Opozita: Vetëvendosja mungoi në debatin për arsimin "për shkak të mungesës së rezultateve"

Mungesa e përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje në debatin zgjedhor për arsimin në emisionin “Debat Përnime” u shndërrua në temën e parë të përballjes mes partive politike, me përfaqësueset e AAK-së, PDK-së, LDK-së dhe PSD-së që adresuan kritika ndaj qeverisjes së deritanishme në sektorin e arsimit.

Kosova vazhdon të renditet në fund me rezultatet e testit ndërkombëtar PISA, ndërsa përfshirja e fëmijëve në çerdhe e kopshte mbetet e ulët dhe mësimi gjithëditor ende nuk është shtrirë në shumicën e shkollave.

Përfaqësuesja e AAK-së, Teuta Haxhiu, tha se arsyeja pse Vetëvendosje nuk mori pjesë në debat lidhet me mungesën e besimit të vetë Qeverisë në sistemin arsimor të vendit.

“Vetë fakti që kryeministri i vendit nuk e ka fëmijën në sistemin arsimor të Kosovës tregon mosbesim ndaj këtij sistemi. Kosova ka rënë edhe më poshtë në rezultatet e PISA-s dhe arsimi nuk ka marrë investimet që i duhen”, – deklaroi Haxhiu.

Ajo kritikoi gjithashtu trajtimin e mësimdhënësve dhe mungesën e reformave ligjore, duke thënë se qeveria nuk ka arritur të adresojë problemet kryesore të sektorit.

Edhe përfaqësuesja e PDK-së, Eliza Hoxha, e lidhi mungesën e Vetëvendosjes me, siç tha ajo, dështimet e qeverisë në arsim.

Sipas Hoxhës, gjatë mandatit të fundit ka pasur vonesa të vazhdueshme në fillimin e vitit shkollor, probleme me shpërndarjen e teksteve, mosrealizim të investimeve kapitale dhe mungesë të progresit në dixhitalizimin e arsimit.

“Tre vjet radhazi janë bartur 600 mijë euro të dedikuara për dixhitalizim dhe asnjë cent nuk është shpenzuar. UNICEF-i ka ngritur shqetësime për rënien e rezultateve në PISA dhe për hendekun dixhital që vazhdon të thellohet”, – tha Hoxha.

Nga ana tjetër, deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, deklaroi se Vetëvendosje nuk ka çfarë të prezantojë në një debat për arsimin, pasi sipas saj nuk ka realizuar asnjë reformë domethënëse.

“S’ka rezultate, s’ka reforma, s’ka investime. Shkollat janë lënë vetëm, mësuesit janë lënë vetëm, ndërsa familjet me fëmijë me nevoja të veçanta nuk kanë marrë mbështetje. Vetëvendosje nuk e ka pasur asnjëherë prioritet arsimin”, – deklaroi Lushaku-Sadriu.

Ajo ngriti shqetësimin edhe për mungesën e investimeve në edukimin e hershëm, duke thënë se nga rreth 120 mijë fëmijë të moshës 1 deri në 5 vjeç, më pak se 20 mijë janë të përfshirë në kopshte publike.

“Në Prishtinë janë vetëm rreth 2 mijë fëmijë në kopshte publike, ndërsa nevoja është shumëfish më e madhe. Janë premtuar çerdhe, por rezultatet janë pothuajse zero”, – tha ajo.

Ndërkohë, përfaqësuesja e PSD-së, Teuta Rrusta, e interpretoi mungesën e Vetëvendosjes si strategji politike.

“Unë nuk mendoj se është mosguxim për ballafaqim. Më shumë e shoh si një përpjekje për të krijuar diferencë politike duke mos marrë pjesë në debate. Por kjo nuk e fsheh faktin se arsimi nuk është trajtuar si prioritet”, – tha Rrusta.

Ajo kritikoi edhe zgjedhjen e udhëheqjes së Ministrisë së Arsimit gjatë mandatit të fundit, duke thënë se vetë emërimet politike tregojnë nivelin e prioritetit që i është dhënë sektorit.

Debati për arsimin ishte pjesë e serisë së debateve zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026.

www.kallxo.com