Foto: AAK, Facebook

Gjini premton uljen e barrës tatimore për bizneset

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kandidati për kryeministër, Ardian Gjini, gjatë fushatës zgjedhore ka premtuar shkurtimin e afateve gjyqësore me qëllim që asnjë investim të mos bllokohet.

Përmes një videoje në Facebook, ai ka thënë se AAK-ja do ta ulë menjëherë barrën tatimore dhe do thjeshtojë procedurat burokratike.

Gjini ka thënë se kjo do ndryshohet me një plan të qartë për çdo sipërmarrës, pasi bizneset nuk mund të rriten nëse “shteti i mbytë me taksa dhe me zvarritje të pafundme nëpër gjykata”.

Tutje, ai ka premtuar vënien në shfrytëzim të çdo prone të shtetit për krijimin e vendeve të reja të punës dhe se ky model do sjell zhvillim, siguri dhe kushte dinjitoze për punëtorët.

“Ky model sjell zhvillim të shpejtë, siguri për kapitalin dhe kushte dinjitoze për punëtorët përmes zbatimit të ligjit të punës duke zbatuar javën pesë ditore të punës në të gjithë sektorin” – tha kandidati për kryeministër nga radhët e AAK-së, Ardian Gjini.

Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 07.06.2026, pasi që Kuvendi dështoi ta zgjedhë presidentin e vendit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Fushata ka filluar më 28.05.2026 ndërsa pritet të zgjasë deri në hapjen e vendvotimeve në ditën e zgjedhjeve më 07.06.2026.

Lista e votuesve përbëhet nga 2 milionë e 92 mijë e 174 votues derisa në këtë listë janë 15 mijë e 884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme që janë mbajtur më 28.12.2025.

Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 qendra të votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime, ndërsa procesi jashtë vendit, përveç votimit me postë do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 17 ambasada dhe 13 konsullata, me gjithsej 47 vendvotime.

Sllogani i zgjedhjeve është “Kosova voton”.