Kosova drejt integrimit - Një rrugëtim i mbështetur nga Bashkimi Europian

Mbi 3.7 miliardë euro janë investuar në Kosovë nga Bashkimi Europian që nga përfundimi i luftës më 1999, si mbështetësi më i madh financiar i Kosovës.

Para këtyre investimeve, rrjedhimisht para luftës së fundit në vend, qytetarët e Kosovës jetonin nën një sistem ku media kontrollohej nga partia komuniste, ekonomia ishte pronë e shtetit dhe Drejtësia funksiononte nën ndikimin e drejtpërdrejtë politik. Vet sistemi arsimor shërbente për përhapjen e ideologjisë së partisë komuniste të ish-Jugosllavisë.

Menjëherë pas përfundimit të luftës filloi rruga e transformimit demokratik, rrugë e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite. Kosova synon të përafrohet me kulturën dhe standardet europiane kurse liria, drejtësia, të drejtat e njeriut dhe një shoqëri demokratike përbëjnë themelet mbi të cilat ndërtohet e ardhmja.

Në më pak se 26 vjet, institucionet e Kosovës arritën të miratojnë Kushtetutën dhe të ndërtojnë legjislacionin të harmonizuar me Bashkimin Europian, të bëhen pjesë e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, të sigurojnë liberalizimin e vizave dhe të përafrojnë vendimmarrjen me standardet e BE-së.

Në këtë periudhë, bizneset synojnë të arrijnë standardet europiane, ndërsa universitetet të arrijnë nivelin evropian të arsimit. Në këtë rrugëtim, mijëra projekte të Bashkimit Europian, të zbatuara në vend, kanë ndihmuar në krijimin dhe avancimin e këtyre standardeve.

Zëvendës shefja e BE-së në Kosovë, Eva Palatova ka thënë se mbështetja e BE-së për Kosovën ka ardhur për të mbështetur një transformim thelbësor – nga vendi i shkatërruar nga lufta në vendin e zhvilluar siç është sot.

“Për Bashkimin Europian fusha kryesore është sundimi i ligjit, pra reformat në drejtësi, duke u siguruar që qytetarët dhe kompanitë të kenë kushte të barabarta dhe të mund të përqendrohen në ndjekjen e mirëqenies së tyre, si të thuash, por edhe të kenë një terren të barabartë për të investuar, si dhe një sistem gjyqësor që është i pavarur dhe i paanshëm. Pra, kjo është fusha e parë në të cilën po fokusohemi.”- ka thënë Palatova për dokumentarin e realizuar nga BIRN Kosova.

Ish-kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj ka thënë se BE-ja dhe partnerët tjerë, investimin më kapital në Kosovë e kanë sistemin e drejtësisë.

Ai ka treguar se partnerët ndërkombëtarë fillimisht ndihmuan sistemin e drejtësisë për t’u shkëputur nga sistemi jugosllav e më pas edhe ndihmuan në strukturimin e gjykatave në vitin 2013, për të vazhduar me aplikimin dhe pranimin e standardeve europiane të drejtësisë.

“Në logjistikë është vetë mbështetja në gjithë infrastrukturën e sistemit të drejtësisë në mënyrë të veçantë të gjyqësorit dhe këtu kisha pasur me përmend në mënyrë të veçantë investimin për Pallatin e Drejtësisë që është objekti qëndror i sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës por edhe investime të tjera kapitale që lidhen me sistemin qëndror të evidencës penale që ka qenë po ashtu një projekt kapital i Bashkimit Europian dhe i cili është përfunduar diku në vitin 2022 që e shndërron krejtësisht sistemin nga një sistem manual i regjistrave në një sistem elektronik, duke digjitalizuar dhe këtë shërbim.”- ka deklaruar Zogaj.

Mentor Hyseni, drejtor i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës ka treguar se e gjithë struktura e ATK-së është ndërtuar nga Bashkimi Europian.

