Costa: BE-ja mund ta mbështesë Kosovën, por nuk mund t’i kryejë detyrat në vend të saj
Pas takimeve me krerët institucionalë dhe politikë në Kosovë, presidenti i Këshillit Europian, António Costa, ka përsëritur mbështetjen e Bashkimit Europian për Kosovën, duke theksuar se e ardhmja e vendit është në këtë familje, por se përparimi drejt integrimit europian varet nga zbatimi i reformave dhe funksionalizimi i institucioneve.
Në konferencë për media, ai tha se Bashkimi Europian ka qenë partneri më i madh i Kosovës që nga viti 1999.
“Që nga viti 1999, Bashkimi Europian ka qenë partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës, si dhe ofruesi më i madh i asistencës financiare. Kemi investuar 3.7 miliardë në arsim, infrastrukturë, biznese, të drejta të njeriut dhe sundim të ligjit. Jemi të gatshëm të bëjmë edhe më shumë, sepse ne besojmë se e ardhmja e Kosovës është në BE” – tha Costa.
Ai tha se zgjerimi i Bashkimit Europian është nevojë strategjike për kontinentin europian.
“Në kohë të pasigurisë globale dhe pasigurisë ekonomike, zgjerimi nuk është vetëm një mundësi. Është nevojë gjeostrategjike për Europën, investim në paqe dhe stabilitet të kontinentit tonë”- deklaroi ai.
Costa falënderoi Kosovën për përafrimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian, ndërsa u bëri thirrje forcave politike që integrimin europian ta trajtojnë si prioritet.
“Derisa Kosova po shkon në zgjedhje këtë fundjavë, mesazhi im për krejt përfaqësuesit politikë me të cilët u takova sot është i thjeshtë. Partneriteti vjen me përgjegjësi. Bashkimi Europian mund ta mbështesë Kosovën, por nuk mund t’i kryejë detyrat në vend të saj. Kosova ka nevojë për institucione të forta për t’i realizuar reformat dhe për t’i shfrytëzuar mundësitë që ofron BE-ja”, tha ai.
Sipas tij, bashkëjetesa dhe bashkëpunimi rajonal janë elemente të domosdoshme në rrugën evropiane të Kosovës.
“Kushtetuta e Kosovës njeh të drejtat dhe vlerat kushtetuese të Europës, ku përfshihet bashkëjetesa. Dialogu ndërpartiak dhe respekti për të gjitha komunitetet në diversitetin e tyre janë thelbësore. Këto duhet të jenë edhe në praktikë. Bashkëpunimi rajonal është prioritet thelbësor për të siguruar përparimin ekonomik të rajonit”- deklaroi Costa.
Presidenti i Këshillit Europian foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke e cilësuar atë si proces kritik për të dyja vendet.
“Dialogu Prishtinë-Beograd është kritik në këtë drejtim. Më lejoni të nënvizoj se normalizimi është thelbësor për të ardhmen evropiane si të Kosovës, ashtu edhe të Serbisë. Ka pasur përparim të rëndësishëm së fundmi dhe duhet të sigurohemi se kemi zbatim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit”- theksoi Costa.
I pyetur për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian, Costa tha se fokusi aktual duhet të jetë te zbatimi i reformave të dakorduara.
“Secili problem e ka kohën e vet. Jemi pajtuar me agjendën e reformave. Është e rëndësishme që Kosova t’i japë rezultatet e asaj që jemi pajtuar. Besimi im është se në fund të procesit nuk do të kemi asnjë problem nga ana e BE-së. Por ajo që na duhet është konsensus i madh kombëtar në lidhje me anëtarësimin në BE dhe kjo mund të përkthehet në veprime konkrete”, deklaroi ai.
Duke iu përgjigjur pyetjeve për sulmin e armatosur në Banjskë dhe për rolin e Milan Radoiçiqit, Costa nuk komentoi drejtpërdrejt rastin, por theksoi rëndësinë e dialogut dhe të orientimit drejt së ardhmes.
