Ilustrim - Foto: KALLXO.com
Rrahje mes katër personave në Prizren, dy pësuan lëndime nga thika
Tre persona kanë mbetur të lënduar pas një rrahjeje në rrugën “Janina” në Prizren sot më 04.06.2026 rreth orës 18:00.
Dy nga ta kanë pësuar lëndime të lehta nga thika ndërsa personi i tretë është ankuar për lëndime trupore.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Bytyqi ka theksuar se në rrahje kanë qenë të përfshirë katër persona.
Ai tha se policia dhe emergjenca mjekësore kanë reaguar menjëherë në vendin e ngjarjes.
“Të lënduarve u është ofruar ndihma e nevojshme mjekësore. Janë identifikuar të gjithë personat e përfshirë në këtë rast dhe hetuesit policorë janë duke mbledhur informacione, prova materiale dhe dëshmi nga vendi i ngjarjes, si dhe nga dëshmitarët”- tha ai për KALLXO.com.
Lidhur me rastin Bytyqi bëri të ditur se është njoftuar Prokurori i Shtetit dhe veprimet e mëtejme do të ndërmerren në koordinim me të dhe sipas udhëzimeve të tij.