Foto: Kallxo.com/Denis Sllovinja
KQZ publikon agjendën e konferencave për zgjedhjet e 7 qershorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen elektronike sot, më 03.06.2026, miratoi planin e konferencave për ditën e zgjedhjeve në përfaqësitë diplomatike më 6 qershor 2026 dhe për ditën e zgjedhjeve në Kosovë më 7 qershor.
Më 6 qershor 2026 për procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike KQZ do të mbajë 3 konferenca, në këto orare:
09:00 – Konferenca e parë: KQZ njofton për fillimin e procesit të votimit në përfaqësitë diplomatike;
14:00 – Konferenca e dytë: KQZ njofton për pjesëmarrjen dhe ecurinë e votimit në përfaqësitë diplomatike;
20:00 – Konferenca e tretë: KQZ njofton për mbylljen e votimit në përfaqësitë diplomatike në Europë; dhe
01:00 – Njoftim për media: Përfundimi i votimit në përfaqësitë diplomatike.
Kurse, më 07.06.2026, KQZ do të mbajë 5 konferenca të rregullta, në këto orare:
08:00 – Konferenca e parë: KQZ njofton për fillimin e procesit të votimit;
11:30 – Konferenca e dytë: KQZ njofton për pjesëmarrjen e qytetarëve në votime deri në orën 11:00 dhe për ecurinë e procesit zgjedhor;
15:30 – Konferenca e tretë: KQZ njofton për pjesëmarrjen e qytetarëve në votime deri në orën 15:00 dhe për ecurinë e procesit zgjedhor deri në atë kohë;
19:30 – Konferenca e katërt: KQZ njofton për përfundimin e procesit të votimit, ecurinë e përgjithshme të tij, pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje dhe për fillimin e numërimit të fletëvotimeve; dhe
Për konferencën e pestë, në lidhje me publikimin e rezultateve të përmbledhura preliminare të subjekteve politike, KQZ-ja do të njoftojë me kohë.
Gjithashtu, në këtë mbledhje, KQZ ka miratuar planin operacional për ditën e zgjedhjeve, më 7 qershor, i cili përcakton organizimin, koordinimin dhe përgjegjësitë e zyrtarëve të angazhuar në administrimin e procesit zgjedhor brenda dhe jashtë vendit.
“Dokumenti përshkruan aktivitetet që lidhen me përgatitjen dhe funksionalizimin e Qendrave të Votimit, shpërndarjen e materialeve zgjedhore, komunikimin institucional, raportimin e pjesëmarrjes dhe rezultateve preliminare, si dhe menaxhimin e situatave operative gjatë ditës së zgjedhjeve.” – njofton KQZ.
Përmes këtij plani është përcaktuar funksionimi i dhomave operative për koordinim dhe mbështetje, bashkëpunimi me institucionet përgjegjëse për sigurinë, energjinë elektrike dhe mbështetjen teknike, si dhe ekipet dhe zyrtarët përgjegjës për informimin e votuesve, komunikimin me mediat, mbështetjen logjistike, teknologjinë informative, verifikimin e vëzhguesve dhe detyra tjera.
Votuesit e regjistruar jashtë Kosovës mund të votojnë me dokumente identifikimi të Republikës së Kosovës edhe me afat të skaduar. Ky është vendimi tjetër i kësaj mbledhjeje.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 07.06.2026, kurse fushata elektorale ka filluar më 28.05.2026.
KQZ lejon diasporën të votojë me dokumente të Kosovës edhe me afat të skaduar