Foto: REL/Shutterstock

QKUK reagon pasi ZKA gjeti artikuj me afat të skaduar në stok farmaceutik

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka reaguar ndaj gjetjes së Zyrës Kombëtare të Audimit (ZKA), sipas të cilës në stokun farmaceutik ishin përfshirë artikuj me afat të skaduar.

Sipas QKUK-së, produktet e evidentuara nuk janë rezultat i furnizimeve apo blerjeve të realizuara me afat të skaduar nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).

QKUK thekson se “asnjë material nuk është pranuar në stok me afat të skaduar në kuadër të procedurave të furnizimit të institucionit.”

“Produktet e përmendura në raport përbëhen nga uniforma të siguruara për nevojat e personelit gjatë periudhës së pandemisë Covid-19. Këto furnizime janë realizuar për të garantuar mbrojtjen dhe gatishmërinë e stafit shëndetësor në kushtet e një situate emergjente dhe të paparashikueshme.” – thuhet në reagimin e QKUK më 03.06.2026.

QKUK arsyetohet se një pjesë e këtyre artikujve nuk është përdorur, andaj ato kanë mbetur në stok deri në arritjen e afatit të tyre të përdorimit, i cili ka qenë deri më 31.12.2025. 

“Nga data 01.01.2026, këto produkte janë larguar automatikisht nga sistemi dhe nuk figurojnë më në stok. Prandaj, evidentimi i tyre në regjistrat e stokut nuk nënkupton se ShSKUK ka blerë apo pranuar produkte me afat të skaduar, por se një pjesë e rezervave të krijuara për nevoja emergjente nuk është shfrytëzuar dhe, si pasojë, ka arritur afatin e skadencës.” – kanë shtuar nga Qendra.

Në fund thonë se SHSKUK vazhdon të zbatojë procedurat dhe kontrollet e nevojshme për monitorimin e afateve të përdorimit dhe trajtimin e produkteve të skaduara në përputhje me legjislacionin në fuqi.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës për këtë gjetje të ZKA-së.

ZKA: SHSKUK përfshiu në stok farmaceutik artikuj me afat të skaduar

Në raportin e auditimit të vitit 2025, ZKA thekson se në regjistrat e stokut farmaceutik figuronin shtatë artikuj në vlerë rreth 58 mijë euro të cilëve ju kishte kaluar afati i përdorimit gjatë vitit dhe si rrjedhojë për to nuk ishte bërë dalje si artikuj të skaduar në Sistemin e Menaxhimit të Stokut Farmaceutik.

Kjo kishte ndodhur si rezultat i mungesës së monitorimit të rregullt të afateve të skadencës së barnave në stok si dhe kontrollit të pamjaftueshëm periodik të stokut për të siguruar që barnat me afat të skaduar të evidentohen dhe të trajtohen sipas procedurave përkatëse.

“Mbajtja e barnave me afat të skaduar në stok ndikon në paraqitjen jo të saktë të vlerës së stokut në pasqyrat financiare duke i mbivlerësuar ato”- thuhet në raportin e ZKA-së.

Raporti i ZKA-së për SHSKUK-në i vitit 2025 ka rezultuar me 12 rekomandime, prej tyre pesë të reja dhe shtatë rekomandime të përsëritura.

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka pranuar opinion të kualifikuar në raportin e auditimit të pasqyrave financare për vitin 2025. Auditori jep opinion të kualifikuar kur pasqyrat financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.

Raportin e plotë të SHSKUK-së mund ta gjeni KËTU.