Procesi i intervistimit të kandidatëve për rektor të UP-së/ Foto: Arbrita Uka
Brenda ditës, Universiteti i Prishtinës interviston dhe voton kandidatët për rektor
Katër kandidatët burra që garojnë për rektor të Universitetit të Prishtinës, janë duke u intervistuar për këtë pozitë.
Pretendentët për rektor të UP-së janë: Sefer Avdiaj, Isak Shabani, Faton Berisha dhe But Dedaj.
Kryesuesi i Këshillit Drejtues të UP-së, Altin Sahiti, e ka konfirmuar për KALLXO.com se pas intervistimit kandidatët për rektor do të votohen se cili prej tyre do të zgjedhet për këtë pozitë.
Përveç këtyre kandidatëve, në fillim ka kandiduar edhe e vetmja grua për rektore të UP-së, Gjyljeta Mushkolaj, profesoreshë në Fakultetin Juridik.
Por, Mushkolaj u tërhoq nga kandidimi për këtë pozitë.
Më 03.06.2024, Mushkolaj ka treguar për KALLXO.com se vendimin për t’u tërhequr nga kandidimi për rektore të UP-së e mori pasi që u përzgjodh për të qenë pjesë e një ekipi ndërkombëtar të studiuesve për një kërkim shkencor.
Në anën tjetër, Sefer Avdiaj është prorektor për kërkime, projekte, inovacion dhe informacion. Avdiaj është edhe profesor i rregullt në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore në UP, në departamentin e Fizikës.
Kandidati tjetër Faton Berisha është prorektor për personel akademik, integritet dhe botime. Edhe Berisha është profesor i rregullt në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore në UP.
Isak Shabani është dekan në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në UP dhe së fundmi është zgjedhur për një mandat tjetër të dekanit në këtë Fakultet.But Dedaj është profesor në Fakultetin Ekonomik të UP-së.
Avdiaj dhe Dedaj kishin kandiduar për pozitën e rektorit edhe në vitin 2022, kur u zgjodh rektori aktual i UP-së, Qerim Qerimi.
Rektori aktual Qerim Qerimi ishte zgjedhur më 21.11.2022 dhe mandati i tij përfundon në shtator të vitit 2024.
Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës kishte njoftuar për hapjen e konkursit për zgjedhjen e rektorit të ri të UP-së, më 08.05.2024.
Sipas njoftimit, konkursi ka qenë i hapur nga data 07.05.2024 deri më 21.05.2024.
Disa kritere të konkursit ishin që kandidati nuk duhet të ketë qenë në pozita udhëheqëse në ndonjë parti politike apo listë zgjedhore në nivel qendror e lokal në tri vitet e fundit.Po ashtu si kriter është kërkuar që të ketë përvojë të dëshmuar akademike, kërkime shkencore dhe të ketë gradën e profesorit të rregullt; apo të ketë përvojë të dëshmuar menaxhuese universitare.