Mbledhja e Këshillit Drejtues në UP, 04.06.2026, Foto: KALLXO.com

Në Këshillin Drejtues të UP-së u diskutua sanksionimi në pagë i profesorëve që nuk mbajnë mësim

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës e pati në rend dite sot, më 04.06.2026, të merrte vendim për sanksionim në pagë të stafit akademik për mosrealizimin e procesit mësimor.

Mirëpo, kjo pikë vetëm u diskutua mes anëtarëve të Këshillit dhe rektorit Arben Hajrullahu, pra nuk u hodh në votim për miratim, pasi u kërkua që të plotësohej nga rektori me dispozita të Rregullores në fuqi për të ardhurat dhe kompensimin e personelit akademik në UP.

Altin Sahiti, kryetar i Këshillit Drejtues të UP, tha se Hajrullahu kishte bërë kërkesë për marrjen e këtij vendimi.

Kurse, rektori i UP-së tha se në njësi të caktuara akademike kanë problem më shumë me evidentimin e mësimit dhe përmendi projektin e evidentimit elektronik të mësimit përmes disa QR code, i cili tha se ka pasur vështirësi.

Sipas Hajrullahut, ka pasur ankesa që të mos evidentohej vijimi i mësimit përmes QR code sa që profesorët, sipas tij, kanë kërkuar që Universiteti t’u blinte telefonë për ta kryer këtë evidentim.

“Është paraparë buxheti i aparateve, mbi 200 aparate pritet me u instalu tash në ndërtesën e re të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë. Në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Fakultetin e Arteve janë prijtarë, madje në Mjekësi, në shumicën e vendeve nuk ka, as aparate hiç edhe në Fakultet të Arteve.” – u tregoi Hajrullahu anëtarëve të Këshillit Drejtues.

“Aparatet do të montohen dhe prej 15 shtatorit pagesat për mbajtjen ose mosmbajtjen e mësimit do të realizohen vetëm dhe vetëm përmes dëshmive të SEMS-it [Sistemit Elektronik të Menaxhimit të Studentëve]. Ka raste kur përjashtimisht nuk mund të identifikohen, p.sh. dikush në terren.” – shtoi Hajrullahu.

Fakulteti i Arteve dhe Fakulteti i Mjekësisë, Hajrullahu vlerësoi se “janë më shumë jashtë kontrollit sesa nën kontroll”.

Ai tha se më parë, UP ka pasur politika që përcaktonin tarifa se sa të sanksionoheshin profesorët nëse nuk e mbanin mësimin.

Hajrullahu kërkoi që këto vendime të rikthehen.

Ai madje propozoi që profesorët të cilët nuk e mbajnë mësimin të sanksionohen me 100 euro, kurse asistentët me 50 euro. 

“Nuk është ideja me i ndëshku, por me i disiplinu.” – theksoi Hajrullahu.

“Prej shtatorit do t’i njoftojmë të gjithë se pagesat ekzekutohen vetëm se është lidhë SEMS-i me zyrën e financave dhe kjo zyrtarja e financave veç e nxjerr raportin edhe procedohet, në qoftë se ka përjashtime, atëherë evidentohet ajo përmes procedurave në kuadër të dekanit.” – shtoi ai.

Mimoza Ibrani, anëtare e Këshillit Drejtues, tha se gjithmonë çështjet e sanksionimit për mosrealizimin e detyrave të punës kanë qenë të rregulluara me Rregulloren për të ardhurat financiare të profesorëve.

“Për shkak të mospërmbushjes së paarsyetuar të detyrave të punës, si: mosmbajtja e ligjëratave dhe ushtrimeve, provimeve, mospjesëmarrja në mbledhje të organeve kolegjiale (këshillit), komisioneve, departamentit, mentorimin e temave dhe detyrave të tjera, dekani apo dekania e njësisë akademike ka të drejtë të nxjerrë vendim për shqiptimin e ndalesës së kompensimit të personelit akademik deri në 15% të pagës bazë. Rektori ose rektorja mund të shqiptojë masa të tilla ndaj dekanëve dhe vartësve të tjerë në nivel të UP-së.” – thuhet në paragrafin 1 të nenit 18 të Rregullores 1/279 të datës 03.06.2025 të UP-së.

