Havolli: ATK-ja është në kthetrat e pushtetit dhe duhet të depolitizohet
Gjatë diskutimeve në emisionin “Debat Përnime” për reformimin e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Doganës, dhe institucioneve të tjera, përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sokol Havolli, akuzoi Qeverinë për ndikim politik në institucionet shtetërore.
Havolli deklaroi se reforma në institucionet publike nuk mund të ndodhë fillimisht pa depolitizimin e tyre.
Sipas tij, duhet të depolitizohet jo vetëm drejtori i saj, mirëpo edhe stafi, që sipas tij, kanë libreza partiake të LVV-së.
“Në aspektin tjetër, Administrata Tatimore është në kthetrat e tyre dhe është urgjente të depolitizohet, jo vetëm drejtori ekzekutiv, por edhe stafi që e kanë rekrutuar me librezë partiake, sepse dalin me porosi personale dhe gjobisin biznese të cilat në çfarëdo forme edhe mund të kritikojnë, ose mund të kenë një opinion tjetër ndaj kësaj Qeverie. Kështu që është urgjente të depolitizohet. Pra, nuk mund të flasim për reforma masive përderisa po përdoret si një lloj policie civile Administrata Tatimore e Kosovës.” – tha Havolli.
Siç pretendon Havolli, ATK-ja po përdoret për të ushtruar presion ndaj bizneseve që shprehin qëndrime të tjera politike kundrejt Qeverisë.
Havolli tha se hapi i parë duhet të jetë garantimi i pavarësisë së institucioneve, ndërsa më pas avancimi i legjislacionit fiskal, përfshirë ndryshimet në mënyrën e mbledhjes së TVSH-së.
“Në aspektin e institucioneve të tjera dhe reformave politike sa i përket Administratës Tatimore, Doganës, Inteligjencës Financiare. Pra pika e parë është të sigurohet pavarësia e tyre dhe menjëherë pas saj duhet të vijmë në avancim të legjislacionit i cili ndër të tjera parasheh dhe mbledhjen e TVSH-së brenda vendit, pra me rastin e shitjes së produktit, që mos të ngarkohen bizneset në aspektin tatimor ende pa ndodhur qarkullimi brenda ekonomisë së Kosovës. Kështu që reforma fillimisht kërkon depolitizim. Po flasim jo vetëm për Administratën Tatimore, por për çdo institucion tjetër, sepse në një farë forme është duke u përdor si polici civile kundrejt kundërshtarëve të tyre ose njerëzve që kanë një mendim tjetër politik.” – deklaroi ai.
www.kallxo.com