“Kur kthehemi në strukturën që tash aktualisht është, mundem me veçu dy njësi që kryesisht kanë të bëjnë me hetime që janë më komplekse për nga natyra edhe njësitë për mbledhjen e borxheve. Pra pjesa e hetimeve ose njësia e hetimeve ka kërkuar më shumë ë njohuri sa i përket hetimeve financiare që në Kosovë ka mundur me qenë e mangtë ajo, pra dhe kanë ardhur ndihme prej shteteve të ndryshme, por kryesisht që janë paguar prej fondeve të BE-së.”- deklaroi Hyseni i cili shtoi se BE-ja ka përkrahur edhe ofrimin e shërbimeve për tati-paguesit e që përmes platformës online, ATK ofron 59 shërbime.

Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu ka treguar se Bashkimi Europian ka ndihmuar këtë institucion që të ketë një qasje shumë efikase karshi kontrabandës, evazionit fiskal dhe të gjitha formave të mashtrimeve që na bëhen.

“Duke qenë se në veçanti kohën e fundit në përpjekjet tona në modernizimin e organizatës kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me BE-në përmes projektit për menaxhimin financave publike. Në këtë drejtim ne kemi përfituar shumë nga ekspertiza e ekspertëve të angazhuar nga BE-ja për përafrimin e legjislacionit doganor me kodin e ri i cili ka hyrë në fuqi më 25 maj të vitit 2024.”- ka thënë Llugaliu.

BE-ja ka ndihmuar edhe në formimin e Agjencisë Kundër Korrupsionit e që sot njihet me emrin Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.

Yll Buleshkaj, drejtor i kësaj Agjencie, ka treguar se me ndihmën e BE-së dhe Këshillit të Europës janë ndërtuar një sërë dokumentesh e ligjesh në Kosovë.

Ai ka përmendur Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, Udhëzimi për Hetimet Administrative e Udhëzimi për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.

“Një nga projektet më të rëndësishme të Bashkimit Europian ka qenë ai i realizuar në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, i cili ka qenë projekti në luftimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit, i cili ka pasur tre faza. Të të tri fazat janë mbi 12 vjet projekte të Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës në përkrahje të agjencisë, qoftë këtu në krijimin e dokumentave strategjike, dokumentet e punës së agjencisë, po ashtu edhe në trajnime specifike”- ka thënë Buleshkaj për BIRN Kosova.

Krahas investimeve në sistemin e drejtësisë, Bashkimi Europian në Kosovë ka investuar edhe në mjedisin në Kosovë. Edhe pse Kosova vazhdon të jetë një vend që ka probleme të theksuara në ndotje, ka përqindje të lartë të ndotjes së lumenjve, trajtim joadekuat të mbeturinave dhe nivel të lartë të emetimit të karbonit të ajër.

Investimet e Bashkimit Europian pritet që të sjellin ndryshimë në trajtimin e ujërave, ajrit e trajtimin e mbeturinave.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se prej projekteve me ndikimin më të madh në mjedis, e që vijnë nga BE-ja janë ai i projektit të elektrofiltrave për Termocentralin Kosova B.

“Po flasim për një një projekt i cili mundëson që prodhimi i energjisë elektrike nga termocentrali Kosova B të bëhet me ulje të ndotjes së pluhurit për 90% ndërsa me ulje të ndotjes së oksideve të azotit për 60%. Pra kjo është një ndikim direkt në jetën e qytetarëve do të jetë me realizimin e projektit të veçanërisht të Prishtinës, Fushë Kosovës, e Obiliqit, por jo vetëm aty.”- ka thënë Rizvanolli.

Abedin Kabashi, menaxher i inxhinieringut në këtë termocentral, ka treguar se elektrofiltrat e rinj për dallim nga aktualët, pritet që të jenë 13 herë më efikas në ndaljen e ndotësve.

Kabashi e Rivanolli kanë treguar edhe për projektin tjetër të Korporatës Energjetike të Kosovës, me Bashkimin Europian, atë për ndërtimin e pesë impianteve për trajtimin e ujërave në lumin Sitnica, e që është grant prej 12 milionë eurosh.

“Planifikohen pesë impiante të ndërtohen. Këtu trajtimi do të bëhet në përputhje me direktivën më të re të Bashkimit Europian, e cila i parasheh metodat apo teknikat më të mira të disponueshme për trajtimin e ujrave. Në kuadër të këtyre ujërave shkarpuese hyjnë ujërat që janë që kanë përbërje me vajra, yndyra të ndryshme, ujërat e procesit, ujërat apo rrjedhjet atmosferike, rrjedhjet e parkingjeve, rrjedhjet nga zona e elektrofiltrave, rrjedhjet e ujit nga trolli i deponisë së thengjillit e kështu me radhë.”- ka treguar Kabashi.

