Belinda Balluku - Foto: Belinda Balluku/Facebook
SPAK sekuestron vilë në Dhërmi, dyshon se ish-zëvendëskryeministrja Balluku e përfitoi në këmbim të favorizimit
Prokurorët kundër korrupsionit në Shqipëri e kanë sekuestruar si masë preventive një vilë në një resort turistik në Dhërmi, në jug të vendit, për të cilën dyshojnë se ishte përfituar përmes favoreve ndaj një kompanie ndërtimi nga ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila tashmë përballet me akuza për korrupsion.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur si SPAK, njoftoi të enjten se e ka zgjeruar hetimin ndaj Ballukut nën dyshimet për korrupsion dhe shpëlarje parash.
Zgjerimi i hetimeve vjen pasi SPAK-u në dhjetor ngriti aktakuzë kundër Ballukut nën dyshimet se kishte ndërhyrë në dhënien e kontratave të ndërtimit në vitin 2021, me një vlerë të përgjithshme prej më shumë se 200 milionë eurosh.
Akuzat ndaj saj për manipulim të tenderëve publikë nxitën protesta të shumta nga opozita në fillim të vitit dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, shkarkoi në shkurt Ballukun nga posti i zëvendëskryeministres.
Balluku, e cila mbante edhe postin e ministres së Infrastrukturës, i ka mohuar akuzat dhe çdo shkelje të ligjit.
Të enjten, SPAK tha se zgjerimi i hetimeve ka gjetur se Balluku kishte favorizuar një kompani në tenderin për rindërtimin e një godine teknologjike të Albcontrolit, për një shumë prej 929.000 eurosh.
Albcontrol është ent publik që menaxhon dhe kontrollon hapësirën ajrore të Shqipërisë.
Balluku e drejtoi Albcontrolin për rreth pesë vjet e gjysmë, nga shtatori 2013 deri në janar 2019, para se të emërohej ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
SPAK dyshon se, për shkak të këtij favorizimi, Balluku e ka përfituar vilën në vlerë prej 145.000 eurove në resortin turistik, White Rocks, të ndërtuar prej kësaj kompanie në Dhërmi.
“Pasuria e sekuestruar lidhet me përfitimin e parregullt, të kërkuar dhe marrë nga shtetasja Belinda Balluku, në këmbim të favorizimit të operatorit ekonomik, përmes një procedure prokurimi publik të zhvilluar nga Albcontrol”, thuhet në njoftim.
Prokurorët dyshojnë se Balluku e ka fshehur origjinën dhe pronësinë e vërtetë të vilës përmes veprimeve të dyshuara juridike.
Sipas prokurorëve, për të fshehur këtë pasuri, Balluku e ka përdorur shtetasin me inicialet I.T dhe një vartëse të vet në Albcontrol. Kanë qenë këta persona që kanë lidhur kontratën me kompaninë që ndërtoi vilat në Dhërmi.
“Këto veprime lidhen me fazën e përgatitjes së projektit dhe zhvillimit të procedurës, në përcaktimin e kritereve dhe miratimin e dokumenteve të tenderit, duke paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të procedurës së prokurimit, operatorin ekonomik Eurocol”, tha SPAK.
SPAK thotë se favorizimi i shoqërisë fituese ka vazhduar edhe në momentin e lidhjes së kontratës, duke i ofruar parapagim të menjëhershëm në vlerën 50% të kontratës, si dhe gjatë zbatimit të kontratës dhe shtesës së saj.
Balluku nuk ka reaguar ende ndaj akuzave të reja të SPAK-u.
SPAK i kishte kërkuar Kuvendit të Shqipërisë t’ia heqë imunitetin Ballukut, në mënyrë që të jetë në gjendje ta arrestojë.
Por, në mars, deputetët e partisë në pushtet të kryeministrit Edi Rama me 82 votat e tyre pamundësuan heqjen e imunitetit të Ballukut./REL