Eliza Hoxha: Sot nuk është ideal i shumë njerëzve të mirë të këtij vendi të jenë mësimdhënës
Përfaqësuesja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka ngritur shqetësime për gjendjen e arsimit në Kosovë, duke thënë se profesioni i mësimdhënësit ka humbur prestigjin që ka pasur dikur dhe se sistemi arsimor ka nevojë për reforma të thella që tejkalojnë mandatet politike.
Gjatë debatit zgjedhor për arsimin, në ‘Debat Përnime’, Hoxha tha se një nga problemet kryesore është fakti se profesioni i mësimdhënësit nuk shihet më si një karrierë e dëshirueshme për të rinjtë.
“Sot nuk është ideal i shumë njerëzve të mirë të këtij vendi për të qenë mësimdhënës, sepse është devalvuar dhe është denigruar integriteti i mësimdhënësve vazhdimisht”, – tha ajo.
Sipas saj, krahas rënies së autoritetit të mësimdhënësit, është dobësuar edhe raporti i besimit ndërmjet prindërve dhe shkollës.
“Sot edhe prindërit, kur ia dorëzojnë fëmijët mësimdhënësit, nuk ua besojnë në plotësi qysh ka qenë dikur. Nuk po them që duhet me e bartë sovranitetin e familjes tek mësimdhënësi, por një farë besueshmërie e lidhjes së prindit me mësimdhënësin duhet të ekzistojë në idenë jo vetëm të arsimit, por edhe të edukimit”, – deklaroi Hoxha.
Duke shpalosur prioritetet e PDK-së në arsim, ajo tha se digjitalizimi do të jetë një nga shtyllat kryesore të programit të partisë, pasi sipas saj shkollat vazhdojnë të funksionojnë me modele të vjetra të mësimdhënies, ndërsa fëmijët jetojnë në një realitet krejtësisht tjetër teknologjik.
“Në programin tonë, në krye me Bedri Hamzën, një nga shtyllat kryesore është digjitalizimi si domosdoshmëri e kohës. Fëmijët sot komunikojnë dhe punojnë gjatë gjithë ditës me mjete digjitale, ndërsa kur shkojnë në shkollë gjithçka kthehet në formatin kur unë e ti kemi qenë në shkollë”, – tha ajo.
Hoxha vlerësoi se mësimi gjithëditor duhet të zgjerohet në Kosovë, duke argumentuar se ai krijon më shumë hapësirë për aktivitete praktike, ndërveprim dhe zhvillim të aftësive të nxënësve përtej mësimit teorik.
Një tjetër pikë që ajo e konsideroi jetike është lidhja e arsimit me tregun e punës.
Sipas saj, institucionet nuk kanë bërë analiza serioze për nevojat reale të ekonomisë dhe profilin e kapitalit njerëzor që i nevojitet vendit.
“Nuk është punuar në idenë e të vërtetës për ta lidhur sistemin e arsimit me tregun e punës. Janë bërë gjëra sipërfaqësore, por jo një studim i vërtetë se çfarë tregu ka Kosova, çfarë kapitali njerëzor ka Kosova dhe çfarë dëshirojmë të kemi në të ardhmen”, – u shpreh Hoxha.
Ajo tha se sektorë si teknologjia informative tregojnë se Kosova mund të krijojë kuadro që punojnë nga vendi, por ofrojnë shërbime për kompani ndërkombëtare, duke shtuar se kurrikulat duhet të përshtaten me këto zhvillime.
Në debat, Hoxha foli edhe për mënyrën se si duhet të trajtohen mësimdhënësit, duke kundërshtuar qasjen që mbështetet kryesisht në ndëshkim dhe kontroll.
“Ne mendojmë që duhet të kemi një platformë progresive, jo të ndëshkimit dhe disiplinimit në idenë e frikës, por në idenë e nxitjes dhe vullnetit të mësimdhënësve për të ecur përpara”, – tha ajo.
Sipas saj, avancimi profesional duhet të mbështetet përmes qendrave të trajnimit dhe standardeve të qarta, ndërsa mësimdhënësit duhet të kenë mundësi të zhvillohen sipas interesimit dhe kapaciteteve të tyre.
Një nga problemet që Hoxha identifikoi në sistemin arsimor është mungesa e aftësive pedagogjike, pavarësisht përgatitjes akademike të shumë mësimdhënësve.
“Kemi mësimdhënës ekselentë në kuptimin e dokumentacionit dhe shkollimit, por shumë prej tyre nuk kanë aftësi pedagogjike të theksuara. Mungon relacioni dhe marrëdhënia me fëmijët dhe studentët”, – tha ajo.
Për të nxitur cilësinë në arsim, Hoxha propozoi edhe krijimin e mekanizmave që vlerësojnë performancën e mësimdhënësve dhe profesorëve.
“Duhet sistemi i arsimit me i vlerësu mësimdhënësit e vitit, ata që kanë performuar më mirë. Nëse krejt idenë e cilësisë e kemi bazuar në sistemin e ndëshkimit, kjo nuk ka prodhuar dhe nuk ka me prodhu asnjëherë cilësi”, – deklaroi ajo.
Duke folur për arsimin e lartë, Hoxha tha se universitetet publike përballen me mungesë investimesh në kërkim shkencor, digjitalizim dhe zhvillim të stafit akademik.
“Më besoni se gjithçka që profesorët bëjnë në pjesën e hulumtimit, kërkimit dhe botimeve e bëjnë me forca vetanake. Nuk ka institute në shumë fakultete dhe profesorët detyrohen t’i mbulojnë vetë shpenzimet”, – tha ajo.
Ajo kërkoi më shumë autonomi financiare për universitetet publike dhe decentralizim të buxheteve, duke përmendur si shembull vonesat në furnizime elementare në Universitetin e Prishtinës për shkak të procedurave të centralizuara.
Hoxha propozoi gjithashtu rikonfigurimin e universiteteve publike nëpër rajone, në mënyrë që secili universitet të specializohet në fusha të caktuara dhe të krijojë profile të dallueshme akademike që lidhen me potencialin ekonomik dhe kulturor të zonave ku veprojnë.
Ajo theksoi se transformimi i arsimit nuk mund të realizohet pa një marrëveshje të gjerë politike dhe shoqërore.
“Arsimi do të trajtohet si duhet nga cilado parti në pushtet vetëm nëse vendosim si shoqëri që ai të jetë prioriteti numër një me një konsensus të paktën 10-vjeçar. Ndryshe nuk ka me mund me ndodh transformimi”, përfundoi Hoxha.
www.kallxo.com