Foto: video screenshot
Tragjedia në Shëngjin, Ambasada e Kosovës: Për dy të vdekurit janë njoftuar familjarët
Skënder Durmishi, ambasadori i Kosovës në Shqipëri, ka shkuar menjëherë në Lezhë pas rastit tragjik që ndodhi sot, më 03.06.2026, në Shëngjin, ku dy të rinj nga Kosova u mbytën në det.
Ambasada ka thënë për KALLXO.com se ambasadori Durmishi bashkë me kryetarin e Bashkisë, Pjerin Ndreu, me Policinë e Lezhës dhe personelin e spitalit rajonal po kujdesen lidhur me tre shtetasit e tjerë të Kosovës, të cilët janë duke u trajtuar në Urgjencë të Spitalit Rajonal.
“Tre të mbijetuarit, të cilët ndodhen në Spitalin e Lezhës, janë vizituar dhe janë në gjendje të mirë, nën përkujdesin e personelit mjekësor. Për dy të vdekurit janë njoftuar familjarët, të cilët janë nisur drejt Lezhës, përkatësisht morgut në Tiranë. Kryetari i Bashkisë ka siguruar makinat e morgut për veprimet e mëtejme në Tiranë.” – ka njoftuar Ambasada e Kosovës në Shqipëri.
KALLXO.com raportoi për këtë tragjedi që ndodhi në Shëngjin, e cila fillimisht u konfirmua nga Gentian Mullaj, zëdhënës i Policisë së Shqipërisë.
Më pas, Policia e Lezhës ofroi detaje për këtë rast. Përmes një komunikate, Policia tregoi se ishin njoftuar rreth orës 16:30 policët kanë marrë njoftim se në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, disa shtetas që ishin futur në det për t’u larë, si pasojë e dallgëve të shkaktuara nga era e fortë, ndodheshin në vështirësi dhe rrezikonin të mbyteshin.
Kështu, menjëherë pas marrjes së njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë Kufitare, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, si dhe ato të emergjencës.
“Falë reagimit të menjëhershëm të qytetarëve me Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e 5 shtetasve nga Kosova, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal Lezhë për marrjen e ndihmës mjekësore.” – njofton Policia shqiptare.
Fillimisht, ngushëllime për këtë rast shprehu presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili tha se e ka kuptuar me hidhërim të thellë për ngjarjen tragjike që u mori jetën dy të rinjve.
“Në këto çaste të vështira, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet dhe të afërmit e viktimave, ndërsa uroj shërim sa më të shpejtë për tre shokët e tyre. Kjo tragjedi na kujton rëndësinë e kujdesit dhe respektimit të çdo mase sigurie në plazhet tona.” – është shprehur presidenti Begaj.
Pas tij, ngushëllimet i shprehu edhe Albulena Haxhiu, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës.
Haxhiu tha se institucionet e Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm dhe të ngushtë me autoritetet e Republikës së Shqipërisë, duke ofruar mbështetjen e nevojshme.
Ajo ka njoftuar edhe për gjendjen e tre shtetasve të tjerë të Kosovës, të cilët në këtë rast Policia e Lezhës njoftoi se janë duke u trajtuar në Urgjencën e Spitalit Rajonal atje dhe se janë jashtë rrezikut për jetë.