Foto: Albulena Haxhiu

U.d presidentja Haxhiu përfaqëson Kosovën në Samitin BE-Ballkani Perëndimor

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu do ta përfaqësojë Kosovën në Samitin BE – Ballkani Perëndimor në Tivat të Malit të Zi.

“Në këtë samit, u.d. Presidentja Haxhiu do të përfaqësojë Republikën e Kosovës dhe do të riafirmojë përkushtimin e vendit për integrim evropian, trajtim të drejtë dhe të barabartë në procesin e zgjerimit, si dhe bashkëpunim rajonal në funksion të paqes dhe stabilitetit”- njofton Presidenca.

Udhëheqësit e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor do të takohen në Tivat, më 5 qershor. 

Samiti zhvillohet gjashtë muaj pas samitit të fundit në Bruksel, duke ri-afirmuar forcën e marrëdhënies së BE-së me Ballkanin Perëndimor.

Samiti do të kryesohet nga Presidenti i Këshillit Evropian dhe do të mirëpritet nga Presidenti i Malit të Zi. BE-ja do të përfaqësohet nga Presidenti i Këshillit Evropian dhe Presidenti i Komisionit Evropian. Përfaqësuesja e Lartë Kaja Kallas do të marrë pjesë gjithashtu.

Serbinë do ta përfaqësojë presidenti Aleksandar Vuçiq.

Tema e samitit është ‘Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor’.

Sipas njoftimit, gjatë drekës, udhëheqësit do të diskutojnë zgjerimin. Do të jetë një mundësi që BE të përsërisë angazhimin e saj të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Udhëheqësit pritet të vlerësojnë progresin e bërë në integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në BE dhe si ta çojnë atë më tej, veçanërisht përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Ata gjithashtu do të shqyrtojnë se si të adresohen sfidat e përbashkëta dhe të forcohet siguria dhe qëndrueshmëria, në sfondin gjithnjë e më kompleks gjeopolitik.