Studentët e UP-së mbështesin ata të Maqedonisë së Veriut, do të protestojnë në Kosovë për provimin e jurisprudencës
Pas dy protestave të studentëve shqiptarë në Maqedoni të Veriut, kundër mbajtjes së provimit të Jurisprudencës vetëm në maqedonisht, pritet një protestë e radhës për datën 05.06.2026, por këtë herë në Kosovë.
Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës e ka thirrur këtë protestë që do ta mbajnë para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në ora 14:00.
“Ne, studentët e Kosovës, ju ftojmë t’i bashkoheni protestës paqësore para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Kosovë, për të ngritur zërin kundër cenimit të së drejtës së përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës dhe në të gjitha provimet e tjera shtetërore në Maqedoninë e Veriut.”- thuhet në njoftim.
Sipas Parlamentit Studentor, Gjuha shqipe nuk është privilegj, por e drejtë e qindra mijëra shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Ne besojmë se arsimi, profesioni dhe e ardhmja e të rinjve nuk duhet të pengohen nga barriera gjuhësore të vendosura padrejtësisht. Prandaj, ftojmë të gjithë studentët, organizatat studentore, shoqërinë civile dhe qytetarët që të bashkohen me ne.”- kanë shtuar ata.
Kjo nuk është hera e parë që Parlamenti Studentor i UP-së i përkrah studentët e Maqedonisë së Veriut, të cilët duan që provimin e Jurisprudencës ta japin në gjuhën shqipe.
Ata madje u panë se morën pjesë dhe ngritën zërin edhe në protestën e dytë që u mbajt më 18.05.2026.
Bekim Sali, zëvendëskryeministri i parë në Maqedoni të Veriut, në një intervistë për Alsat m, më 01.06.2026, ka deklaruar se studentët do të mund të japin pjesën teroike të provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe me kërkesë të tyre.
Sali ka shpjeguar se Jurisprudenca ka shtatë provime, prej tyre, pesë provime teorike dhe dy provime në të cilat kombinohet pjesa praktike me atë teorike.
“A do të mundet kandidati i cili nesër të jetë gjykatës të mundet të trajtojë një temë, një çështje, situatë dhe zgjidhje gjyqësore në gjuhën shqipe apo maqedonase për shkak se materialet që i jepen kandidatit për ta dhënë provimin i jepen në gjuhën maqedone.” – ka thënë Sali.
Dhjetëra studentë u mblodhën tek Ura e Gurit në Shkup dhe filluan protestën nga ora 16:30, më 18.06.2026.
Protesta e dytë e studentëve në Shkup, kërkojnë që Provimi i Jurisprudencës të mbahet edhe në shqip
Studentët po kërkojnë respektimin e Ligjit për Gjuhët dhe të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndonëse gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në këtë shtet.
Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrimet “Stop diskriminimit institucional”, “Respekto Ligjin për Gjuhët”, “Kjo gjuhë ka dëshmorë pas vetes” dhe një numër flamujsh kuq e zi.
Kurse, studentët e UP-së u panë në këtë protestë me pankarta si “Prishtina nuk hesht!”.
Disa orë para fillimit të kësaj proteste, BIRN publikoi artikullin me titull “Protesta për Provimin e Jurisprudencës rikthen debatin për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut”.
Gjuha shqipe hyri në përdorim zyrtar në Maqedoninë e Veriut kryesisht në nivel komunal gjatë viteve 2008-2009, në bazë të marrëveshjes së paqes të arritur në vitin 2001 për t’i dhënë fund muajve të përplasjeve ndërmjet guerilëve shqiptarë etnikë dhe forcave shtetërore të sigurisë.
Ligji për Përdorimin e Gjuhëve i vitit 2019 e bëri përdorimin e saj standard edhe në nivel shtetëror, në të njëjtin nivel me maqedonishten, duke zgjeruar përdorimin e shqipes në arsim, shkencë, shëndetësi dhe sektorë të tjerë.
Asnjë prej këtyre ligjeve nuk e përmend shprehimisht “gjuhën shqipe”, por i referohet çdo gjuhe që flitet nga të paktën 20 për qind e popullsisë. Sipas regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut në vitin 2022, shqiptarët përbëjnë 24.3 për qind të popullsisë.
Studentët argumentojnë se ligji u jep të drejtën ta japin Provimin e Jurisprudencës në shqip dhe në janar dorëzuan një peticion me 385 nënshkrime në Ministrinë e Drejtësisë, parlament, qeveri dhe institucione të tjera përkatëse.
Qeveria është përpjekur të shmangë dhënien e një përgjigjeje të drejtpërdrejtë, duke iu referuar shqetësimeve më të gjera ligjore që lidhen me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe sfidave të vazhdueshme ndaj përmbajtjes së tij në Gjykatën Kushtetuese. Partia VMRO-DPMNE e kryeministrit Hristijan Mickoski kishte kundërshtuar ligjin e vitit 2019, i cili u miratua kur ajo ndodhej në opozitë.
Kryeministri Mickoski ka përmendur një opinion të marsit 2025 nga Komisioni i Venecias, organ këshillues i Këshillit të Evropës për çështjet kushtetuese, në të cilin theksohet nevoja për “burime shtesë administrative dhe/ose financiare” për të garantuar një sistem gjyqësor dygjuhësh.
Kjo protestë u mbajt pas asaj që mblodhi qindra studentë të Universitetit të Europës Juglindore dhe Universitetit të Tetovës në Shkup më 06.04.2026.