Rrusta: Mësimdhënësit janë trajtuar me intimidim, ndërsa arsimi ka nevojë për reformë të thellë sistematike
PSD kërkon ndërhyrje rrënjësore në arsim, nga çerdhet dhe Fakulteti i Edukimit deri te pensionimi i parakohshëm i mësimdhënësve që nuk arrijnë t’u përshtaten kërkesave të kohës.
Përfaqësuesja e PSD-së, Teuta Rrusta, e ftuar në ‘Debat Përnime’, tha se problemet e arsimit në Kosovë nuk mund t’i atribuohen vetëm një qeverie, pasi, sipas saj, rezultatet e dobëta në testin PISA janë pasojë e një krize të kahershme dhe të thellë sistematike.
Në debatin zgjedhor për arsimin, Rrusta tha se Kosova vazhdimisht renditet dobët në testimet ndërkombëtare dhe se zgjidhja nuk mund të gjendet me masa të pjesshme.
“Problemi me PISA-n s’ka nisur në këtë Qeveri. Ne keq dalim në test sa herë hymë. Është problem sistematik dhe lyp intervenim sistematik”, – tha ajo.
Sipas saj, një nga pikat ku duhet të nisë reforma është Fakulteti i Edukimit, institucion që përgatit mësuesit e ardhshëm.
Rrusta argumentoi se standardet për pranimin dhe përgatitjen e studentëve në këtë fakultet duhet të jenë shumë më të larta, pasi pikërisht aty formohen kuadrot që edukojnë brezat e rinj.
“Nëse një fakultet duhet me iu kthy standardi tepër i lartë, është ai që edukon gjeneratat. Fakulteti i Edukimit është fakt i njohur që pranon studentë me nota më të ulëta dhe niveli i arsimit aty nuk është aq i lartë sa duhet”, – deklaroi ajo.
Duke folur për sfidat e së ardhmes, Rrusta tha se sistemi arsimor vazhdon të funksionojë me metoda të vjetra, ndërsa tregu i punës po ndryshon me ritme të shpejta për shkak të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.
Ajo iu referua parashikimeve të Forumit Ekonomik Botëror, sipas të cilave një pjesë e konsiderueshme e vendeve të punës do të zhduken brenda pak vitesh.
“Sipas Forumit Ekonomik Botëror, 40 për qind të vendeve të punës kanë me u zhdukë deri në vitin 2030. Sot shkolla duhet me i mësu fëmijët me qenë të gatshëm me mësu gjatë gjithë jetës, por sistemi ynë ende bazohet te përsëritja dhe mësimi përmendësh”, – tha ajo.
Një pjesë të madhe të diskutimit Rrusta ia kushtoi pozitës së mësimdhënësve, duke kritikuar mënyrën se si, sipas saj, janë trajtuar nga institucionet.
Ajo vlerësoi se proceset e vlerësimit dhe rivlerësimit të mësimdhënësve janë perceptuar si forma ndëshkimi dhe jo si mbështetje profesionale.
“Kjo Qeveri i ka trajtuar tepër keq mësimdhënësit. Vlerësimi është dukur si ndëshkim dhe është krijuar përshtypja se fajin për problemet e arsimit e kanë vetëm ata. Kjo është e padrejtë”, – tha Rrusta.
Sipas saj, mësimdhënësit nuk mund të kërkohen të trajnohen vazhdimisht dhe të përshtaten me kërkesat e reja, nëse nuk kanë siguri ekonomike dhe kushte të dinjitetshme jetese.
“Rroga nuk është veç pagesë. Rroga është edhe mundësia që ti të mos preokupohesh a i ke kushtet elementare në shtëpi dhe të mundesh me mendu për dije, trajnim e avancim profesional”, – theksoi ajo.
Rrusta kritikoi edhe qeveritë e kaluara, duke thënë se shpesh mësimdhënësit janë parë si bazë elektorale dhe jo si bartës të dijes.
Sipas saj, sistemi duhet të ketë më shumë guxim për t’u përballur me realitetin se një pjesë e kuadrit arsimor nuk arrin më t’u përgjigjet kërkesave bashkëkohore.
“Duhet me qenë realistë. Ka mësimdhënës që nuk munden më me iu përshtat kërkesave të kohës. Nuk po flas për largim pa mbështetje, por për reforma, pensionim të parakohshëm dhe sistemim të drejtë. Mësimdhënësin nuk duhet me e pa si burim vote, por si burim dijeje”, – deklaroi ajo.
Sa i përket prioriteteve programore të PSD-së, Rrusta tha se fokusi kryesor do të jetë zhvillimi i hershëm i fëmijëve dhe zgjerimi i qasjes në edukimin parashkollor.
Ajo argumentoi se pabarazitë mes fëmijëve fillojnë shumë herët, veçanërisht mes zonave urbane dhe rurale, dhe se mungesa e çerdheve po prodhon dallime që më vonë reflektohen në të gjitha nivelet e arsimit.
“Fokusin e kemi te zhvillimi i hershëm parashkollor. Diferenca urban-rural po thellohet vazhdimisht, sepse disa fëmijë e kanë mundësinë ta ndjekin çerdhen, ndërsa të tjerë jo. Kjo krijon pabarazi që nuk zhduket më vonë”, – tha ajo.
Duke folur për arsimin e lartë, Rrusta shprehu skepticizëm për gjendjen aktuale në Universitetin e Prishtinës, të cilin e përshkroi si institucion konservator që nuk lejon mjaftueshëm qarkullimin e ideve dhe kuadrove të reja.
Ajo kërkoi depolitizimin e universiteteve dhe largimin e ndikimeve partiake nga strukturat drejtuese.
“Rektorët historikisht kanë qenë të lidhur me parti politike. Kjo duhet të ndalet. Universiteti duhet të jetë vend i dijes dhe jo i ndikimeve partiake”, – tha Rrusta.
Në fund, ajo theksoi se ndryshimet në universitete nuk mund të ndodhin të izoluara nga zhvillimet e përgjithshme shoqërore.
“Jam skeptike për ndryshimet universitare nëse nuk ka ndryshime shoqërore. Universiteti është pasqyrë e shoqërisë dhe nuk mund të transformohet i vetëm”, – përfundoi ajo.
www.kallxo.com