Kurse, në paragrafin 2 të këtij neni, përcaktohet që “Ndalesa e kompensimit duhet të jetë e arsyetuar dhe të mbështetet në prova të dokumentuara, që vërtetojnë mospërmbushjen e detyrave të punës pa arsye të justifikuar.”

Rregullorja 1/279 e datës 03.06.2025 e UP-së

Tutje, Vjosa Fejza-Ademi, anëtare e Këshillit Drejtues, përmendi se ka raste kur profesorët dhe studentët e evidentojnë hyrjen në ligjëratë dhe dalin bashkë gjatë kësaj kohe për kafe, pastaj ajo tha kthehet një student me kartelat identifikuese të të tjerëve dhe e evidenton daljen nga ligjërata për të gjithë.

“Te na [në Fakultet Ekonomik] fatmirësisht nuk janë numër i madh, një numër i vogël është, po që është. Kur ishin në mësim klasa ngjitur, unë mbaja tri orë, në orar ishte me përfundu me mua. E kryjke për 20 minuta, kur e kryjsha unë, vijke një student me 20-30 kartela bashkë edhe me të profesorit, check-out [dalje nga ligjërata] me ia ba.” – deklaroi Fejza-Ademi.

Kryetari Altin Sahiti tha se është mirë ta shohin arsyeshmërinë ligjore të kërkesës së rektorit për këtë vendim.

Sahiti mendon se çështja e sanksionimit të profesorëve mbetet në diskrecion të atij që e menaxhon fakultetin, pra dekanit. 

“Profesori në krejt botën ka fleksibilitet, po jo fleksibilitet mos me mbajtë mësimin… Dekanëve duhet t’u tregosh qysh po mendojmë ne, me ua rikujtu, që jo me ardh në 8:00 e me ba në 4:00 check-out (daljen nga puna), po vetëm mbarëvajtjen e mësimit me u siguru që po mbahet. Se i di shumë raste edhe neve na kanë ardhë sinjalizime më herët që a e dini ku është filan profesori.” – theksoi Sahiti.

Kështu, mbeti që rektori Hajrullahu t’ua riparaqiste kërkesën për këtë sanksionim në pagë të plotësuar dhe konform Rregullores për të ardhurat dhe kompensimin e personelit akademik të datës 03.06.2025.  

Këshilli Drejtues i UP përbëhet nga: Altin Sahiti (kryetar), Arbëresha Nela- Turjaka (zëvendëskryetare) dhe anëtarët – Myesere Hoxha, Berenika Gashi, Arian Krasniqi, Teuta Jashari- Kajtazi, Mimoza Ibrani, Vjosa Fejza- Ademi dhe Kurtesh Sherifi.

Në mbledhjen e datës 04.06.2026, munguan Berenika Gashi dhe Kurtesh Sherifi. Kurse, Arian Krasniqi është kyqur online.

Në anën tjetër, ekipi i KALLXO.com e vizitoi Fakultetin e Mjekësisë më 04.03.2025 për t’u informuar se si është gjendja e qasjes në internet dhe evidentimit të vijimit të ligjëratave dhe ushtrimeve nga studentët e profesorët përmes QR code.

Në disa hapësira të Fakultetit të Mjekësisë në të cilat KALLXO.com ka provuar ka pasur qasje në internet. Ndërkaq, QR code-t janë parë të vendosura brenda sallave të mësimit.

Në atë kohë, studentët u ankuan për këto probleme që kanë hasur në procesin e evidentimit përmes QR code, si: mungesa e internetit në disa salla të mësimit, i cili është i nevojshëm për t’u evidentuar; probleme teknike në SEMS, si dhe probleme me telefonët e studentëve.

Evidentimi i vijimit të ligjëratave me QR code në UP, studentët u ankuan për mungesë të internetit