Mijëra njerëz të cilët jetojnë në Prishtinë marrin ngrohjen nga sistemi i kogjenerimit, një projekt i BE-së i cili përmes Termokosit mundësoi jetësimin e ngrohjes së Prishtinës nga termocentralet në Obiliq. Ngrohja me kosto të lirë kursen qindra megavatë energji elektrike dhe mundëson ngrohjen, e i gjithë ky projekt është realizuar në kuadër të paketës për efiçiencë të energjisë.

Kastriot Bllaca, ushtrues detyre i Kryeshefit Ekzekutiv në Termokos, ka treguar se me ndihmën e BE-së Termokosi u modernizua dhe sipas tij është bërë model i ofrimit të shërbimit të ngrohjes.

“Ky sistem bazohet në parimin e prodhimit të njëkohësishëm të energjisë elektrike dhe lirimit të energjisë termike, sot avulli shndërrohet në energji termike që shfrytëzohet për ngrohjen e banesave dhe ndërtesave në qytetin e Prishtinës. Falë këtij sistemit kemi arritur përmirësimin e dukshëm në cilësinë e ajrit, uljen e kostove të qytetarëve si dhe rritjen e sigurimit të furnizimit me energji termike.”- ka thënë Bllaca.

Koogjenerimi, impiantet e trajtimit të ujërave e elektrofiltrat e rinj, nuk janë projektet e vetme me ndikim mjedisor në Kosovë.

Bashkimi Europian përmes Fondit për Efiçiencë të Energjisë ka investuar miliona euro për të siguruar që objektet në vend të hargjojnë më pak energji elektrike.

Petrit Ahmeti, Drejtor i Operacioneve në këtë Fond ka treguar se diku 10 milionë euro ka investuar BE-ja në projektin e renovimeve të objekteve në sektorin publik nga viti 2020 deri në vitin 2024, derisa tani po vazhdohet me një projekt tjetër të mbështetur nga BE-ja.

“Projekti i dytë ka të bëjë me sektorin banimor ose rezidencial i cili është projekt më i vonshëm i cili kap shifrën prej 20 milionëve. Kështu që mjetet që janë investuar nga BE-ja deri tani përmes FKEE sillet rreth 30 milionë euro. Edhe tashmë jemi në pritje për projektin e ri përmes IPA-s me fondet e BE-së i cili presim përgjigjen pozitive nga zyra e BE-së. i cili sillet diku rreth 16.5 milionë euro.”- ka deklaruar Ahmeti.

Mehmet Qollaku, përfaqësues i banorëve të tri ndërtesave të banimit social në Skënderaj, që përfituan nga renovimet e mbështetura nga BE-ja ka thënë se përfituan 90 njësi banesore nga renovimi për efiçiencë të energjisë.

“Në pjesën e jashtme janë ndërruar komplet prej pjesës themelore dhe ka marrë një pamje të shkëlqyeshme edhe për syrin po janë të kënaqur edhe banorët që jetojnë brenda. Përgjithësisht u bërë ndërrimi i dyerve, i dritarëve, është bërë ndërrimi në pjesën e brendshme, janë vendos pllakat e merrmerit nëpër korridore dhe është një diçka shumë e bukur.”- ka thënë Qollaku.

Përfitues të renovimit kanë qenë edhe Qendra e Kulturës në Mitrovicë. Naser Hajdari, drejtor i kësja Qendre ka treguar se renovimet kanë bërë ndryshime përveç në efiçiencë edhe në punën e punonjësve të Qendrës për shkak se tani hapësira është më e përshtatshme për punë.

“U vendosën dritare të reja, izolimi i mureve, dritat janë vendosur led, po ashtu u bënë përmirësime në sistemin e ngrohjes që ka qenë thelbësor për objektin.”- ka thënë Hajdari.

BE-ja në Kosovë ka investuar edhe në ndryshime shoqërore, liri e të drejta të njeriut.

