Presidenti i Këshillit Evropian i thotë Haxhiut se për integrim në BE dhe zbatimin e Planit të Rritjes duhet konsensus kombëtar

Presidenca e Republikës së Kosovës ka njoftuar se në takimin mes U.D. Presidentes Albulena Haxhiu dhe Presidentit të Këshillit Evropian Antonio Costa u fol për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian e për zbatimin e Planit të Rritjes.

Sipas Presidencës, Haxhiu ka falënderuar Costën për vizitën dhe vëmendjen që Këshilli Evropian i jep rajonit.

Anëtarësimin në BE të Kosovës, Haxhiu e ka cilësuar si orientim strategjik, zgjedhje politike e qytetarëve dhe interes afatgjatë shtetëror.

Gjatë këtij takimi është folur për rëndësinë e zbatimit të reformace që lidhen me Planin e Rritjes, me ç’rast Haxhiu ka thënë se Kosova e sheh Planin si mundësi për zhvillim ekonomik, afrim me tregun e përbashkët evropian dhe përfitime për qytetarët.

“Presidenti Costa theksoi se çështjet që lidhen me integrimin në Bashkimin Evropian dhe zbatimin e Planit të Rritjes kërkojnë pajtim ndërpartiak dhe konsensus kombëtar në Kosovë, përtej dallimeve politike dhe partiake.”- thuhet në komunikatën e Presidencës.

Haxhiu në anën tjetër, ka thënë se Kosova është e përkushtuar për të çuar përpara agjendën evropiane përmes reformave, koordinimit institucional dhe bashkëpunimit me BE-në. Ajo po ashtu ka thënë se Kosova ka dëshmuar përkushtim ndaj demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave themelore dhe bashkëpunimit me BE-në.

“Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajon, për rëndësinë e sigurisë dhe stabilitetit, si dhe për nevojën që perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor të shoqërohet me hapa konkretë, të drejtë dhe të barabartë për të gjitha vendet që zbatojnë reformat dhe respektojnë vlerat evropiane.”- thuhet në komunikatë.

Costa pas takimit me Haxhiun u takua edhe me Kryeministrin në detyrë Albin Kurti.

Ai do të takohet me kryetarët e partive ish-opozitare.

Vizita në Prishtinë është pjesë e një turneu rajonal që ai ka nisur më 1 qershor në Sarajevë. Pas ndalesave në Tiranë dhe Shkup, ai do të vazhdojë më 4 qershor në Beograd, ndërsa më 5 qershor do të marrë pjesë në Samitin BE–Ballkani Perëndimor në Tivat.

Kjo është hera e dytë që kur u zgjodh President i Këshillit Evropian që Antonio Costa po viziton rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ai më parë vizitoi të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor midis 13 dhe 15 majit 2025.

Udhëheqësit e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor do të takohen në Tivat, më 5 qershor. Samiti zhvillohet gjashtë muaj pas samitit të fundit në Bruksel, duke riafirmuar forcën e marrëdhënies së BE-së me Ballkanin Perëndimor.

Samiti do të kryesohet nga Presidenti i Këshillit Evropian dhe do të mirëpritet nga Presidenti i Malit të Zi. BE-ja do të përfaqësohet nga Presidenti i Këshillit Evropian dhe Presidenti i Komisionit Evropian.

Përfaqësuesja e Lartë Kaja Kallas do të marrë pjesë gjithashtu.

Tema e samitit është ‘Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor’.

Sipas njoftimit, gjatë drekës, udhëheqësit do të diskutojnë zgjerimin. Do të jetë një mundësi që BE të përsërisë angazhimin e saj të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Udhëheqësit pritet të vlerësojnë progresin e bërë në integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në BE dhe si ta çojnë atë më tej, veçanërisht përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Ata gjithashtu do të shqyrtojnë se si të adresohen sfidat e përbashkëta dhe të forcohet siguria dhe qëndrueshmëria, në sfondin gjithnjë e më kompleks gjeopolitik.

Pas Haxhiut, presidenti i Këshillit Evropian pritet në Qeveri nga Kurti