u përzgjodh për të qenë pjesë e një ekipi ndërkombëtar të studiuesve për një kërkim shkencor.

Sa i përket kandidatëve tjerë, Sefer Avdiaj është prorektor për kërkime, projekte, inovacion dhe informacion. Avdiaj është edhe profesor i rregullt në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore në UP, në departamentin e Fizikës.

Faton Berisha është prorektor për personel akademik, integritet dhe botime. Edhe Berisha është profesor i rregullt në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore në UP.

Isak Shabani është dekan në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në UP dhe së fundmi është zgjedhur për një mandat tjetër të dekanit në këtë Fakultet.

But Dedaj është profesor në Fakultetin Ekonomik të UP-së.