Kuvendi i drejtohet me letër IKShP-së për seancën e mocionit

Kuvendi i Kosovës do t’i drejtohet me një letër zyrtare Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, për mundësinë e mbajtjes së seancës për ta shqyrtuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, kërkesë kjo e inicuar nga LDK-ja.

Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka thënë për KALLXO.com se aktualisht janë duke e përpiluar letrën.

“Letrën për IKSHP jemi duke e përpiluar tani”, ka thënë shkurtimisht Nagavci.

Grupi Parlamentar i LDK-së të premten ka dorëzuar më Kuvendin e Kosovës mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Sipas procedurave të legjislativit, ky mocion duhet të shqyrtohet në seancë, jo më vonë se deri të mërkurën e kësaj jave.

Në anën tjetër, në opinion është thënë se kjo seancë mund të mos mbahet për shkak të gjendjes nga coronavirusi dhe rekomandimeve të institucioneve për distancë sociale.

Kurse, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, i cili vjen nga radhët e LDK-së, ka thënë se mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë, në Kuvend do të vazhdojë sipas procedurave.

Këtë deklaratë Mustafa e dha në një konferencë për media, të hënën në Prishtinë.

“Këto janë vendime politike që janë marr në Kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe mocionin vazhdon në Kuvendin e Kosovës, ku përgjegjës janë udhëheqësia e Kuvendit”, tha Mustafa

Përderisa Kosova po përballet me pandeminë botërore të virusit Covid–19, vendi tashmë ka hyrë në një krizë politike që shpërtheu me paralajmërimin për rrëzimin e qeverisë përmes një mocioni të mosbesimit nga partneri qeverisës i Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Shkarkimi i Agim Veliut – njëri prej zyrtarëve më me ndikim në LDK, nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, nga ana e kryeministrit Albin Kurti, pasoi me vendimin e Kryesisë së LDK-së që të mos qëndrojë më në qeverisje me LVV-në.