Në kuadër të këtyre investimeve u mundësua gazetaria e pavarur në vend por edhe shoqëria civile e ka mundësinë të monitorojë e mbikëqyr institucionet publike.

Darko Dimitrijeviq nga Radoi Gorazhdeci ka treguar se mediat serbë në Kosovë kanë vështirësi mbijetesë për shkak të financave, e me projektet e BE-së u është mundësuar puna dhe adresimi i problematikave të qytetarëve te institucionet.

“Edhe pse jo gjithmonë kemi qenë përfitues direkt të fondeve, përmes organizatave si BIRN kemi marrë grante të vogla që synonin të nxisnin gazetarinë hulumtuese dhe trajtimin e temave me interes publik. Kjo mbështetje na ndihmoi të krijojmë histori cilësore, të fitojmë përvojë dhe të ndërtojmë besim me komunitetin dhe audiencën tonë.”- ka thënë ai.

Besa Luci, drejtoreshë e Kosovo 2.0, në anën tjetër ka treguar se që nga viti 2010 kur filluan si organizatë mediatike, kanë synuar sjelljen e një gazetarie që trajton më thelbësisht ështjet socio-ekonomike, kulturore e politike që ndikojnë në jetën e qytetarëve.

“Që nga fillim i prezencës nëse mund edhe të them të Bashkësisë Euopiane në Kosovë, mbështetja për shoqërinë civile dhe për mediat ka qenë ka qenë thelbësore edhe më vjen mirë që ajo mbështetje ka vazhduar me qenë prezente ndër vite edhe që në të njëjtën kohë edhe është rritur edhe është zgjeruar përveç mbështetjes e cila ndodh në kontekst të Kosovës.”- ka deklaruar ajo.

Festim Rizanaj që është pjesë e Hibrid.info ka treguar se punën filluan në vitin 2020 kur u shfaq nevoja e e luftimit të dezinformatave për pandeminë e Covid 19.

Hibrid.info si verifikues faktesh në Kosovë, kanë përfituar projekte nga Bashkimi Europian për të mundësuar të zhvillohen e zgjerohen.

“Projekti është që të monitorohen mediat në periudha zgjedhore ku është përfshirë tetor deri në dhjetor, domethënë në këto tre muaj ku e ka përfshirë zgjedhjet lokale edhe zgjedhjet e 28 dhjetorit. Zgjedhjet parlamentare në këto periudha janë zhvilluar dhe është zhvilluar metodologjia për hulumtim se çka ka pasur keq informata në këtë periudhë.”- ka thënë Rizanaj për BIRN Kosova.

Diana Metushi-Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës ka treguar se KDI-ja përveç financiarisht, më shumë ka përfituar nga vizioni dhe standardet e BE-së.

“Do të thotë për neve ka qenë një udhërrëfyes se ku jemi sot dhe ku duhet dhe vazhdon të jetë një udhërrëfyes se ku jemi sot dhe ku duam të jemi nesër dhe ndoshta kjo është do të thotë ai ndikimi më i madh që ka pas në kulturën edhe zhvillimin e KDI-së. Nëse sot e marrm dhe e shohim cilëdo analizë të KDI-së e shohim që KDI-ja gjithmonë insiston dhe rekomandon përafrimin si të legjislacionit si të kulturës institucionale po edhe të kulturës qytetare afër kulturës evropiane sepse aty synojmë synojmë që nesër të jemi edhe ne pjesë.”- tha ajo.

Njomza Arifi, drejtoreshë ekzekutive e Grupit për Studime Juridike dhe Politike ka thënë se mbështetja nga BE ka qenë thelbësore për GLPS-në.

“Krahas mbështetjes financiare që kemi marrë nga Bashkimi Europian, shumë shpesh jemi bërë bashkë edhe për iniciativa të ndryshme ku kemi reaguar për tema të ndryshme.”- ka thënë ajo derisa ka shtuar se përveç financiarisht, BE ka ndihmuar në përfshirjen e shoqërisë civile në procese të ndryshme.

Qendra për Arsim e Kosovës është organizatë tjetër që ka qenë përfituese nga projektet e BE-së.

