Ilustrimi: KALLXO.com

LVV s'hapet për bashkëpunim, liderët e opozitës zhvillojnë takime larg vëmendjes së publikut

Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, nuk ka dhënë asnjë sinjal se do të hapet për bashkëpunim me ndonjërën nga partitë që kanë qenë në opozitë gjatë legjislaturës së tetë, me qëllim që ta bëjë shumicën në Kuvend për votimin e Qeverisë së re.

Tash, kur po bëhen gati një muaj e gjysmë nga dita e Zgjedhjeve nuk ka asgjë konkrete as nga ana e “partive të refuzuara” nga lideri i LVV-së, Albin Kurti. Megjithatë, takime mes tyre ka, veçse ato po zhvillohen larg vëmendjes së publikut.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shprehur publikisht për një Qeveri të opozitës.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka pasur në vazhdimësi një qëndrim të paqartë, duke deklaruar se respekton vendimin e qytetarëve dhe se është në opozitë, megjithatë tanimë është konfirmuar se lideri i saj, Lumir Abdixhiku ka filluar takime me partitë e tjera opozitare.

NISMA Socialdemokrate, e cila ka fituar 3 mandate në Kuvend, ka qenë e vetmja që nuk është treguar përjashtuese për bashkëpunim me LVV-në.

Bisedimet fillestare të opozitës

Nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri, më 19.03.2025 ka konfirmuar se Abdixhiku ka pasur takime me liderët e partive të tjera opozitare.

“Asnjëherë nuk ka biseduar me LVV-në këto javët e fundit. Ka iniciativë me partitë e tjera politike që vijnë nga opozita, ajo iniciativë ka shkaktuar takime, me Hamzën, Memli Krasniqin, Ramush Haradinajn.” – deklaroi ai në emisionin Click në RTV 21.

Blerta Deliu-Kodra, anëtare e Kryesisë së PDK-së i ka konfirmuar për KALLXO.com këto takime, ndonëse ka thënë se ato janë vetëm në fazë fillestare dhe se ende nuk ka grupe punuese të formuara mes partive.

“Të mërkurën kemi pasë një takim të Kryesisë dhe krejt çka kemi diskutu është që… ju e dini që ka pasë një takim, e kanë konfirmu edhe vetë Kryetari i partisë dhe zotëri Hamza. Deri më tani nuk ka ndonjë Komision me përbërje të partive, sepse është çështje e lidershipit, e liderëve për mënyrën se si do të dizajnohen takimet të cilat po mbahen tash me partitë opozitare.” – deklaroi Deliu-Kodra.

E pyetur se a është arritur marrëveshje për ndonjë çështje mes liderëve – qoftë edhe marrëveshje ‘gjentelmene’ – ajo ka deklaruar se ende nuk ka diçka konkrete.

“Jo nuk ka pasë. Takimet e deritashme janë takime fillestare që me u koordinu rreth zhvillimeve të mëtutjeshme. Natyrisht ne presim deri në fund që të ketë certifikim të rezultateve, deri në procedurat për thirrjen e seancës, por nuk ka ndonjë marrëveshje përveç takimeve që janë tashmë publike.” – ka shtuar Deliu-Kodra.

KALLXO.com ka tentuar që të marrë detaje shtesë rreth këtyre takimeve edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por Zëdhënësi dhe disa Nënkryetarë të kësaj partie nuk kanë qenë të qasshëm.

Ndërkohë, një burim brenda Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka konfirmuar takimet e Haradinajt me Memli Krasniqin, Bedri Hamzën e Lumir Abdixhikun. Me këtë të fundit, ai thotë se takimi është zhvilluar të hënën, më 17.03.2025.

Tutje, ky burim ka thënë se takimet janë në nivel liderësh dhe se ende nuk kanë arritur në fazën e krijimit të grupeve punuese.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zyrtarë të NISMA-s për t’i pyetur se a do t’i bashkoheshin një Qeverie opozitare, apo janë ende të hapur për bashkëpunim me VV-në, edhe pse zyrtarisht VV-ja nuk i ka ftuar të bisedojnë, por nuk ka marrë një qëndrim nga ana e tyre.

“Paqartësia” e Abdixhikut

Tashmë është konfirmuar se lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku është takuar me liderët e PDK-së dhe AAK-së.

