Foto: KESCO

ZKA: KESCO ende nuk i ka paguar mbi 2.1 milionë euro nga gjoba e shqiptuar nga ZRRE në vitin 2022

Në raportin e Zyrës së Rregullatorit për energji për vitin 2025, Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar mungesë të veprimeve të mjaftueshme për realizimin e arkëtimit të gjobës nga KESCO.

Më 16.11.2022, bordi i ZRRE-së ka marrë vendim për shqiptimin e gjobës ndaj kompanisë KESCO në shumën prej 8,475,000 euro, për shkak të shkeljeve ligjore të konstatuara në lidhje me blerjen e energjisë elektrike, pagesat dhe nominimet. Sipas këtij vendimi, gjoba duhej të paguhej brenda një periudhe dyvjeçare, respektivisht deri më 15.11.2024, në katër këste të barabarta.

Në raportin e auditimit thuhet se KESCO ka paraqitur padi për anulimin e këtij vendimi dhe ka kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të tij. Megjithatë, kërkesat janë refuzuar nga Gjykata Komerciale në shkallë të parë dhe të dytë, si dhe Gjykata Supreme e Kosovës, e cila ka refuzuar kërkesën për shqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit.

Sipas evidencave të pagesave, KESCO deri më tani ka realizuar pagesën e tre kësteve të gjobës, përkatësisht: kësti i parë më 22.09.2023, kësti i dytë më 15.01.2024 dhe kësti i tretë më 17.10.2024.

Por ZKA ka potencuar se megjithatë, kësti i katërt në shumën prej 2,118,750 euro nuk është paguar ende, edhe pse afati përfundimtar për përmbushjen e obligimit ka qenë 15.11.2024.

Nga dokumentacioni i shqyrtuar gjatë auditimit është konstatuar se deri në shkurt 2026 obligimi për pagesën e këstit të fundit ende nuk ishte përmbushur, duke mbetur si llogari të arkëtueshme për ZRRE-në.

“Kjo ka ndodhur si rezultat i mosndërmarrjes në kohë të veprimeve të nevojshme ligjore nga ZRRE për realizimin e plotë të pagesës së gjobës pas skadimit të afatit të përcaktuar me vendim”- thuhet në raport.

Sipas nenit 57 paragrafi 8 të Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, në rast të mospagesës së dënimit të shqiptuar nga Rregullatori, Zyra e Rregullatorit për Energji obligohet që të iniciojë procedurë gjyqësore në gjykatën kompetente për realizimin e pagesës së gjobës.

Një detyrim i tillë parashihet edhe në Rregullën për Masat Administrative dhe Gjobat, të nxjerrë nga Rregullatori, sipas së cilës, në rast të mospagesës së gjobës brenda afatit të përcaktuar ligjor, sipas nenit 9 paragrafi 7, Rregullatori me padi duhet të iniciojë procedurën gjyqësore në gjykatën kompetente, ndërsa paragrafi 12 parasheh se Rregullatori fillon procedurën gjyqësore për realizimin e pagesës së saj si borxh civil.

Po ashtu, sipas nenit 22 të Ligjit për Konfliktet Administrative, padia e paraqitur kundër një akti administrativ nuk e ndalon ekzekutimin e tij, përveç në rastet kur organi kompetent vendos ndryshe dhe kur plotësohen kushtet ligjore për shtyrjen e ekzekutimit.

“Mosrealizimi i plotë i pagesës së gjobës dhe mosndërmarrja me kohë e veprimeve për arkëtimin e saj rrit rrezikun e mosinkasimit të shumës prej 2,118,750 euro, krijon precedent për moszbatim të vendimeve të rregullatorit dhe mund të çojë në humbjen e të drejtës për ekzekutimin e aktit administrativ, duke rrezikuar humbjen e të hyrave për Buxhetin e Republikës së Kosovës”- thuhet në raportin e auditimit.

ZKA ka rekomanduar që bordi i ZRRE-së duhet të sigurojë që të ndërmerren në kohë veprimet e nevojshme ligjore për inkasimin e plotë të gjobave të shqipëtuara.

Menaxhmenti i ZRRE-së nuk është pajtuar me këtë gjetje e cila është evidentuar në çështjen A2.

“Pajtohemi me gjetjet dhe rekomandimet në draft raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për auditimin e pasqyrave të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vitin 2025, për gjetjet [A1, A5, A6], pajtohemi pjesërisht me gjetjen [A4], ndërsa nuk pajtohemi me gjetjet [A2, A3, A7]”- thuhet në letrën e konfirmimit që mban datën 13.05.2026, të nënshkruar nga kryesuesi i bordit të ZRRE-së.