Petrit Tahiri, drejtor i KEC ka thënë se përmes projekteve të BE-së kanë mundësuar integrimin në sistemin arsimor të fëmijëve nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian por edhe të grupeve tjera të margjinalizuara.

“Unë mund të them që në vitin e largët 2003-2004 numri i fëmijëve nga komunitetitet rom, ashkali dhe egjiptianë që kanë ndjekur arsimin e mesëm të lartë, shkollën e mesme ka qenë shumë i ulët, një përqindje tepër e ulët. Sot kjo përqindje në nivel të vendit është së paku pesëfishuar me atë që ka qenë, qëndron dikund tek vlera e 80%, normal tentohet që kjo me u përmirësu edhe më shumë.”- ka thënë Tahiri për BIRN Kosova.

Në 26 vjetët e fundit, BE ka përkrahur sistemin arsimor në forma të ndryshme, qoftë përmes investimeve kapitale ose edhe programeve e bursave për studentë. Duke ofruar mundësi të zhvillimit të arsimit në Kosovë.

Me mbështjetjen e BE-së, u ndërtuan programe universitare nga fillimi, dhjetëra shkolla dhe kopshte u ndërtuan e u renovuan, e më e rëndësishmja, studentët dhe gjeneratat e reja përfituan nga bursat për shkollim në universitete prestigjioze.

Blerim Saqipi, dekan i fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës ka thënë se Bashkimi Europian ka qenë përkrahësi kryesor i zhvillimit të Fakultetit të Edukimit.

“Ne kemi dy laboratore të cilat janë ndërtuar përmes përkrahjes së Bashkimit Evropian. Laboratori për edukimin për STEM që ka për qëllim që studentët që janë në gjendje të përgatiten për integrimin lëndor në mes të shkencës, matematikës dhe teknologjisë, të bëjnë lidhjen në mes të teorisë dhe praktikës dhe studentë janë në gjendje që idetë e tyre t’i zhvillojnë nga ideja deri në realizim, duke përfshirë edhe mundësinë e krijimit të materialeve digjitale, e cila mendoj për Kosovën tash është një çështje shumë relevante duke ditur edhe vështirësitë që kemi me tekstet mësimore.”- ka deklaruar Saqipi.

Bashkimi Europian ka renovuar edhe shkolla në Kosovë gjatë viteve të fundit, duke arritur të përmirësoj kushtet e mësimdhënies dhe mësimnxënies.

Ekrem Zogaj, drejtor i Shkollës “7 shtatori” në Vitomoricë të Pejës ka treguar ndryshimet nga renovimet e BE-së.

“Bashkimi Europian ka bërë një renovim në shkollës në Vitomiricë komplet, prej themelit deri në kulm. Në shkollën tonë është bërë një ndryshim i mirë, një ambient shumë i mirë për nxënësa dhe shpresoj që të vazhdojmë me këto investime edhe në të ardhmen.”- tha ai.

Ngjashëm, Afrim Gashi, drejtor i Shkollës “Dardania” në Prishtinë ka treguar se projekti për renovimin e kësja shkollë ka prekur shifrën prej 2 milionë eurove.

“Këtu janë të përfshira investimet në të gjitha aspektet, duke filluar prej mureve që e bën edhe më të veçantë pamjen estetike që e kanë, që ka llojllojshmëri të ngjyrave, që është shumë më e kapshme për për syrin e nxënësit. Mirëpo nuk do të vlente kjo nëse nuk do të ishte investuar edhe në rrjetin e energjisë elektrike, në rrjetin e ujësjellësit. Sot kemi një ndriçim jashtëzakonisht shumë të mirë edhe nëpër klasë dhe nëpër korridore.”- ka thënë Gashi.

Zana Misini, si studente ka qenë përfituese e bursës Erasmus+ me ç’rast fitoi mundësinë për të studiuar një semestër jashtë vendit.

“Pas përfundimit të semestrit atje ka qenë një rritje jashtëzakonisht e madhe profesionale për shkak që e kam ditur se çfarë vendi të punës du me punu, në po të njëjtën kohë edhe kur një punonjës e ka marrë CV-në time para duarve e ka parë që kjo ka shkëmbim internacional ose veç e din me i dallu idetë e reja, din me dhonë diçka më të re ose ndryshe në kompani.”- ka deklaruar ajo.