“Bashkimi Evropian është projekt i paqes. Ka lindur prej hirit të Luftës së Dytë Botërore. BE-ja ka lindur kur kundërshtarët e mëparshëm, Franca dhe Gjermania, kanë tejkaluar historitë e veta. Kjo është storja e Bashkimit Evropian dhe kjo është e ardhmja”, tha ai.
“Ne të gjithë kemi pasur probleme me fqinjët tanë në të kaluarën, por duhet të vendosim vlerat. Të ardhmen e përbashkët apo luftërat e kaluara. Duhet të përqendrohemi te e ardhmja. Ajo që e them këtu, e them edhe në Beograd. Duhet edhe Beogradi të përfshihet në dialog dhe të jetë me besim të mirë”, shtoi Costa.
Ai bëri të ditur se të premten liderët e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor do të mblidhen në Tivat të Malit të Zi, në një samit që sipas tij do të dëshmojë përkushtimin e përbashkët për integrimin evropian të rajonit.
Presidenti i Këshillit Europian António Costa qëndrojë në Kosovë këtë të mërkurë, ku takoi ushtruese e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe kryetarët e partive ish-opozitare.
Presidenca e Kosovës ka njoftuar se në takim u diskutua për rrugën europiane të Kosovës, për nevojën e avancimit të procesit të integrimit, si dhe për rëndësinë e zbatimit të reformave që lidhen me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor. U.d. Presidentja Haxhiu ka theksuar se Kosova e sheh këtë Plan si mundësi konkrete për zhvillim ekonomik, për afrim me tregun e përbashkët evropian dhe për përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët.
Presidenti Costa, siç thuhet në komunikatë, ka theksuar se çështjet që lidhen me integrimin në Bashkimin Europian dhe zbatimin e Planit të Rritjes kërkojnë pajtim ndërpartiak dhe konsensus kombëtar në Kosovë, përtej dallimeve politike dhe partiake.
Në këtë frymë, u.d. Presidentja Haxhiu ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për ta çuar përpara agjendën evropiane përmes reformave, koordinimit institucional dhe bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Europian.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti në takim e falënderoi Presidentin e Këshillit Evropian, si donatori më i madh në zhvillimin dhe ndërtimin e Kosovës.
Sipas një komunikate për media, kryeministri në detyrë theksoi se Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në reforma, demokraci dhe ekonomi, me përmirësime në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe demokracinë zgjedhore e liberale, si dhe me rritje ekonomike të qëndrueshme, ndër më të shpejtat në rajon.
Vizita në Prishtinë e Costas është pjesë e një turneu rajonal që ai ka nisur më 1 qershor në Sarajevë. Pas ndalesave në Tiranë dhe Shkup, ai do të vazhdojë më 4 qershor në Beograd, ndërsa më 5 qershor do të marrë pjesë në Samitin BE–Ballkani Perëndimor në Tivat.
Gjatë samitit në Tivat, Costa do të takohet me liderët e vendeve të rajonit së bashku me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Kjo është hera e dytë që kur u zgjodh President i Këshillit Evropian që António Costa po viziton rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ai më parë vizitoi të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor midis 13 dhe 15 majit 2025.
Udhëheqësit e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor do të takohen në Tivat, më 5 qershor. Samiti zhvillohet gjashtë muaj pas samitit të fundit në Bruksel, duke riafirmuar forcën e marrëdhënies së BE-së me Ballkanin Perëndimor.
Samiti do të kryesohet nga Presidenti i Këshillit Evropian dhe do të mirëpritet nga Presidenti i Malit të Zi. BE-ja do të përfaqësohet nga Presidenti i Këshillit Evropian dhe Presidenti i Komisionit Evropian. Përfaqësuesja e Lartë Kaja Kallas do të marrë pjesë gjithashtu.
Edhe emisari për Dialog ishte në takimet e Costas me liderët e shtetit