Kurti nga sheshi "Skënderbeu": PDK e LDK së bashku nuk bëjnë sa Lëvizja jonë

Lëvizja Vetëvendosje në krye me kandidatin për Kryeministër, Albin Kurti, së bashku me bashkëpartiakët e tij, po festojnë rezultatet preliminare të Zgjedhjeve parlamentare.

“Faleminderit shumë për ketë festë pas fitores sonë. Urime e gëzuar të gjithëve! Nuk i kemi ende rezultatet përfundimtare, por rezultatet preliminare tregojnë një gjë të vërtetë, të saktë, të qartë. Lëvizja Vetëvendosje është fituese e Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.” – tha Kurti nga festa në sheshin “Skënderbeu”.

Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje është fituese e Zgjedhjeve të 9 shkurtit – duke falënderuar të gjithë votuesit që i kanë mbështetur.

“Procesi zgjedhor ka qenë i Zgjedhjeve të lira, të ndershme, demokratike, e i cili nuk ka pasur incidente, kështu ndodh pikërisht kur LVV është në qeverisje.” – tha ai.

Kurti tha se do t’i vazhdojnë punët të cilat i kanë nisur në këtë katërvjeçar.

“Do të bëjmë edhe shumë të tjera në përputhje me zotimet tona për të gjithë qytetarët, pa lënë asnjë mrapa. Ajo që dihet nga rezultatet është se edhe me i bo bashkë PYDYKY-hin e LYDYKY- hin nuk bajnë sa Vetëvendosja jonë.” – tha Kurti.

Të dhënat e fundit të procesuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje (LVV) prin për nga numri i votave sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), me 41.99% të votave.

Partia e dytë me më së shumti vota deri më tani është renditur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22.68%, partia e tretë – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.90%, partia e katërt AAK-Nisma me 7.56%, Lista Serbe me 7.56%, Koalicioni për Familje me 2.29%.

Albin Kurti ka thënë se do ta themelojë Qeverinë Kurti III me Koalicionin e tyre: me Listën Guxo dhe Alternativa.

“Koalicioni ynë fitues do ta themelojë Qeverinë e re, Kurti 3 dhe do të vazhdojmë punët e mira.” – tha ai për media, paraprakisht.