Megjithatë pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, të mbajtur më 10.03.2025, ai pati thënë se nuk futet në një Qeveri që LDK nuk e ka pozitën e Kryeministrit dhe nuk futet në një Qeveri afatshkurtër – pa u siguruar edhe zgjidhja e çështjes së Presidentit.

Abdixhiku ishte shprehur se nuk bashkëpunon me Vetëvendosjen.

“Unë dhe askush nga njerëzit e autorizuar të LDK-së nuk ka pasë asnjë kontakt me asnjë parti politike, sepse të parit i takon afati kushtetues dhe të tjerët nuk mund të mblidhen për një afat që nuk iu takon dhe e dyta ne nuk besojmë në një Qeveri që ka afat të shkurt; nuk mund të jemi pjesë e një Qeverie për gjashtë muaj, apo shtatë muaj të ardhshëm. Nuk kemi interesa të pozicioneve këtu.” – kishte thënë ai, më 10.03.2025.

Por, si mund të interpretohet kjo? Për të qenë në një Qeveri afatgjate duhen 80 deputetë për të bërë kuorumin për të zgjedhur Presidentin e ri në prill 2026. Në rast të një Qeverie të opozitës më 24 deputetë të PDK-së, 20 të LDK-së, 5 të AAK-së, 3 të NISMA-s dhe 20 të komuniteteve joshumicë, të gjithë së bashku bëhen 72, e që i bie që zgjedhja e Presidentit të ri është e pamundur pa Vetëvendosjen.

Qëndrimi i LVV-së

Vetëvendosje nuk ka filluar zyrtarisht negociata me asnjë parti për të formuar Qeverinë e re, pavarësisht se ka dalë e para në Zgjedhje.

KALLXO.com ka dërguar pyetje te partia e parë në Zgjedhje për të marrë vesh se a kanë filluar të biesdojnë me ndonjërën parti për të bashkëpunuar dhe se me cilën parti e shohin vetën më të arfërt, por zëdhënësi i kësaj partie, Arlind Manxhuka, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.

Kryeministri Albin Kurti, i pyetur më 10.03.2025 për kushtet e vendosura të partive të komuniteteve për marrëveshje, pati thënë se një herë presin certifikimin e rezultatit të Zgjedhjeve.

“Së pari rezultatet përfundimtare, pastaj certifikimi, pastaj bisedimet, pastaj Qeveria e udhëhequr nga Vetëvendosje dhe unë.” – kishte thënë Kurti.

Qëndrimet e mëhershme të partive

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, në orët e vona të së dielës së 9 shkurtit e shpalli fitoren, ndonëse përqindja e votave të fituara në Zgjedhjet parlamentare nuk i japin hapësirë për të qëndruar komod, se mund ta bëjë Qeverinë vetëm me partnerët e koalicionit: Listën Guxo dhe Alternativën.

Kryeministri aktual kishte shfaqur bindjen se mund t’ia dalë pa opozitën. “Ne jemi subjekti fitues, që do të formojë Qeverinë e ardhshme.” – ishte shprehur Kurti në festën e simpatizantëve të LVV-së, të organizuar pas mesnatës në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë.

PDK, si partia e dytë fituese në këto Zgjedhje, ndonëse fillimisht nuk ka vënë vija të kuqe për koalicion me LVV-në, e ka qartësuar pozicionin e saj më 10.02.2025 – duke i thënë “Jo” një oferte të mundshme nga partia e Kurtit.

Kandidati për Kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza tha se nuk do të përfshihen në asnjë koalicion me VV-në.

“Më obligon mua që të sillemi ashtu që ta respektojmë vullnetin e shumicës për ndryshim. Nuk do të përfshihemi në asnjë koalicion me VV-në. Ata duan pushtet absolut.” – tha ai, në një Konferencë për media, më 10.02.2025.

Ndryshe prej PDK-së, LDK-ja dhe AAK-ja e kishin përjashtuar qysh në orët e para, pas mbylljes së kutive të votimit, mundësinë për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje. Derisa lideri i AAK-së Ramush Haradinaj e shtyn përpara idenë e krijimit të Qeverisë nga partitë opozitare, lideri i LDK-së Lumir Abdixhiku ka paralajmëruar pozicionimin në opozitë.

Ramush Haradinaj tha se do të ndihmojë një Qeveri të opozitës, e assesi koalicion me VV-në.

