Draft-rregullorja për hyrjen në Prishtinë dhe tarifat komunale nuk gjen përkrahje në dëgjimin publik

Komuna e Prishtinës ka mbajtur një dëgjim publik për draft-rregulloren e re mbi tarifat komunale, e cila, mes tjerash, parasheh vendosjen e një tarife hyrëse për automjetet e qytetarëve që nuk janë rezidentë të kryeqytetit.

Drejtori për Zhvillim Ekonomik dhe Inovacion në Komunën e Prishtinës, Luftar Braha, tha se propozimi vjen si përgjigje ndaj ngarkesës së madhe me të cilën përballet qyteti çdo ditë.

“Çdo ditë qyteti përballet me një ngarkesë që shkon shumë përtej numrit të banorëve rezidentë. Kjo ngarkesë reflektohet në trafik, në mungesë parkimi, në presion mbi hapësirat publike dhe trotuaret, në ndriçim publik, në gjelbërim etj.”-  tha Braha.

Sipas tij, tarifat e propozuara janë konceptuar më shumë si instrument për menaxhimin urban sesa si burim financiar për komunën.

Megjithatë, draft-rregullorja hasi në kritika nga përfaqësues politikë, bizneset dhe shoqëria civile.

Fillimisht, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, tha se nuk janë kundër tarifave komunale në parim, por kundërshtojnë mënyrën se si janë përcaktuar ato.

“Nuk jemi kundër rregullimit të tarifave komunale. Është normale që një qytet si Prishtina të ketë tarifa dhe mekanizma që sigurojnë të hyra për ofrimin e shërbimeve publike”- tha ai.

Mirëpo, Sveçla vuri në pikëpyetje logjikën ekonomike pas tarifave të propozuara për kategori të ndryshme biznesesh.

“Sipas draftit, dentisti paguan 2 mijë euro, berberi i lagjes paguan 1 mijë euro, banka 1 mijë euro, hoteli 1 mijë euro, kompanitë që ndërtojnë ndërtesa kolektive 1 mijë euro. Prandaj shtrohet pyetja se cila analizë ekonomike ka çuar në përfundimin se një dentist duhet të paguajë dyfish më shumë se një bankë”- tha ai.

Sa i përket tarifës hyrëse për automjetet e qytetarëve që nuk janë rezidentë, Sveçla tha se një masë e tillë nuk është e drejtë.

“Sanksionimi i qytetarëve të vendeve të tjera të Kosovës për shkak të problemeve që Prishtina i ka me mobilitet nuk është i drejtë. Prishtina çdo vit, në bazë të grantit për kryeqytetin, merr 20.6 milionë euro nga niveli qendror pikërisht për ta përballuar këtë barrë”- deklaroi ai.

Ai shtoi se ekzistojnë edhe dilema ligjore rreth kësaj tarife, duke vlerësuar se ajo mund të cenojë lirinë e lëvizjes.

Kritika adresoi edhe anëtarja e PSD-së, Besa Shahini, e cila kundërshtoi si tarifën hyrëse ashtu edhe tarifat për bizneset.

“Taksa 10 euro për të hyrë në Prishtinë në asnjë rrethanë nuk do të kalojë. E kam përshtypjen që është vendosur aty për të mbuluar diskutimin për taksat e tjera që po u vendosen bizneseve, të cilat janë vendosur në mënyrë arbitrare”- tha Shahini.

Ajo tha se tarifat e reja do ta rëndonin më tej pozitën e të rinjve që synojnë të hapin biznese në kryeqytet.

Ndërkohë, përfaqësuesi i shoqërisë civile, Avi Gashi, kërkoi tërheqjen e plotë të draft-rregullores.

“Anulojeni komplet këtë rregullore që e keni nisur tash, ose punoni me tarifat e vitit 2011. Me vendosë taksa në një kohë kur inflacioni në Kosovë është t’u kupë, kjo nuk është normale”- tha ai.

Sipas Gashit, barrën e tarifave nuk do ta bartin bizneset, por qytetarët që marrin shërbime prej tyre.

“Një mijë euro i keni qitë taksë floktarit. Kush po mendoni që i paguan këto taksa? Biznesi a? Nuk i paguan biznesi, unë i paguaj si qytetar i kësaj komune që marr shërbime në këtë komunë”-  u shpreh ai.

Edhe Besnik Berisha nga Oda e Avokatëve të Kosovës kundërshtoi tarifën e paraparë për avokatët, duke theksuar rëndësinë e shërbimeve juridike për qytetarët.

Ai tha se avokatët ofrojnë shërbime esenciale dhe nuk duhet të trajtohen njësoj si kategoritë e tjera të bizneseve kur bëhet fjalë për tarifimin komunal.

Draft-rregullorja mbetet në fazën e konsultimit publik deri më 24 qershor, ndërsa Komuna e Prishtinës pritet t’i shqyrtojë komentet dhe vërejtjet e paraqitura para procedimit të saj për miratim.

Përveç tarifës së propozuar për automjetet, draft-rregullorja parasheh edhe një pagesë prej 1 euro për çdo natë qëndrimi në objektet akomoduese në kryeqytet.

Sipas draft-rregullores, nga obligimi për pagesën e kësaj tarife do të lirohen automjetet e shërbimeve emergjente, përfshirë ambulancat, zjarrfikësit dhe policinë. Përjashtim do të kenë edhe automjetet e institucioneve publike gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare, si dhe mjetet e banorëve rezidentë të Prishtinës që posedojnë dokumentacionin përkatës. Përjashtime të tjera mund të përcaktohen me vendim të veçantë nga kryetari i Komunës.

Dokumentin e plotë mund ta lexoni KËTU.

Ndërsa, kryetari Përparim Rama ka deklaruar se nuk do të ketë tarifa për askënd në rast se Qeveria zhbllokon fondet e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për ndërtimin e Unazës së Kryeqytetit.
Ky propozim i Komunës ka shkaktuar mospajtime nga politikanë e aktivistë në Prishtinë.
https://kallxo.com/lajm/komuna-e-prishtines-sqaron-planin-per-tarifen-do-te-zbatohet-vetem-ne-zona-me-trafik-te-larte/