LDK inicion mocion për rrëzimin e Qeverisë Kurti

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur të iniciojë mocion për rrëzimin e Qeverisë.

Vendimi erdhi pas një mbledhjeje të Kryesisë së partisë.

“Diskutuam për rrezikimin e marrëdhënieve me SHBA për heqjen e tarifës dhe problemi që lindi me shkarkimin në kundërshtim me marrëveshje për bashkëqeverisje – shkarkimi i ministrit Agim Veliu”, tha Isa Mustafa pas takimit të Kryesisë së LDK-së.

“I kam shkruar Kurtit të heqë tarifën sepse po rrezikohet miqësia me ShBA-në. Por, nuk kam marrë përgjigje”, tha Mustafa.

“Sot ka ndodhur një veprim i papritur dhe i paparalajmëruar nga kryeministri – shkarkimi i ministrit të LDK-së, në kundërshtim me marrëveshjen. Jemi marrë vesh që për këto punë të diskutojmë me kryetarin e LDK-së. Por kjo nuk ka ndodhur, ky është veprim arbitrar. Kjo për ne thotë se z. Kurti nuk dëshiron të bashkçëpunojë me ne. Këtë e diskutuam në Kryesinë e LDK-së”, tha kreu i LDK-së.

“Kemi vendosur të iniciojmë mocion mosbesimi ndaj Qeverisë”, tha Isa Mustafa.

Kryesia e LDK-së u mblodh në një takim urgjent pas situatës së krijuar nga shkarkimi i ministrit të Brendshëm, Agim Veliu.

Veliu u shkarkua nga kryeministri Albin Kurti zyrtarisht për deklaratat e bëra nga ai në lidhje me mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në vend, siç po kërkon presidenti Hashim Thaçi.

LDK dhe Vetëvendosje janë pjesë e koalicionit qeveritar.

Qeveria, e votuar më 3 shkurt 2020, drejtohet nga Albin Kurti.

LDK dhe LVV nisën diskutimet për arritjen e një koalicioni që nga 7 tetori i 2019, deri më 2 shkurt 2020, kur edhe u nënshkrua marrëveshja e koalicionit.

Ndërsa, deri në fund javës, kur kanë mbetur edhe 2 ditë, do të bëheshin 47 ditë jetëgjatësi të kësaj Qeverie.

Kërcënimet e LDK-së, përmes zyrtarëve të saj për LVV-në për prishje të koalicionit për shkak të refuzimit të kërkesës së ShBA-së për të hequr taksën janë parë shumë kohëve të fundit.

Një nga ta ka qenë edhe zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, që javën e kaluar tha se më përpara prishej koalicioni se sa raporti me ShBA-të.

https://kallxo.com/lajm/avdullah-hoti-me-perpara-prishet-qeveria-se-miqesia-me-shba/

Konflikti i ri mes partnerëve të koalicionit, ka për bazë propozimin e mbrëmshëm të Presidentit Thaçi për të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në Kosovë për shkak të situatën me Coronavirusin.

Përfaqësuesi i Vetëvendosjes në Qeveri, zëvendëskryeministri i dytë, Haki Abazi deklaroi mbrëmë se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme nuk është e nevojshme, derisa Agim Veliu kishte dalë kundër qëndrimit të Qeverisë.

Në fakt, i pari që kishte propozuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme kishte qenë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.