Aktakuza për vjedhje të rrymës, dëshmojnë punëtorët e KEDS-it që pretendojnë se evidentuan parregullsinë
L.K. ka dalë para Gjykatës së Prishtinës në cilësinë e të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve që ka të bëjë me energji elektrike.
I akuzuari ka dëgjuar rrëfimin e tre dëshmitarëve në lidhje me këtë rast për të cilin Prokuroria pretendon se KEDS-it i është shkaktuar dëm në vlerë prej 7,058 euro.
L.K. akuzohet se ka shfrytëzuar energjinë elektrike në biznesin e tij përmes një lidhjeje që nuk ishte e lidhur me njehsorin e energjisë elektrike.
Për këtë rast dëshmi kanë dhënë dy punëtorët e KEDS-it që kishin bërë kontrollin dhe pronari i objektit në të cilin e zhvillonte veprimtarinë biznesi i të akuzuarit.
Punëtorët e KEDS-it kanë treguar momentin kur kanë bërë kontrollin në njehsor dhe parregullsitë që i kanë hasur.
Kurse pronari i objektit ka thënë se asnjëherë më parë nuk ka pasur parregullsi njehsori i energjisë elektrike që është në emër të tij.
M.M. punëtor i KEDS ka treguar se kanë shkuar për një kontrollë rutinë dhe kanë vërejtur se një biznes ka qenë duke u furnizuar me energji elektrike, por që një pjesë e lidhjes nuk kalonte përmes orës së rrymës, pra anashkalohej.
Kurse dëshmitari i dytë, F.L., punëtor i KEDS-it, ka treguar se kontrollin e kishin bërë në mënyrë rutinë por që nuk ka qenë paraprakisht i njoftuar pronari, tashmë i akuzuari.
Në cilësinë e dëshmitarit për këtë çështje penale është dëgjuar edhe A.O., i cili ishte pronari i objektit ku zhvillohej veprimtaria e biznesit pronari i të cilës akuzohet për vjedhje të shërbimeve.
A.O. duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Avni Namani tha se ka kontratë të qiradhënies mes tij dhe tashmë të akuzuarit L.K.
Dëshmitari shtoi se asnjëherë më parë nuk ka pasur probleme me njehsorin dhe se L.K. është personi i parë që i është lëshuar për shfrytëzim objekti.
Sipas Prokurorisë, vjedhja e shërbimeve ka ndodhur nga një datë e pavërtetuar e deri më 24.04.2021.
Aktakuza për këtë rast është ngritur më datë 26.11.2021 nga prokurorja Fikrije Sylejmani kurse është përfaqësuar nga Avni Namani.
Procesi gjyqësor për këtë rast do të vazhdojë me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari.