Teuta Haxhiu: Mësuesit po detyrohen të bëjnë punë të dytë sepse paga nuk u del për jetesë

Në debatin zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit 2026 për temën e arsimit, e ftuar në ‘Debat Përnime’ kandidatja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Teuta Haxhiu, tha se sistemi arsimor në Kosovë ka nevojë për një reformë të thellë që do të përmirësonte cilësinë e mësimit, kushtet e mësimdhënësve dhe përgatitjen profesionale të nxënësve.

Haxhiu deklaroi se AAK synon një reformë rrënjësore të arsimit, duke e vendosur fokusin te aftësitë praktike dhe profesionale të të rinjve, si dhe te përfshirja e fëmijëve në edukimin e hershëm.

“Aleanca do të jetësojë një reformë rrënjësore në sistemin arsimor për të prodhuar aftësi praktike dhe profesionale reale. Gjithëpërfshirje të fëmijëve prej moshës 3-5 vjet dhe 5-6 vjet, domethënë në çdo familje fëmijët do të jenë të përfshirë në sistemin arsimor”, – tha ajo.

Sipas Haxhiut, zhvillimi i arsimit duhet të nisë që nga edukimi parashkollor.

Ajo solli si shembull komunën e Gjakovës, ku sipas saj janë ndërtuar 13 çerdhe me buxhet komunal, duke argumentuar se ky model mund të shtrihet në gjithë vendin.

Një nga shtyllat kryesore të programit të AAK-së, sipas saj, është digjitalizimi i shkollave, i cili për vite me radhë është përmendur në strategji e programe, por nuk është zbatuar në praktikë.

“Digjitalizimi është diçka që është thënë vazhdimisht, por nuk është aplikuar. Kjo është nevojë urgjente”, – theksoi Haxhiu.

Ajo foli edhe për mësimin gjithëditor, duke thënë se partia e saj e mbështet këtë model, por jo pa krijimin paraprak të bazës ligjore dhe financiare.

“Mësimi tërëditor, Aleanca do ta ketë edhe e ka në programin e vet, mirëpo së pari duhet të jetë ligji për mësimin tërditor. Pa bazë ligjore ne mund të bëjmë eksperimente, mirëpo nuk mund t’i trajtojmë njëjtë mësimdhënësit që punojnë në mësimin tërëditor me pagesa çfarë janë”, – deklaroi ajo.

Haxhiu argumentoi se zbatimi i mësimit gjithëditor kërkon investime të mëdha në infrastrukturë, rritje të pagave për mësimdhënësit dhe krijimin e kushteve që nxënësit të qëndrojnë në shkollë gjatë gjithë ditës.

“Duhet ambient i shëndoshë, ambient i këndshëm për të gjithë fëmijët që e kalojnë kohën nga ora 8:00 deri në orën 16:00”, – tha ajo.

Një pjesë të konsiderueshme të diskutimit, kandidatja e AAK-së ia kushtoi pozitës së mësimdhënësve, duke argumentuar se shumë prej tyre përballen me vështirësi ekonomike dhe nuk arrijnë t’i përkushtohen plotësisht profesionit.

“Në qoftë se mësimdhënësi ka vullnetin edhe ka dëshirën, por e ka një pagë që nuk e ka preokupimin a ka me i çu ushqim fëmijës së vet aty, e bën një punë të dytë, atëherë nuk e ka as kohën për t’u rikualifikuar”, – tha Haxhiu.

Sipas saj, institucionet duhet të investojnë më shumë në trajnimet profesionale dhe avancimin e mësimdhënësve, duke i ofruar ato pa kosto shtesë për ta.

“Kemi obligim si institucione me e përkrahë rikualifikimin. Ne këtu nëse i trajtojmë dinjitetshëm me pagesa, pastaj japim mundësinë që trajnimet mos me i marrë me pagesa por me u trajnu prej ministrisë”, – deklaroi ajo.

Haxhiu kritikoi edhe procesin e rivlerësimit të mësimdhënësve, duke thënë se ai nuk ka sjellë ndryshime reale në cilësinë e arsimit.

“Numri më i madh i mësimdhënësve po rilicencohen, po marrin lejet për shtatë vitet e tjera. Domethënë, kjo është veç makiazh”, – tha ajo.

Një tjetër pikë që AAK e konsideron prioritare është rishikimi i teksteve shkollore. Haxhiu tha se nxënësit duhet të mësojnë më shumë për historinë e Kosovës dhe periudhat kyçe të saj.

“Aleanca e ka prioritet rishikimin e teksteve mësimore për të mësuar nxënësit tanë për historinë nëpër të cilën ka kaluar secila periudhë deri në ndërtimin e shtetit”, – deklaroi ajo.

Duke folur për arsimin e lartë, Haxhiu mbrojti ekzistencën e universiteteve publike në qytete të ndryshme të Kosovës, duke argumentuar se ato kanë krijuar mundësi për studentët që nuk kanë pasur kapacitete financiare për të studiuar në Prishtinë.

“Jo të gjithë prindërit kanë pasur mundësi me i dërgu fëmijët e tyre në universitet në Prishtinë, për shkak të burimeve financiare që i kanë pasur”, – tha ajo.

Megjithatë, sipas saj, universitetet duhet të jenë të pavarura nga politika dhe të kenë autonomi financiare.

“Universitetet duhet ta kenë të plotë mosndërhyrjen e politikës në këto institucione, pastaj një pavarësi të plotë financiare”, – deklaroi Haxhiu.

Ajo tha se ndërhyrjet politike në universitetet publike kanë dëmtuar funksionimin e tyre dhe kanë dekurajuar profesorët që të kontribuojnë në zhvillimin e arsimit të lartë.

Kandidatja e AAK-së tha se përmirësimi i arsimit është i lidhur ngushtë me zhvillimin ekonomik të vendit dhe rritjen e investimeve publike në këtë sektor, duke argumentuar se pa mbështetje më të madhe financiare nuk mund të ketë as reforma të qëndrueshme dhe as rritje të cilësisë në shkolla dhe universitete.

www.kallxo.com