Hamza premton fond prej 30 milionë eurosh për bursa të studentëve
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, më 04.06.2026, publikoi zotimin e katërt të programit me të cilin pretendon të qeverisë, i cili arsimin e trajton si prioritet kombëtar.
Ai u zotua se në Kosovë do bëjë arsim cilësor dhe do të krijojë mundësi për të rinjtë, pasi sipas tij, ky është investimi më i rëndësishëm që mund të bëjë një shtet.
Duke i vlerësuar të rinjtë si potencialin më të madh që ka Kosova, ai tha se atyre u duhen krijuar mundësi që të ndërtojnë jetën dhe karrierën në vendin e tyre.
“Detyra jonë është t’u krijojë atyre mundësi që të ndërtojnë jetën dhe karrierën këtu në Kosovë. Synimi jonë është edhe digjitalizimi i arsimit. Do të investojmë në digjitalizimin e sistemit arsimor për të rritur cilësinë e mësimit dhe qasjen në dije”- tha Hamza.
Nxënësit dhe mësimdhënësit, sipas tij, do të pajisen me teknologji moderne, ndërkohë që do të zhvillohen platforma bashkëkohore të mësimit.
Ndërlidhja e tregut të punës me arsimin profesional, Hamza tha se është një nga prioritetet e PDK-së derisa tha se edhe bizneset do përfshihen në procesin e edukimit praktik të nxënësve.
“Arsimi profesional do të jetë i lidhur edhe me tregun e punës. Një nga prioritetet tona do të jetë modernizimi i arsimit profesional dhe lidhja e tij e drejtpërdrejtë me nevojat e ekonomisë. Shkollat profesionale do të pajisen me infrastrukturë moderne, ndërsa bizneset do të përfshihen aktivisht në procesin e edukimit praktik të nxënësve” – shtoi ai.
Hamza gjithashtu premtoi autonomi universitare, mbështetje të punimeve shkencore, si dhe zgjerim të bashkëpunimit ndërkombëtar me universitetet prestigjioze evropiane dhe ndërkombëtare.
“Fokusi ynë si PDK do të jetë edhe arsimi i lartë dhe kërkimet shkencore. Universitetet publike duhet të jenë qendrat e dijes, inovacionit dhe zhvillimit. Qeveria e PDK-së do të forcojë autonominë universitare, do të mbështesë kërkimet shkencore dhe do zgjerojë bashkëpunimin ndërkombëtar me universitetet prestigjioze europiane dhe botërore. Ne duam universitete që, jo vetëm japin diploma, por prodhojnë dije, inovacion dhe zgjidhje për zhvillimin e vendit” – tha Hamza.
Te pikat tjera në zotimin e katërt të PDK-së, Hamza premtoi themelimin e fondit të bursave për studentë në lartësi prej 30 milionë eurove, ku sipas tij, ky fond do të garantojë mbështetje të drejtpërdrejtë për studentë pavarësisht gjendjes së tyre ekonomike.
Arsimin dual dhe kreativitetin rinor nuk e la anash Hamza duke premtuar krijimin e më shumë hapësirave për kreativitet, inovacion dhe angazhim qytetarë, në bashkëpunim me sektorin civil, komunitetin artistik dhe sektorin privat.
Për personat me nevoja të veçanta, ai tha se është detyrim i yni si shoqëri që t’u krijohen kushte për qasje më të lehtë përmes pjerrinave dhe ashensorëve, me qëllim krijimin e kushteve që ata të mund të marrin edukimin e nevojshëm.
Gjithashtu ai tha se “ky nuk është ndonjë investim i papërballueshëm”.
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, kërkoi mbështetjen e qytetarëve në zgjedhjet e 7 qershorit.
“Me 7 qershor, ne kërkojmë besimin e qytetarëve për të ndërtuar një sistem arsimor modern, cilësor dhe konkurrues që u japë fëmijëve dhe të rinjve tonë njohuritë, aftësitë dhe mundësitë që meritojnë sepse ndryshimi i Kosovës fillon me edukimin e brezit që do të ndërtojë Kosovën e së nesërmes” – tha ai.
Fushata ka filluar më 28.05.2026 ndërsa pritet të zgjasë deri në hapjen e vendvotimeve në ditën e zgjedhjeve më 07.06.2026.
Lista e votuesve përbëhet nga 2 milionë e 92 mijë e 174 votues derisa në këtë listë janë 15 mijë e 884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme që janë mbajtur më 28.12.2025.
Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 qendra të votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime.