Ilustrim: Unsplash.com/Taylor Flowe

Edhe dy javë mësim në vitin shkollor 2025/2026, shkurtohet ora e mësimit në Gjakovë

Nxënësit në Gjakovë po e mbajnë orën e mësimit 40 minuta, pasi Drejtoria Komunale e Arsimit ka marrë vendim më 01.06.2026 që ajo të shkurtohet për 5 minuta.

Hysen Brahimaj, drejtor i Arsimit në Gjakovë, e ka konfirmuar për KALLXO.com këtë vendim dhe shkak i bën temperaturat e larta në vend.

Ndërsa, kanë mbetur dy javë deri në përfundimin e vitit shkollor 2025/2026 për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta, kurse një ditë, më 05.06.2026, për nxënësit e klasave të 9-ta e të shkollave të mesme të larta.

“Me e rujtë shëndetin e fëmijëve së pari edhe personelit arsimor, për shkak të temperaturave që kenë të larta. Shumë shkolla nuk i kanë kushtet, në përgjithësi, atëherë nuk kam mund me i nda një pjesë të shkollave 45 [minuta, ora mësimore], një pjesë 40 [minuta, ora mësimore]. Kështu, që kam vendosur 40 minuta, besoj që nuk ka asnjë ndikim në procesin e mësimit.” – tha Brahimaj përmes telefonit më 04.06.2026.

Para se ta merrte vendimin, Brahimaj tha se ka vizituar shkollat në komunën e Gjakovës dhe ka parë se ka qenë nxehtë në këto objekte.

Ai tregoi se nxënësit e shkollave të mesme të larta edhe ashtu e kanë pasur orën e mësimit 40 minuta nga shtatori 2025, për shkak të orarit të linjave të autobusëve për nxënësit që udhëtojnë nga zonat rurale në qytet.

Sipas nenit 10 të Udhëzimit Administrativ 10/2015 të Ministrisë së Arsimit, kohëzgjatja e orës së mësimit të rregullt është 45 minuta dhe ajo mund të modifikohet me pëlqim të Ministrisë së Arsimit.

Brahimaj tha se ia kanë përcjellë vendimin për shkurtimin e orës mësimore Inspektoratit të Arsimit në Gjakovë.

“Kemi mendu që nuk ndikon në sukses të fëmijëve, mendimi i këshillit të drejtorëve [të shkollave] ka qenë që ndikon pozitivisht.” – shtoi Brahimaj për vendimin që kanë marrë.

Kurse, Ndrec Përlleshi, inspektor i Arsimit në këtë rajon, tha për KALLXO.com se janë informuar më 03.06.2026 përmes postës elektronike për vendimin e Drejtorisë së Arsimit.

“Lidhur me kohëzgjatjen e orës mësimore, së shpejti do të kryhet inspektim tematik nga inspektorët e SIA-së në Gjakovë!” – ka thënë Përlleshi.

Sa u përket nxënësve të shkollave të mesme të larta që kanë zhvilluar orën mësimore 40 minuta gjatë tërë vitit shkollor 2025/2026, Përlleshi është arsyetuar se “inspektorët e Gjakovës e kanë përfunduar periudhën provuese më 12.11.2025, andaj në shtator të vitit të kaluar nuk kishin kompetenca ligjore që të kryejnë inspektime.”   

KALLXO.com kishte raportuar vitin e kaluar për shkurtimin e orës mësimore në 40 minuta në Gjakovë, pasi nuk përputhej ora mësimore 45 minuta me orarin e linjave të autobusëve për nxënësit që udhëtonin nga zonat rurale.

Në anën tjetër, nga java e kaluar temperaturat maksimale në Kosovë janë 25 gradë Celsius, por ka pasur ditë me reshje në disa vende.