Molliqaj: Lëvizja Vetëvendosje nuk bën debat me PSD-në, opozita po e imiton atë
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje po shmang përballjen me PSD-në në debate publike, ndërsa ka akuzuar edhe partitë opozitare se po ndjekin të njëjtën qasje.
Gjatë diskutimeve në emisionin “Debat Përnime”, ku tema ishte buxheti dhe prioritetet ekonomike të partive politike që garojnë në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit 2026, Molliqaj tha se mungesa e partive të tjera në debat lidhet me pamundësinë për t’u përballur me argumentet e PSD-së.
“Besoj që është e thjeshtë përgjigjja, se nuk kanë ndonjë ide edhe i humbin argumentet e debatit” – deklaroi ai.
Molliqaj tha se Vetëvendosje po refuzon debatet me PSD-në për shkak të sfidës politike që, sipas tij, i paraqet kjo parti.
“Vetëvendosja është antidemokratike dhe Vetëvendosjen e sfidon realisht në debat. Unë nuk po them që ne i kemi numrat që i ka Vetëvendosja, s’jam duke ia mohu. Ama Vetëvendosja nuk bën ‘Debat Përnime’ me PSD-në. Nuk ka shans. Erdhi një ditë dikush anësor i tyre, e provoj dhe e la këtë punë” – theksoi ai.
Ai kritikoi edhe partitë opozitare duke thënë se po e imitojnë sjelljen e partisë në pushtet.
“Problemi i dytë është që partitë opozitare janë duke imituar Vetëvendosjen. Edhe këta janë duke mendu që populli nuk i merr vesh. Vetëvendosja ka pushtet, bën këtë mundësi me e bë, se populli ështu t’u e dashtë. Ama këta të opozitës e kanë problemin më të madh” – potencoi Molliqaj.
Sipas tij debatet publike janë pjesë e domosdoshme e demokracisë dhe ai nuk do të mohojë pjesëmarrjen në to pavarësisht pozitës politike që mund të ketë në të ardhmen.
“Unë edhe kur i kam pasë 50 mijë vota, edhe kur s’kam pas hiç vota, edhe kur kam marrë pak vota, edhe nesër kur të marr shumë vota, zotim publik e ke, kurrë s’kam me e zgjedh as panelin, as kundërkandidatët, edhe nëse një ditë jam kryetar i këtij vendi. Unë jam optimist, Kosova ka me u bë një vend demokratik. Qysh është Gjermania, Amerika, kanë me ardhë njerëzit.” – shtoi tutje ai.
www.kallxo.com