
Qeveria e Kosovës. Foto: Arjana Berisha, KALLXO.com
Vijat e kuqe parazgjedhore
“Jo me Vetëvendosjen” është paralajmërimi i të gjitha partive opozitare për mundësinë e ndonjë koalicioni paszgjedhor për krijimin e qeverisë së re e cila pritet të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Në të njëjtën kohë, “Jo me partitë opozitare” është paralajmërimi që ka ardhur nga ana tjetër- Lëvizja Vetëvendosje. Kështu të dyja “blloqet” kanë vënë vija të kuqe për njëra-tjetrën.
Deri në certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve nuk dihet saktë se nga sa deputetë do t’i ketë secila parti në Kuvendin e Kosovës, por rëndom nëse asnjë parti nuk arrin të fitojë mjaftueshëm vota sa për ta krijuar vet Qeverinë, fill pas zgjedhjeve nisin negociatat për koalicione paszgjedhore.
Gjatë fushatave zgjedhore, ka pasur shpesh raste kur partitë kanë vendosur ‘vija të kuqe’ duke thënë se nuk do të bëjnë koalicion me këtë apo atë parti. Përvoja nga e kaluara dëshmon se këto vija të kuqe kanë ditur edhe të hiqen pas zgjedhjeve.
VV dëshiron edhe një mandat si e vetme
Për zgjedhjet e vitit 2025, partia që po synon të mbaj pushtetin, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nuk do koalicion paszgjedhor dhe se synon që Qeverinë e re ta formoj me partitë që ka koalicion parazgjedhor- Alternativën dhe Partinë Guxo.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha më 04.02.2025 se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë bashkëqeverisjen me të njëjtit partnerë të koalicionit.
Ai ka përjashtuar mundësinë që LVV të përfshijë në qeverisje cilindo subjekt politik nga partitë opozitare.
“Në rast se ndonjëra prej tyre përpiqet të sigurojë votën tuaj nën mashtrimin se do bashkëqeverisin me ne, mos u besoni. Merreni këtë tentim të tyre vetëm si konfirmim të natyrës së tyre mashtruese e manipuluese”- kishte shkruar Bislimi në rrjetin social Facebook.
Edhe kryeministri aktual, Albin Kurti që është edhe kandidat i VV-së për Kryeministër, kishte deklaruar se partitë opozitare(PDK, LDK dhe AAK) janë të pareformuara.
“Kur e kemi parasysh se sidomos në muajt e fundit sulmet që janë bërë ndaj subjektit tonë, ndaj qeverisjes së mirë dhe demokratike nuk shohim mundësi që të kemi çfarëdo koalicioni në mandatin tjetër, për më tepër që nuk do të jetë as i nevojshëm.” – kishte deklaruar Kurti në intervistë për Kosova Press më 06.01.2025.
PDK, “hendek” të madh me VV-në
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka folur po ashtu për ndonjë koalicion të mundshëm paszgjedhor.
Në një intervistë në emisionin Pressing më 27.01.2025 ai ka thënë se ka hendek të madh mes PDK-së dhe LVV-së.
“Ne kemi dallime esenciale, jo vetëm për të kaluarën por edhe për të ardhmen. Nuk ka hapësirë për të pasë një Qeveri mes PDK-së dhe VV-së, sepse dallimet tona janë të jashtëzakonshme. Nuk jemi në garë për me u kthy në pushtet për hirë të pushtetit. Ne preferojmë me pas një Qeveri të re me opozitën aktuale” – ka deklaruar Krasniqi më 27.01.2025.
LDK nuk sheh koalicion të mundshëm me VV-në në ‘këto rrethana momentale’
Arben Gashi, kandidat për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në emisionin ‘Debat Përnime’ ka thënë se nuk e shohin në asnjë formë si partnere partinë e cila aktualisht udhëheq Kosovën.
“Është pyetje ekskluzive për kryetarin e partisë, por kryetari i partisë ka deklaruar publikisht që nuk e sheh në asnjë formë partner qeverisës Vetëvendosjen (LVV). Në asnjë formë bashkëpunim me LVV-në për këto rrethana momentale”- tha Gashi në “DebatPërnime” më 06.02.2025.
Haradinaj: Me VV-në jo, me PDK-në e LDK-në po
Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, ka përjashtuar çdo mundësi për koalicion paszgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), nëse nuk i merr votat e mjaftueshme për të formuar Qeverinë.
Por, ai i konsideron si partnerë partitë opozitare: Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
“Unë jam në koalicion aktualisht me Nismën Socialdemokrate, Konservatorët, Intelektualët e Listën Ideal dhe shumë autoritete, zotëri Haki Abazin, Arton Demhasajn e shumë profesorë, të rinj e të reja. Më e reja është Lora Leci. Unë punoj për një Qeveri që e udhëheqi unë, por nëse nuk mjafton vota e këtij koalicioni, i konsideroj partnerë partitë e opozitës të sotme, në këtë rast PDK-në dhe LDK-në”- tha Haradinaj në “DebatPërnime” më 05.02.2025.
“Me Vetëvendosjen, jo”- u shpreh i prerë ai.
Zgjedhjet e 9 shkurtit
Bazuar në Listën Votuese të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 është 2,075,868 votues, prej të cilëve 1,970,944 votues i takojnë Listës Votuese brenda Kosovës dhe 104,924 votues janë pjesë e Listës Votuese jashtë Kosovës.
Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.
Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.
Këto janë Zgjedhjet e para të rregullta që Kosova i mban, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.
Ndryshe nga këto Zgjedhje, në Zgjedhjet e parakohshme të mbajtura, më 14.02.2021, kanë marrë pjesë 903,379 votues, apo 48.78 % e numrit të përgjithshëm prej 1,794,862 votuesve të regjistruar nga KQZ-ja.
Lëvizja Vetëvendosje doli fituese në këto Zgjedhje, duke i marrë 50.2 % të votave, apo 438.335 vota. E dyta u rendit PDK-ja me 17 % apo me 148.285 vota. E treta u rangua LDK-ja me 12.7 apo me 110.985 vota. E katërta doli AAK-ja me 7.1% apo me 62.111 vota. Dhe, e pesta u listua Lista Serbe me 5 % apo me 44.407 vota.
Bazuar në këtë rezultat, më 22.03.2021, në Kuvendin e Kosovës, me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim, u zgjodh Qeveria nën udhëheqje të Albin Kurtit nga Lëvizja Vetëvendosje.