Flamuri i Bashkimit Europian. Foto: Kirsty Wigglesworth/AP

Tarifat e reja amerikane për mallrat e BE-së do të ishin të papranueshme, thotë kreu i Komitetit të Tregtisë së BE-së

Çfarëdo tarife e re amerikane për mallrat e Bashkimit Europian, pos tarifave të dakorduara vitin e kaluar, do të ishte e papranueshme, ka deklaruar të mërkurën, me 03.06.2026 një deputet i njohur i Parlamentit Europian, duke hedhur poshtë si “krejtësisht absurde” pretendimet e SHBA-së se BE-ja nuk po e frenon tregtinë e mallrave të punës së detyruar, raporton Reuters.

Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së ka propozuar të martën vënien e detyrimeve shtesë prej 10% ose 12.5% ​​për importet nga 60 ekonomi, përfshirë Bashkimin Europian, duke thënë se hetimet treguan se europianët nuk ia dolën të frenonin tregtinë e mallrave të prodhuara me punë të detyrueshme.

“Edhe pse kjo pritej, hetimi dhe gjetjet e tij janë krejtësisht absurde” – ka deklaruar Bernd Lange, kryetar i Komitetit të Parlamentit Europian për Tregtinë Ndërkombëtare.

“Pas pengesës në Gjykatën Supreme, qeveria amerikane po kërkon dëshpërimisht bazë të re ligjore për politikën e saj tarifore. Duket se çdo pretekst i mundshëm tani po përdoret për justifikimin e tarifave ekzistuese ose për përgatitjen e tarifave të reja” – ka theksuar ai.

“Gjithnjë e më shumë po krijohet përshtypja se së pari kërkohet një masë tarifore dhe vetëm atëherë gjendet një justifikim i përshtatshëm ligjor. Këtu bëhet fjalë për qasjen: nëse nuk përshtatet, bëjeni të përshtatet” – ka thënë ai.

Lange ka deklaruar se në fund të vitit 2024, Bashkimi Europian miratoi legjislacionin më të rreptë në botë kundër produkteve të prodhuara duke përdorur punën e detyrueshme dhe se kompanitë tashmë po përgatiteshin për kërkesat e reja për ta shtuar transparencën e zinxhirëve të furnizimit, për identifikimin e rreziqeve dhe për demonstrimin se kundërmasat po zbatohen.

Komisioni Europian po punon për udhëzimet përfundimtare të zbatimit për autoritetet dhe bizneset, ka thënë ai.

“Pretendimi se BE-ja nuk po ndërmerr veprime të mjaftueshme kundër punës së detyrueshme nuk i qëndron shqyrtimit serioz. Kushdo që shqyrton faktet e di se Bashkimi Europian po vendos standarde globale në këtë fushë” – ka theksuar ai.

“Prandaj, pyetja kryesore do të jetë nëse tarifa shtesë e propozuar prej dhjetë për qind do të tejkalojë marrëveshjet Turnberry” – ka deklaruar ai, duke iu referuar një marrëveshjeje nga korriku 2025 me të cilën BE-ja u pajtua të hiqte tarifat për mallrat amerikane dhe Uashingtoni aprovoi një tarifë maksimale për shumicën e mallrave të BE-së prej 15%.

“Për ne, është e qartë: çdo gjë mbi këtë është e papranueshme” – ka thënë Lange.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com