Dardan Molliqaj - Foto: KALLXO.com
Molliqaj: Kurti po shpreh dëshirë për ta kontrolluar prokurorinë, PSD nuk ka arsye të frikësohet
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka kërkuar përkrahjen e votuesve në zgjedhjet e 7 qershorit pasi, sipas tij, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, “po e shpreh haptazi dëshirën për me e pasë nën kontroll organin e akuzës”.
Sipas Molliqajt, i vetmi grup politik që nuk ka arsye të frikësohet apo shmanget është PSD-ja.
Në një video-mesazh, Molliqaj ka përfshirë një sekuencë të intervistës së kryeministrit në detyrë Kurti në “Kanal 10”, i cili flet për raste ku prokuroria nuk është e pavarur realisht nga Qeveria, ndërsa i pavarur është gjyqësori.
“Mënyra qysh flet Albini për kryeprokurorin dhe prokurorinë është e rrezikshme sepse ai po thot s’ka nevojë realisht të jetë i pavarur kryeprokurori dhe as prokuroria, duhet të jetë e pavarur Gjykata” – tha kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj.
Molliqaj vlerësoi se Kosova ka nevojë të ketë një opozitë e cila ka guxim të flasë, ta ballafaqojë e ta sfidojë kryeministrin aktual në Kuvendin e Kosovës, ndërsa akuzoi subjektet e tjera politike se nuk kanë guxim të flasin pasi, sipas tij, kanë faje.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në emisionin Politiko në “Kanal 10” kishte marrë shembuj se si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dy vëllezërit, John dhe Bobby Kennedy mbanin pozita të larta shtetërore në dy pushtete të ndryshme, njëri si president i SHBA-së dhe tjetri si udhëheqës i Departamentit të Drejtësisë.
Ai gjithashtu kishte thënë se edhe në plot vende europiane prokuroria nuk është e pavarur realisht nga qeveria, ndërsa sipas tij gjyqësori është i pavarur.
Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 07.06.2026, pasi që Kuvendi dështoi ta zgjedhë presidentin e vendit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Fushata ka filluar më 28.05.2026 ndërsa pritet të zgjasë deri në hapjen e vendvotimeve në ditën e zgjedhjeve më 07.06.2026.
Lista e votuesve përbëhet nga 2 milionë e 92 mijë e 174 votues derisa në këtë listë janë 15 mijë e 884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme që janë mbajtur më 28.12.2025.
Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 qendra të votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime.
Procesi zgjedhor jashtë vendit përveç votimit me postë do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 17 ambasada dhe 13 konsullata, me gjithsej 47 vendvotime.