Në komentin e saj të përshkruar në raportin e auditimit, ZRRE ka thënë se ka ndërmarrë të gjitha veprimet për arkëtimin e gjobave, ndërsa për këtë vendim rasti është në gjykatë.

“ZRRE ka sqaruar se pas marrjes së vendimit nr.V_1618_2022 dhe vendimeve tjera për gjoba, ZRRE ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme për arkëtimin e  gjobave”- thuhet aty.

Sa i përket veprimeve të ndërmarra, ZRRE ka thënë se më 25.02.2025 ka pranuar nga Gjykata Komerciale aktin KA..nr.1526/22, përmes të cilit është kërkuar paraqitja e përgjigjes në padi lidhur me çështjen e meritave që ndërlidhet me Vendimin nr.V_1618_2022.

Më 22.03.2026 ZRRE ka dorëzuar përgjigjen në padi, duke kundërshtuar në tërësi pretendimet e paditësit dhe duke propozuar nga gjykata, në shqyrtimin e meritave, ta refuzojë padinë, dhe kërkesëpadinë si të pabazuar.

ZRRE më pas ka shpjeguar se më 07.07.2025, Gjykata ka dorëzuar ftesën për shqyrtim kryesor, i cili ishte planifikuar të mbahej me 23.07.2025.

“Në ditën e shqyrtimit, Gjykata në prezencë të palëve ka kërkuar shtyrjen e seancës për një datë tjetër, me arsyetimin se i nevojitet kohë shtesë për analizimin më të detajuar të rastit, duke pasur parasysh edhe praktikën gjyqësore në raste të natyrës së njëjtë [përfshirë rastet ndaj KOSTT] ku gjykatat e rregullta kanë refuzuar paditë dhe kanë vërtetuar vendimmarrjen e ZRRE-së për shqiptimin e gjobave”- thuhet në komentin e ZRRE-së.

ZRRE ka treguar se nga ajo ditë nuk ka pranuar ndonjë ftesë tjetër për seancë apo njoftim të ri procedural nga Gjykata.

“Rasti aktualisht ndodhet në fazën e shqyrtimit gjyqësor MERITOR në Gjykatën Komerciale, në pritje të caktimit të një seance të re për shqyrtim kryesor”- përfundon komenti i ZRRE-së.

Lidhur me këtë koment nga ZRRE, Auditori thotë se gjetja ka të bëjë me mungesën e ndërmarrjes me kohë të veprimeve nga ZRRE.

“Veprimet e shpalosura në veprimin e entitetit kanë të bëjnë me padinë e paraqitur nga KESCO për anulimin e vendimit të ZRRE-së, lidhur me gjobën, nr. V_1618_2022. Megjithatë, gjetja e auditimit ndërlidhet me mungesën e ndërmarrjes me kohë të veprimeve nga ana e ZRRE-së siç janë përcaktuar me legjislacion për ekzekutimin e vendimit të saj, edhe pas skadimit të afatit të përcaktuar për pagesë. Gjatë shqyrtimit të rastit, ZKA ka marrë në konsideratë sqarimet dhe dokumentacionin e ofruar nga ZRRE, lidhur me zhvillimet gjyqësore të rastit të gjobës ndaj KESCO-s. Shqyrtimi i çështjes në mënyrë meritore në procedurën gjyqësore, nuk e pengon ekzekutimin e aktit administrativ pasi në këtë rast padia nuk ka efekt pezullues. Prandaj, komenti i ZRRE-së, ofron sqarime të cilat nuk e ndryshojnë gjetjen e auditimit.”- thuhet në përgjigjen e ZKA-së ndaj komentit të ZRRE-së.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe te KESCO dhe është në pritje të përgjigjeve.

ZRRE ka marrë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare vjetore. Auditori jep opinion të kualifikuar kur Pasqyrat Financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet.

Ky raport ka rezultuar me 7 rekomandime të reja.

Raporti i auditimit për pasqyrat financiare për vitin 2024 kishte rezultuar me një rekomandim. Deri ne fund të auditimit të realizuar nga ZKA për vitin 2025, i njëjti është zbatuar.

Ndryshe, Zyra Kombëtare e Auditimit ka njoftuar se për vitin 2025 ka kryer 133 auditime. Po ashtu, në konferencë për media nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, është njoftuar se 80 raste janë dërguar në prokurori gjatë vitit 2025.

Të hyrat e realizuara nga ZRRE gjatë vitit 2025 ishin në vlerë prej 1,900,602 euro. Këto të hyra kryesisht rrjedhin nga tarifat për licencim dhe nga gjobat e shqiptuara në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Raportin e plotë të ZRRE-së e gjeni KËTU.