Foto: Zyra e Kryeministrit
Edhe emisari për Dialog ishte në takimet e Costas me liderët e shtetit
Emisari për Dilaogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen ka qenë pjesë e delegacionit gjatë takimeve që mbajti presidenti i Këshillit Evropian me kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani.
Sorensen u pa në fotografitë që i dërgoi për media Presidenca dhe Zyra e Kryeministrit.
Gjatë këtyre dy takimeve, institucionet njoftuan se u diskutua për Planin e Rritjes dhe instrumentet e tjera të para-anëtarësimit, duke nënvizuar rëndësinë e marrjes së statusit kandidat.
Zyra e Kryeministri njoftoi se në takim u bisedua edhe për bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Evropian, sigurinë dhe rëndësinë e fqinjësisë së mirë në funksion të bashkëpunimit rajonal.
Edhe Presidenca ka njoftuar se në takimin mes U.D. Presidentes Albulena Haxhiu dhe Presidentit të Këshillit Evropian Antonio Costa u fol për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian e për zbatimin e Planit të Rritjes.
Sipas Presidencës, Haxhiu ka falënderuar Costën për vizitën dhe vëmendjen që Këshilli Evropian i jep rajonit.
Anëtarësimin në BE të Kosovës, Haxhiu e ka cilësuar si orientim strategjik, zgjedhje politike e qytetarëve dhe interes afatgjatë shtetëror.
Gjatë këtij takimi është folur për rëndësinë e zbatimit të reformace që lidhen me Planin e Rritjes, me ç’rast Haxhiu ka thënë se Kosova e sheh Planin si mundësi për zhvillim ekonomik, afrim me tregun e përbashkët evropian dhe përfitime për qytetarët.
Ai do të takohet me kryetarët e partive ish-opozitare.
Vizita në Prishtinë është pjesë e një turneu rajonal që ai ka nisur më 1 qershor në Sarajevë. Pas ndalesave në Tiranë dhe Shkup, ai do të vazhdojë më 4 qershor në Beograd, ndërsa më 5 qershor do të marrë pjesë në Samitin BE–Ballkani Perëndimor në Tivat.
Kjo është hera e dytë që kur u zgjodh President i Këshillit Evropian që Antonio Costa po viziton rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ai më parë vizitoi të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor midis 13 dhe 15 majit 2025.
Udhëheqësit e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor do të takohen në Tivat, më 5 qershor. Samiti zhvillohet gjashtë muaj pas samitit të fundit në Bruksel, duke riafirmuar forcën e marrëdhënies së BE-së me Ballkanin Perëndimor.
Samiti do të kryesohet nga Presidenti i Këshillit Evropian dhe do të mirëpritet nga Presidenti i Malit të Zi. BE-ja do të përfaqësohet nga Presidenti i Këshillit Evropian dhe Presidenti i Komisionit Evropian.
Përfaqësuesja e Lartë Kaja Kallas do të marrë pjesë gjithashtu.
Tema e samitit është ‘Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor’.
Sipas njoftimit, gjatë drekës, udhëheqësit do të diskutojnë zgjerimin. Do të jetë një mundësi që BE të përsërisë angazhimin e saj të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
Udhëheqësit pritet të vlerësojnë progresin e bërë në integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në BE dhe si ta çojnë atë më tej, veçanërisht përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Ata gjithashtu do të shqyrtojnë se si të adresohen sfidat e përbashkëta dhe të forcohet siguria dhe qëndrueshmëria, në sfondin gjithnjë e më kompleks gjeopolitik.