Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prizren, Rrjeti i Organizatave të Kulturës kërkon publikimin e rezultateve për subvencionet, DKRS: Procedurat nuk kanë përfunduar

Rrjeti i Organizatave të Kulturës (RrOK) në Prizren ka shprehur shqetësim dhe pakënaqësi ndaj Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS) të Komunës së Prizrenit, duke e akuzuar për neglizhencë dhe zvarritje të pajustifikueshme të procesit të subvencioneve kulturore për vitin 2026.

Përmes një reagimi publik, RrOK vlerëson se vonesat në publikimin e rezultateve dhe procedurat e subvencionimit po dëmtojnë organizatat kulturore që, sipas tyre, kanë kontribuar për dekada në zhvillimin e kulturës dhe turizmit në qytet.

Në anë tjetër, DKRS e Prizrenit është shprehur për KALLXO.com se vlerësimet dhe procedurat administrative lidhur me thirrjen publike për subvencionim ende nuk kanë përfunduar.

RrOK-u kërkon transparencë

RrOK ka kërkuar edhe shqyrtimin transparent, të drejtë dhe profesional të të gjitha ankesave të paraqitura nga OJQ-të pas publikimit të rezultateve preliminare të subvencioneve në kulturë në DKRS-në në Prizren.

Gjithashtu, sipas këtij rrjeti, një numër organizatash që promovojnë trashëgiminë kulturore, identitetin dhe diversitetin e komuniteteve të ndryshme në Prizren janë lënë jashtë mbështetjes financiare, pa kritere të qarta dhe transparente.

“Kultura nuk është lëmoshë, por identiteti i Prizrenit. Mjaft më me injorim administrativ”- thuhet në reagimin e RrOK-ut.

Organizatat kulturore vlerësojnë se reduktimi i mbështetjes për sektorin kulturor nuk paraqet vetëm një problem administrativ, por një goditje ndaj skenës së pavarur kulturore dhe autonomisë së saj.

Në reagim, RrOK ka paraqitur tri kërkesa kryesore: Publikimin e menjëhershëm të listës përfundimtare të subvencioneve kulturore për vitin 2026; Shqyrtimin transparent, të drejtë dhe profesional të të gjitha ankesave të paraqitura nga organizatat dhe rishikimin e buxheteve dhe rikthimin e mbështetjes adekuate për organizatat që zhvillojnë aktivitet kulturor në qytet.

“Nuk ka më vend për vonesa dhe premtime boshe. Presim zgjidhje të drejtë dhe institucionale tani” – thuhet më tej në reagim.

Përgjigjja nga DKRS-ja

Nga ana tjetër, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Prizrenit ka deklaruar për KALLXO.com se procesi i vlerësimit dhe procedurat administrative lidhur me thirrjen publike për subvencionim ende nuk kanë përfunduar.

“Ju njoftojmë se procesi i vlerësimit dhe procedurat administrative lidhur me thirrjen publike për subvencionim ende nuk kanë përfunduar. Për këtë arsye, dokumentacioni i kërkuar aktualisht nuk përfaqëson një proces të përmbyllur dhe përfundimtar” – thuhet në përgjigjen e DKRS -së.

Sipas Drejtorissë, pas përfundimit të procedurave dhe publikimit të rezultateve përfundimtare, dokumentacioni përkatës do të vihet në dispozicion në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe parimet e transparencës.

Më 19.05.2026, Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS) në Komunën e Prizrenit publikoi listën preliminare për subvencionimin në kulturë, rini dhe sport, duke u bazuar në thirrjen publike të datës 01.04.2026.

Sipas kësaj liste janë mbështetur 63 OJQ dhe individë nga fusha e kulturës, ndërsa afati i ankesave ishte 5 ditë nga data e publikimit të kësaj liste.

Rrjeti i Organizatave të Kulturës (RrOK) përfaqëson operatorët kulturorë të pavarur në Prizren dhe angazhohet për mbrojtjen e hapësirës kulturore, diversitetit kulturor dhe zhvillimin e qëndrueshëm urban përmes artit dhe trashëgimisë kulturore.