“Ne e shohim që në këtë politikë që e kam udhëheq, si ndaj mashtruesit që e udhëheq Kosovën, pra Qeverisë mashtruese, mendoj që është në nderin tim që të ndihmoj një Qeveri të opozitës, e assesi koalicion me VV-në.” – tha Haradinaj, në një Konferencë për media, më 10.02.2025.

Lidhja Demokratike e Kosovës në një farë forme e pranoi humbjen në këto Zgjedhje dhe nuk përmendi mundësi që të jetë në pozitë.

“Përgjegjësinë për fushatën e marr unë dhe i jap llogari vetëm LDK-së dhe qytetarëve që kanë votuar për LDK-në. Dritë do të ketë në Kosovë. Ky është rezultat demokratik. Kemi një rritje të theksuar, ndonëse jo të kënaqshme dhe jo në përmasa të asaj që kemi pritur.” – tha kandidati për Kryeministër nga LDK-ja, Lumir Abdixhiku, në një Konferencë për media, më 09.02.2025.

Vijat e kuqe para Zgjedhjeve

“Jo me Vetëvendosjen” ka qenë paralajmërimi i të gjitha partive opozitare për mundësinë e ndonjë koalicioni paszgjedhor për krijimin e Qeverisë së re. “Jo me partitë opozitare” – ka qenë edhe qëndrimi i LVV-së.

Kryeministri aktual, Albin Kurti, i cili është edhe kandidat i VV-së për Kryeministër, kishte deklaruar se partitë opozitare (PDK, LDK dhe AAK) janë të pareformuara.

“Kur e kemi parasysh se sidomos në muajt e fundit sulmet që janë bërë ndaj subjektit tonë, ndaj qeverisjes së mirë dhe demokratike, nuk shohim mundësi që të kemi çfarëdo koalicioni në mandatin tjetër. Për më tepër, që nuk do të jetë as i nevojshëm.” – kishte deklaruar Kurti në një intervistë për Kosova Press, më 06.01.2025.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në një intervistë në emisionin Pressing, më 27.01.2025, ka thënë se ka hendek të madh mes PDK-së dhe LVV-së.

“Ne kemi dallime esenciale, jo vetëm për të kaluarën, por edhe për të ardhmen. Nuk ka hapësirë për të pasë një Qeveri mes PDK-së dhe VV-së, sepse dallimet tona janë të jashtëzakonshme. Nuk jemi në garë për me u kthy në pushtet për hir të pushtetit. Ne preferojmë me pasë një Qeveri të re me opozitën aktuale.” – ka deklaruar Krasniqi, më 27.01.2025.

Arben Gashi, kandidat për Deputet nga LDK-ja, në emisionin “Debat Përnime” ka thënë se nuk e shohin në asnjë formë si partnere partinë e cila aktualisht udhëheq Kosovën.

“Është pyetje ekskluzive për Kryetarin e partisë, por Kryetari i partisë ka deklaruar publikisht që nuk e sheh në asnjë formë partner qeverisës Vetëvendosjen (LVV). Në asnjë formë bashkëpunim me LVV-në, për këto rrethana momentale.” – tha Gashi, në DebatPërnime, më 06.02.2025.

Kurse, Ramush Haradinaj kishte përjashtuar çdo mundësi për koalicion paszgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje. Ai i konsideron si partnerë partitë opozitare: Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

“Unë punoj për një Qeveri që e udhëheqi unë, por nëse nuk mjafton vota e këtij koalicioni, i konsideroj partnerë partitë e opozitës të sotme, në këtë rast PDK-në dhe LDK-në.” – tha Haradinaj, në DebatPërnime, më 05.02.2025.

Rezultatet përfundimtare

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpallur më 15.03.2025 rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve parlamentare që janë mbajtur më 09.02.2025.

Sipas këtyre rezultateve, në Zgjedhjet e 09.02.2025 kanë marrë pjesë 966,283 votues, apo 46.54 %.

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 396,787 vota, apo 42.30%; PDK është renditur e dyta me 196,474, apo 20.95%; LDK e treta me 171,357, apo 18.27%; AAK-Nisma me 66,256 vota, apo 7.06%.

Sipas numrit të ulëseve që kanë siguruar në Kuvendin e Kosovës, partitë janë renditur kështu: LVV me 48 deputetë, PDK me 24 deputetë, LDK me 20 deputetë, Lista Serbe me 9 deputetë, AAK-Nisma me 8 deputetë etj.