(Ilustrim) Foto: Naser Sertolli / KALLXO.com
Tragjedia në Shëngjin, u.d. presidentja Haxhiu u shpreh ngushëllime familjeve të viktimave dhe të afërmve të tyre
Ngushëllime për rastin e dy të rinjve nga Kosova që u mbytën në det në Shëngjin, më 03.06.2026, ka shprehur edhe Albulena Haxhiu, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës.
Haxhiu tha se institucionet e Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm dhe të ngushtë me autoritetet e Republikës së Shqipërisë, duke ofruar mbështetjen e nevojshme.
Ajo ka njoftuar edhe për gjendjen e tre shtetasve të tjerë të Kosovës, të cilët në këtë rast Policia e Lezhës njoftoi se janë duke u trajtuar në Urgjencën e Spitalit Rajonal atje dhe se janë jashtë rrezikut për jetë.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ngjarjen tragjike të ndodhur sot në bregdetin shqiptar, ku dy të rinj, shtetas të Republikës sonë, humbën jetën, ndërsa tre të tjerë, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën, ndodhen ende në gjendje të rënduar.” – ka shkruar Haxhiu në Facebook.
U.d. presidentja u ka uruar forcë të lënduarve, rikuperim dhe shërim sa më të shpejtë.
Edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, u ka shprehur ngushëllime familjeve të dy të rinjve nga Kosova që u mbytën në det, në Shëngjin, më 03.06.2026.
Begaj ka thënë se e ka kuptuar me hidhërim të thellë për ngjarjen tragjike që u mori jetën dy të rinjve.
“Në këto çaste të vështira, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet dhe të afërmit e viktimave, ndërsa uroj shërim sa më të shpejtë për tre shokët e tyre. Kjo tragjedi na kujton rëndësinë e kujdesit dhe respektimit të çdo mase sigurie në plazhet tona.” – është shprehur presidenti Begaj.
KALLXO.com raportoi për këtë tragjedi që ndodhi në Shëngjin, e cila fillimisht u konfirmua nga Gentian Mullaj, zëdhënës i Policisë së Shqipërisë.
Më pas, Policia e Lezhës ofroi detaje për këtë rast. Përmes një komunikate, Policia tregoi se ishin njoftuar rreth orës 16:30 policët kanë marrë njoftim se në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, disa shtetas që ishin futur në det për t’u larë, si pasojë e dallgëve të shkaktuara nga era e fortë, ndodheshin në vështirësi dhe rrezikonin të mbyteshin.
Kështu, menjëherë pas marrjes së njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë Kufitare, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, si dhe ato të emergjencës.
“Falë reagimit të menjëhershëm të qytetarëve me Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e 5 shtetasve nga Kosova, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal Lezhë për marrjen e ndihmës mjekësore.” – njofton Policia shqiptare.