Bizneset dhe start-upet e ndryshme në Kosovë po ashtu kanë qenë përfituese të mbështetjes së BE-së.

Arben Jonuzi nga kompania The Lobby Boy ka treguar se kjo platformë për menaxhimin e hotelit është mbështetur nga Bashkimi Europian.

“Ne jemi zgjedhur pjesë e “STAR UP” projektit. Fondet prej BE-së edhe përveç trajnimeve, mentorimeve që kemi pasur nga ana e tyre, kemi marrë dhe mbështetje financiare. Kjo mbështetje financiare na ka mundësuar e para për me i zhvillu disa module, disa funksione që janë të domosdoshme për pjesën tonë.”- ka deklaruar ai.

Foton LLC është start up tjetër i mbështetur nga Bashkimi Europian.

Të rinj të Kosovës po ndërtojnë dronë për agrikulturë, e Drin Marevci nga ky start-up ka treguar se përveç dronëve për agrikulturë e zjarrëfikje, synojnë që në të ardhmen të zgjerojnë llojshmërinë e dronëve të prodhuar.

“Mbështetja nga Bashkimi Evropian ka qenë shumë e nevojshme. Së pari na kanë ndihmuar me blerë sensorin multispektral e cila pajisje është shumë e shtrenjtë për një startup që sapo ka filluar. Ai sensor na ka mundësuar me i marrë të dhënat që neve na duhen për me arritur qëllimin e projektit tonë me agrikulturë. E kemi pasur mbështetje nga Bashkimi Europian edhe me trajnime të cilat na kanë ndihmuar me e pa si janë kriteret e Bashkimit Evropian për projekte të tilla.”- ka treguar ai.

Zef Dedaj, ish-drejtor i Agjencisë për Investime dhe përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë ka treguar se Kosova vazhdimisht ka qenë e përkushtuar në adaptimin e praktikave të mira ndërkombëtare e veçanërisht të atyre nga BE-ja.

“Në Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, kanë qenë një varg kriteresh që do të duhej të plotësohen në kuptimin e legjislacionit dhe politikave relevante në mënyrë që të fillojmë negociatat dhe kjo ka ndikuar që Kosova të përgatitet duke respektuar rregullat ndërkombëtare, ligjet ndërkombëtare dhe kjo ka pasur ndikim pozitiv direkt. Ajo çka është e rëndësishme nëse krahasojmë vitin 2014 në themelimin e KIESA-s me vitin 2026 ose 25-24 vitet e fundit Kosova ka ndjekur edhe më tej praktikat e mira ndërkombëtare.”- konsideron Dedaj.

Zëvendës shefja e BE-së në Kosovë, Eva Palatova konsideron se ekonomia duhet të zhvillohet në Kosovë në mënyrë që të mundësohet integrimi në BE i vendit. Ajo tregoi se kompanitë private dhe grupet e cenueshme u mbështetën për të mundësuar zhvillimin për integrim në tregun europian.

“Një instrument tjetër që Komisioni Evropian dhe taksapaguesit evropianë e kanë vënë në dispozicion të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor është Instrumenti për Reforma dhe Rritje, i cili është një instrument shumë konkret, i lidhur qartë dhe i kushtëzuar me reformat e zbatuara nga qeveritë përkatëse në rajon.”- ka treguar Palatova.

Ajo shton se Kosova gjatë tri vjetëve do të mbështetet me 880 milionë euro që do të lidhen me reformat që Qeveria e Kosovës është zotuar që t’i zbatojë.

“Këto reforma janë transformuese në fushat që i përmenda tashmë: sundimi i ligjit, digjitalizimi, administrata publike dhe mjedisi. Ne do ta vlerësojmë progresin e arritur çdo gjashtë muaj dhe, varësisht nga ecuria e progresit, do të ndajmë në mënyrë progresive këste nga kjo shumë e përgjithshme.”- ka thënë Palatova.

BE-ja në Kosovë përveç 3.7 miliardëve të investuar deri tash në Kosovë pra pritet që të investojë shumën prej 880 milionëve për reforma si dhe 421 milionë si asistencë para anëtarësimit.