Lushaku-Sadriu: Do t’ia bëjmë pagën 1,000 euro minimumi secilit mësimdhënës
Paga minimale prej 1,000 eurosh për çdo mësimdhënës, mësimi gjithëditor në të gjitha shkollat publike dhe ndërtimi i 80 çerdheve të reja publike janë disa nga premtimet kryesore që paraqiti përfaqësuesja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, gjatë debatit zgjedhor “Debat Përnime” të mërkurën, më 03.06.2026, i cili iu kushtua arsimit.
Lushaku-Sadriu tha se arsimi do të jetë prioriteti kryesor i LDK-së, duke argumentuar se sistemi aktual nuk po u ofron fëmijëve kushtet dhe mundësitë që meritojnë.
“Arsimi është prioriteti ynë absolut, sepse ne besojmë që fëmijët tanë meritojnë një shkollim shumë më të mirë dhe të avancuar për vitin 2026”, – deklaroi ajo.
Sipas saj, një nga projektet kryesore do të jetë shtrirja e mësimit gjithëditor në shkollat publike, model që sipas LDK-së duhet të shoqërohet me investime të mëdha infrastrukturore dhe pedagogjike.
“Mësimi tërëditor është prioriteti ynë absolut. Do ta ndërrojmë formën e klasave, do t’i adaptojmë për aktivitete ekstrakurrikulare dhe do të investojmë në aktivitete jashtë shkollës për me ia shtu fëmijës kënaqësinë për me shpenzu kohën në shkollë”, – tha Lushaku-Sadriu.
Ajo shtoi se programi parasheh investime të konsiderueshme në digjitalizim, duke përfshirë digjitalizimin e kurrikulës dhe reduktimin e barrës së çantave të rënda për nxënësit.
“Fëmija jonë duhet të shkarkohet nga çantat e rënda që i kanë. Shumica e librave mund të digjitalizohen pjesërisht dhe mbesin vetëm librat që janë fletore pune”, – u shpreh ajo.
Një nga premtimet më konkrete të LDK-së lidhet me pozitën e mësimdhënësve.
Lushaku-Sadriu tha se mësuesit duhet të paguhen më mirë dhe të kenë kushte më të mira për të kryer punën e tyre.
“Do t’ua bëjmë pagën 1,000 euro minimumi për secilin mësimdhënës në sistemin e arsimit. Ata duhet të kenë një mirëqenie për të performuar më mirë”, – deklaroi ajo.
Përveç kësaj, LDK-ja premton një miliard euro investime gjatë mandatit katërvjeçar për zbatimin e mësimit gjithëditor, si dhe sigurimin e një shujte të ngrohtë për çdo nxënës.
“Do t’i ndajmë 1 miliard euro të cilat do të jenë të dedikuara vetëm për mësimin tërëditor në katër vitet e ardhshme dhe do të mbulojmë një shujtë të ngrohtë për secilin fëmijë të Kosovës”, – tha Lushaku-Sadriu.
Ajo prezantoi edhe planin për zgjerimin e rrjetit të çerdheve publike, duke premtuar ndërtimin e 80 çerdheve të reja në të gjithë vendin.
“80 çerdhe do t’i ndërtojmë në secilën komunë të Kosovës. Do t’i ndajmë 60 milionë euro për ta bërë këtë dhe në secilin vit do t’i promovojmë nga 20 çerdhe të reja”, – tha ajo.
Sipas Lushaku-Sadriut, investimi në edukimin e hershëm ndikon drejtpërdrejt edhe në zhvillimin e fëmijëve, por edhe në lehtësimin e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës.
“Me këtë ia mundësojmë edhe nënave që të shkarkohen nga barra e fëmijëve, por njëkohësisht ia japim mundësinë fëmijës që të zhvillohet në fëmijërinë e hershme”, – shtoi ajo.
Në debat, Lushaku-Sadriu foli edhe për reformimin e sistemit të rekrutimit dhe avancimit të mësimdhënësve.
Ajo tha se LDK-ja planifikon krijimin e një qendre kombëtare të pavarur për testimin, trajnimin dhe vlerësimin e mësuesve, me qëllim shmangien e ndikimeve politike në punësim.
“LDK-ja parasheh që të krijojë një qendër nacionale për futjen në sistemin e arsimit të kuadrave të reja dhe të mos ua lë komunave kompetencën e rekrutimit, që pastaj rezulton në ndikime politike”, – deklaroi ajo.
Lushaku-Sadriu tha se performanca e mësimdhënësve duhet të lidhet me avancimin profesional dhe me nivelin e pagës.
“Performanca e mësuesit duhet me u lidhë edhe me pagën, edhe investimi në trajnim dhe avancim duhet me i prodhuar edhe pagë të mirë”, – tha ajo.
Duke folur për arsimin e lartë, ajo propozoi profilizimin e universiteteve publike sipas nevojave dhe potencialeve të rajoneve ku veprojnë, si dhe krijimin e një fondi të ekselencës për mbështetjen e studentëve dhe profesorëve më të suksesshëm.
“Universitetet publike në Kosovë kanë nevojë për një profilizim. Secila qendër duhet ta ketë universitetin të fokusuar në fusha të caktuara që prodhojnë rezultate”, – deklaroi Lushaku-Sadriu.
Ajo tha se universitetet duhet të matin performancën sipas standardeve europiane, të përfitojnë më shumë nga fondet e Bashkimit Europian dhe të rrisin bashkëpunimin ndërkombëtar përmes bursave dhe shkëmbimeve akademike.
“Kosova ka fonde, ka mundësi edhe me fonde europiane me i realizu këto qëllime. Ka shembuj të suksesshëm, kështu që shumë lehtë mund të vijmë deri te një formulë e tillë”, – përfundoi ajo.
www.kallxo.com