Gashi: LVV-ja do të fokusohet në zhvillim ekonomik, infrastrukturë dhe zhvillimin e kapaciteteve energjetike
Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Gashi, ka deklaruar se prioritetet e Qeverisë së ardhshme të partisë së tij do të jenë zhvillimi ekonomik, infrastruktura dhe rritja e kapaciteteve energjetike të vendit.
Gjatë emisionit “Debat Përnime” ku u diskutua për investimet kapitale dhe ndarjen e buxhetit të Kosovës, Gashi tha se pas fokusit në mirëqenie sociale gjatë mandatit të kaluar, Qeveria synon që tanimë ta orientojë buxhetin drejt projekteve zhvillimore.
“Derisa në katër vitet e kaluara Qeveria Kurti u fokusua tek krijimi i mirëqenies për, përkatësisht për nënat, për fëmijët, për ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes, për veriun, në katër vitet e ardhshme Qeveria Kurti do të fokusohet tek zhvillimi ekonomik, zhvillimi infrastrukturor, zhvillimi i kapaciteteve energjetike” – deklaroi Gashi.
Ai tha se programi i LVV-së përfshin edhe investime në infrastrukturën e sportit.
“Si dhe zhvillimi në fushat sikurse janë ngritja e stadiumeve, 20 stadiumeve në një shumë prej 250 milionë eurove. Pa dyshim që të gjitha këto ngërthejnë në vete edhe investime kapitale për t’i realizuar këto objektiva.” – tha ai.
Sipas Gashit, realizimi i këtyre objektivave do të kërkojë investime të konsiderueshme kapitale dhe mekanizma të rinj financiarë për mbështetjen e zhvillimit ekonomik në vend.
“Desha të filloj se si do të realizohen të ardhurat buxhetore, për me mujtë pastaj me investu në zhvillim edhe në investime kapitale. Ne do të fillojmë me krijimin, vetëm kemi filluar me hapat e parë, krijimin e grupit punues për Bankën Zhvillimore. Ky do të jetë një institucion kyç për realizimin e financimit të drejtpërdrejtë për sektorët të cilët janë kyçë dhe kritikë për zhvillimin ekonomik, si dhe sigurinë, sigurinë energjetike, po ashtu edhe mirëqenien shoqërore. Po ashtu do të krijojmë edhe, edhe instrumente të tjera të nënkreditimit nëpërmjet sektorit bankar” – potencoi Gashi i LVV-së.
www.kallxo.com