Bislimi: Nuk është pyetja se kush jep premtime, pyetja është kush mundet me i realizu
Përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Labinot Bislimi, ka deklaruar në emisionin “Debat Përnime” se prioritet i partisë së tij mbetet përfundimi i projekteve infrastrukturore të nisura në të kaluarën, duke thënë se Aleanca ka kapacitetin për t’i realizuar ato.
Bislimi tha se AAK-ja do të investojë në përfundimin e autostradës së Gjilanit, hyrje-daljes në Gërlicë dhe segmenteve të tjera rrugore që kanë mbetur të papërfunduara.
Sipas tij, shumë prej këtyre projekteve janë iniciuar gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.
“Ju e dini se Ramush Haradinaj ka qenë ai që u ka prirë të gjitha këtyre projekteve dhe pa dyshim se ne do të investojmë dhe do t’i përfundojmë punimet të cilat janë nisur më përpara, siç është autostrada e Gjilanit. Gjithashtu hyrja dhe dalja në Gërlicë, edhe ajo ka qenë e buxhetuar prej Ramush Haradinajt, Qeverisë Haradinaj, edhe ajo do të përfundojë, sepse atë pak hyrje që e kanë bërë, e kanë bërë jashtë standardeve europiane, sepse ajo është korridor europian dhe ato kanë standarde të veçanta. Kështu që të gjitha segmentet rrugore që kanë mbetur pa përfunduar, përfshirë të Gjakovës, e Mitrovicës e të tjerë, do të përfundohen.” – deklaroi Bislimi.
Ai tha se AAK-ja është e bindur se investimet e premtuara mund të realizohen nën udhëheqjen e kandidatit të saj për kryeministër.
“Këtu nuk është pyetje se cili i jep këto premtime. Këtu është pyetje se kush mundet me i realizu, dhe ata që sot mund me i realizu janë ata që i kanë nisur ato punë. Edhe jemi të besimit të plotë që Ardian Gjini, i cili është i përmendur si njeri i punëve të kryera, ai do t’i realizojë dhe e ka mundësinë me i realizu. Kështu që Aleanca zotohet sot dhe menjëherë për këto investime.” – u zotua Bislimi.
www.kallxo.com